![Brenton Kotorri](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Brentoni-300x300.jpg)
Brenton Kotorri
1- Për punësimin dhe shaka të tjera
Kryeministri e nisi muajin maj me një fjalim klishe në hapjen e panairit të punës. Fjalim i cili kishte një bosht të vetëm: Qeveria ka punuar për të nxitur punësimin, por jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më shumë. Pikërisht, zbrazëtia e këtij boshti, tregon se sa pa vizion është kjo qeveri në sektorin e punësimit, dhe sesa pa druajtje është gati ta tregojë hapur se premtimi me të cilin erdhi në pushtet për 300 000 vende të reja pune në 4 vjet, nuk ishte diçka që thuhej me tërë mend.
Gjatë këtij muaji kryeministri ka vazhduar me “One Man Show-n” e tij gjatë shpërndarjes së dëshmive të legalizimit nëpër Shqipëri. Është e habitshme tanimë, jo sesi kryeministri i lëshon batutat, as sesi populli e gëlltit, por sesi askush nuk reagon në media, apo shoqëri civile për këtë.
2- Fushata elektorale paraligjore
Gjatë gjithë muajit Kryeministri ka udhëtuar nëpër Shqipëri, duke uruar dhe përuruar gjithçka që shihte e gjithkënd që takonte. Por ajo që është më e papranueshme duke bërë fushatë elektorale pa e quajtur fushatë elektorale. Që në fillim të muajit Z. Rama, nisi t’i ngatërronte vizitat në cilësinë e Kryeministrit me udhëtimet elektorale të kryetarit të partisë. E për këtë, dëshmi e qartë është slogani “Në drejtimin e duhur”, që ai nisi ta përdorte fuqishëm dhe kudo që prej fillimit të muajit. Slogan që më pas u pranua edhe zyrtarisht se ishte slogani i fushatës së Partisë Socialiste të Shqipërisë për Zgjedhjet Lokale të këtij viti.
Kështu, jo vetëm që është shkelur Ligji Nr.10 019, datë 29.12.2008 (ndryshuar me ligjin nr.74/2012), sidomos në Nenin 3, Pika 7, ku thuhet : Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli. Por gjithashtu është harruar se kryeministri nuk mund të marrë pushime dhe të sillet si kryetar partie për ndonjë muaj. Jo vetëm teorikisht, por sidomos praktikisht, fjala e kryeministrit të vendit është aseti më i madh publik që një kandidat mund të përfitojë gjatë garës elektorale. Për të mos u ndalur te fakti që kjo fushatë nisi shumë ditë më përpara sesa afati zyrtar që është 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.
Po të vërejmë pamjet e kësaj fushate të padeklaruar, por të realizuar para afatit ligjor, do të shohim në fakt një kryeministër të zhveshur. Një kryeministër të zhveshur në kuptimin e parë të fjalës, prej kollares dhe kostumit protokollar. Do të shohim pamjet e një kryeministri me bluza sportive, me figura dhe ngjyra, teksa i rreh shpatullat kandidatëve të vet nëpër Shqipëri. Kjo këshillë e dobët e dhënë prej këshilltarëve të tij, kërkon të mbjellë në të pandërgjegjshmen e popullit idenë se kryeministri, vishet me kollare kur është kryeministër i Shqipërisë, dhe me bluza të ngushta me ngjyra kur është kryetar i partisë. Edhe pse jo ligjërisht, idealisht, kryeministri nuk duhet të mbajë anësi në zgjedhjet lokale, duke qenë se ai përfaqëson të gjithë popullin, dhe postin më të rëndësishëm politiko-juridik të këtij sistemi. Ndoshta dikush mund të thotë se po kërkojmë korrektesë politike prej euronordikësh, mirëpo ndoshta është e vërtetë që të kërkosh ndershmëri dhe fisnikëri politike në kontekstin tonë, është diçka e tepruar.
3- Shkarkimet e qeta nga detyra shtetërore
Në VKM-në e datës 6 maj, janë liruar nga detyra e funksionarit shtetëror personat e mëposhtëm:
- Jani Babi – Zëvendësministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
- Selfo Kapllani – Prefekt i Qarkut të Beratit.
- Melaim Damzi – Prefekt i Qarkut të Dibrës.
- Zamira Rami – Prefekte e Qarkut Gjirokastër.
- Safet Gjici – Prefekt i Qarkut të Kukësit.
- Ndrec Deda – Prefekt i Qarkut të Lezhës.
Sigurisht që lirimi nga detyra e një funksionari të lartë mund të bëhet për shumë arsye, të cilat, janë paraprakisht të listuara në ligjin përkatës. Mirëpo, asnjëherë nuk u sqarua se pse këto lirime nga detyra janë vendosur. Ndoshta edhe sepse askush nuk pyeti, dhe në këtë rast, dikushi që duhet të kishte pyetur janë mediat dhe shoqëria civile, ose ndonjë qytetar i guximshëm që e bind veten se të drejtën për t’i kërkuar llogari qeverisë së vet, e gëzon prej vërteti. Shumica e emrave të sipërpërmendur janë tashmë zyrtarisht kandidatë për bashki të caktuara, në garën elektorale të 2015-ës.
Referenca
- http://www.fes-tirana.org/media/publications/pdf-files/2015/t-150427-tregu-punes-alb.pdf
- http://www.kryeministria.al/al/newsroom/vkm
- http://www.kryeministria.al/al/newsroom/plane-pune-dhe-strategjite
- http://www.kryeministria.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp
- http://www.kryeministria.al/al/neësroom/fjalime
- http://www.qbz.gov.al/botime/kusht…/Kodi_Zgjedhor.pdf
- https://www.app.gov.al/ep/2015_Arkiva_e_Buletineve.aspx
- http://www.instat.gov.al/al/themes/%C3%A7mimet/publications/books/2015/indeksi-i-%C3%A7mimeve-t%C3%AB-konsumit,-prill-2015.aspx