![Gerion TRESKA, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/G.-Treska-300x300.jpg)
Gerion TRESKA, MSc
1- Të na rrojë Ministria!
Nëse keni qenë të ekspozuar ndaj artikujsh të tillë si “Shqipëria parajsa e re” apo “Shqipëria, Karaibet e reja” si dhe mjaft artikuj të tjerë të kësaj natyre, ky është rezultati i një pune mjaft të përkushtuar të institucionit më të lartë që rri netë pa gjumë për të menduar dhe vepruar për turizmin shqiptar, MZHETTS-së. Po po pikërisht kështu. Mjafton të vizitoni faqen online të kësaj Ministrie për të parë lehtësisht se si madje edhe vetë Ministrja Ekonomi kryen rolin e një moderatoreje/ciceroni për prezantimin e një shembulli pozitiv të të bërit turizëm në Gjirin e Lalzit[1]. Ndërsa faqja zyrtare ne rrjetin social Facebook e kësaj Ministrie është kthyer ne një promovues kryesisht videosh promovuese të pikave të ndryshme turistike të vendit tonë.
Lehtësisht vihet re një aktivitet i dobët i këtij institucioni në përmbushjen e rolit të tij jo vetëm në promovimin apo përmendjen e Shqipërisë si një atraksion turistik por krijimin dhe marketimin e duhur të markës Shqiptare të turizmit. Flitet për Task Forca të ngritura nga Kryeministri apostafat për turizmin, shihet përmes videosh se si sektori privat pra bizneset kane investuar në bregdetin shqiptar, shihet se si MZHETTS përpiqe që të zbusë marrëdhëniet me Trupën e Ambasadorëve në Shqipëri duke u dhënë detyra shtëpie se si të promovojnë Shqipërinë turistike, por pothuajse askund nuk përmendet roli apo qoftë edhe falënderimi për kontributin që japin të gjithë aktorët e sektorit privat për kthimin e Shqipërisë në një atraksion dinjitoz, të larmishëm por mbi të gjitha tendencës për të zhvilluar një turizëm i cili i përshtatet kërkesave konkurruese të rajonit, pa përmendur kontributin e vyer të organizatave shqiptare që promovojnë një turizëm alternativ dhe plotësisht bio dhe të pastër.
Gjithsesi duket se Ministria nuk e ka të vështirë të marrë meritat, shpeshherë duke krijuar edhe video të formës “Ministria nën syrin e medias” për të treguar kontributin e saj të vyer në promovimin e turizmit dhe Shqipërisë në tregun e turizmit[2]. Është ky rrol i fjetur i këtij institucioni që shkakton konfuzion, kaos dhe plot raste “kërcim të çmendur” çmimesh në industrinë vendase të turizmit. Një mungesë lidershipi totale në rolin e këtij institucioni si dhe familjes së institucioneve rregullatorë që përfaqëson prodhon gjendjen aktuale të vendit tonë jo vetëm në turizëm, i cili duhet të jetë një burim konstant të ardhurash dhe punësimi, por në tërësi në të gjithë ekonominë vendase.
Ministria të lerë mënjanë videot e bukura, të cilat shpeshherë janë të krijuara nga individë jo domosdoshmërit për t’u përdorur për promovimin nga ky institucion, por të merret me raportin e fundit të BERZH[3] mbi zhvillimin e turizmit në Europën Juglindore, ku Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e rajonit me konkurrueshmërinë më të vogël, bazuar në indeksin mbi konkurrueshmërinë të Forumit Ekonomik Botëror, ku ky indeks bashkon 90 tregues të vlefshëm për turizmin dhe i grupon ato në këto kategori:
- klimën e biznesit;
- politikat mbi turizmin;
- infrastrukturën;
- burimet natyrore dhe kulturore.
Me një raport të tillë i cili i shtrin konkluzionet jo vetëm në turizëm por edhe në ekonominë e tërë, MZHETTS duhet të rishikojë menjëherë të gjithë reformat dhe strategjitë në mënyre që të bëjë atë që presin të gjithë, të marrë drejtimin e kthimit të ekonomisë Shqiptare në nivelet e duhura të konkurrueshmërisë në rajon.
2- Morgan-i i pakërkuar Kavajës!
Së fundmi një pseudonim i ri i pa kërkuar do t’i vihet zonës së Karpenit në Kavajë, Morgan. Kjo zonë prej 1700 hektarësh tërësisht kot që nuk kryen asnjë funksion është kërkuar ashtu si pa të keq nga një kompani off-shore e regjistruar në një kuti postare në Mbretërinë e Bashkuar dhe shitur më pas në “Panamanë e re”, Singapor, për të investuar thjeshtë një shumë modeste pothuajse sa gjysma e PBB-së Shqiptare, vetëm 5 miliard Dollarë për ngritjen e një porti me me thellësi të madhe si dhe një zone industriale[4].
I gjithë ky skenar ëndrrash i cili pritet ti japë një goditje të mirë papunësisë në vend, pasi pritet të punësojë rreth 6 mijë njerëz në fazën e ndërtimit dhe 70 mijë kur të jetë operacionale. Por jo vetëm kaq, vetë Ministrja Ekonomi ka marrë iniciativën që ta udhëheqë suksesshëm këtë projekt i cili do t’ia zbardhë më në fund faqen Rilindjes.
Në seancën parlamentare të 22 Korrikut 2016, Ministra Ekonomi dhe Parlamenti Shqipëtar i dhanë ligjërisht dritën jeshile duke e votuar projekt-ligjin i cili hap rrugën e negocimit të kontratës me “Star Bridge Developments Limited”, kompani e cila ka si objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike[5]. I prezantuar si i pakërkuar nga pala shqiptare dhe nën petkun e emrave të mëdhenj të fushës dhe industrisë ky do të jetë investimi i cili do ta kthejë Shqipërinë në një përpunuese të rëndomtë të gazit e cila do të krijojë gjeneratën e re të fasonëve të skllevër të gazit.
Budallallëku antishqiptar i radhës nuk ka shkaktuar as edhe një reagim pothuajse duke qenë se ishte mjaft pranë me luftën për miratimin e Reformës në Drejtësi. Ky është veprimi i cili vendos përfundimisht vulën se kjo qeveri po punon për interesa antikombëtare duke zbuar në të gjitha mënyrat më të mira të mundshme investitorët serioz si dhe duke u kthyer në një “han pa porta” për investitorë gjithnjë e më të dyshimtë.
Raporti i BMI – Fitch në një mënyrë indirekte parashikon nevojën elektorale të qeverisë që të ulë papunësinë përpara zgjedhjeve si dhe një çlirim artificial dhe mjaft të vogël të ekonomisë. Një tjetër “reklamë” krejtësisht jo pozitive për investitorët e huaj serioz, por nga ana tjetër një super ftesë për ata që kanë “kapitalin e pisët”[6].
Të na rrosh Morgan i Karpenit dhe mos te pafshim asnjëherë realitet!
[1] Ministrja shërben edhe si ciceron – http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/07/11/ekonomi-udhetim-me-gazetaret-ja-si-po-zhvillohet-turizmi-ne-gjirin-e-lalzit/
[2] Ministria nën syrin e medias – http://www.ekonomia.gov.al/al/multimedia/video-galeri
[3] Raporti I BERZH mbi turizmin për Europën Juglindore – http://www.monitor.al/berzh-shqiperia-pak-konkurruese-ne-turizem-se-rajoni/
[4] Bregdeti I Kapernit do të quhet Morgan – http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/porti-ne-karpen-investim-i-suksesshem-per-shqiperine
[5] Parlamenti jep dritën jeshile për Morgan-in – http://www.ekonomia.gov.al/al/newsroom/lajme/parlamenti-drite-jeshile-projektit-morgan&page=1
[6] Raporti i BMI –Fitch – http://www.monitor.al/raporti-bmi-fitch-ja-rreziqet-per-ekonomine-e-shqiperise/