
Adela Danaj, MSc
Liberalizimi i sistemit shëndetësor Shqiptar: Një e mirë e përbashkët me pasoja tragjike
Jo më larg se dy muaj më parë APPA shkroi mbi liberalizimin e sistemit shëndetësor shqiptar, duke ju referuar kryesisht qendrave spitalore private dhe aktivitetit të tyre. Një nga shqetësimet kryesore lidhej me kontrollin e ulët ose inegzistent ndaj këtyre spitaleve nga instancat shtetërore përkatëse[1]. Madje dhe pas denoncimeve nga pacinetët për shërbim mjekësor jo korret dhe për çmime të larta, nuk dëgjuam kurrë asnjë deklaratë nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën për një ri-vlerësim të situatës. Fatkeqësisht, për ti ardhur në ndihmë këtij argumenti, një ngjarje e rëndë ndodhi së fundmi në ambjentet e një prej spitaleve private në kryeqytet. Një prej pacientëve të shtruar aty për të marrë shërbimin e hemodializës spërkati me benzinë një tjetër pacient, i cili ndodhej aty për të njëjtën arësye[2]. Ngjarja u shfaq në media dhe pamjet ishin tronditëse po aq sa dhe ngjarja.
Duke marrë shkas nga kjo histori ri-ngrihet dhe një herë pyetja mbi sigurinë në ambjentet spitalore shqiptare, qofshin ato private apo publike. Pak rëndësi ka nëse personi që kreu aktin ishte në një spital publik apo privat, ajo që është shqetësuese lidhet me transportimin e një shisheje benzinë brenda ambjenteve të spitalit, duke shkaktuar 4 të vdekur. Në një gjykim të thjeshtë kushdo mund të mendojë që askush nuk mund të aludojë se një i sëmurë që shkon në spital për kurim do të tentojë të kryejë akte të kësaj natyre. Por, nga krahu tjetër, është pikërisht spitali, ambjenti në të cilin personat me probleme shëndetësore janë më të ekspozuar se kudo tjetër. Nisur nga kjo logjikë, ngrihet një tjetër pyetje. A ka shfaqur destabilitet emocional, pacineti që kurohej prej disa kohësh në këtë spital? A mund të pohojnë mjekët se ky pacinet mund të ketë shfaqur shenja të një rëndese psikologjike gjatë kohës që kryente hemodializën? Nëse është kështu, u morën masa për kurimin e tij? Asgjë nga këto nuk ndodhi. Nuk ishte bërë asnjë raport mjekësor që vlerësonte gjendjen psikologjke të pacientit. Ndërkohë, duhet patur parasysh se për çdo pacinet, një nga rregullat e parë që duhet përmbushur është vlerësimi psikologjik i tyre. Ne nuk e dimë se çfarë përmban dosja shëndetësore e këtij pacienti dhe sigurisht e pranojmë faktin që ajo është private dhe privatësia duhet ruajtur, jo vetëm nga pikëpamja ligjore por dhe ajo etike, por në një rast të tillë, minimalisht pretendohet një vlerësim i situatës si dhe prezantimi i një skeme për të shmangur ngjarje të ngjashme.
Megjithatë, një akt i tillë është një evidencë e qartë e një gjendje aspak të shëndetshme psikologjike, ndaj personeli mjekësor i këtij spitali duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mos vlerësimin në kohë të shëndetit mendor të pacientit dhe për rrjedhojë përgjegjësi të drejt për drejtë të shkeljes së ligjit “Për shëndetin mendor” Nr. 8092, të datë 21 Mars 1996[3]. Në kuadër të këtij ligji dhe specifikisht sipas nenit 4 të tij, pacineti në fjalë ka shfaqur hapur të gjitha simtomat e një personi me çregullime psiko-sociale, ndaj krahas hemodializës, stafi mjekësorë, me targetin që i jep profesioni dhe ligji duhet të ndërmerrte menjëherë masa për vlerësimin psiqik të pacinetit dhe kurimin e tij. Profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj punës, do të ishte çelësi i parandalimit të një ngjarje të tillë e cila u shoqërua me pasoja tragjike.
Në rrjedhën e kësaj historie, nuk pati asnjë prononcim nga drejtuesit e spitalit në fjalë, e aq më pak akoma nga përgjegjës së administratës shëndetësore, përgjegjës për sektorin mjekësor. Në rast se kjo është skema që ofrohet prej liberalizimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri, me zero kontroll dhe zero përgjegjës, atëherë duhet rikonsideruar edhe një herë sistemi dhe mënyra e tij e funksionimit.
2-“Mjekësia Emergjente”: Nevoja “emergjente” për ta bërë pjesë të sistemit shëndetësor
Stina e verës shoqërohet jo vetëm me argëtim dhe plazh, por dhe me një mori problemesh që vijnë si rezultat i temperaturave të larta. Këto të fundit nën ndikim e papastërtisë shndërrohen në burim sëmundjesh për qytetarët. Duke pasur parasysh këto kushte, klimaterike por dhe fizike, Ministria e Shëndetësisë u kujdes që të ngre rreth 25 Qendra Shëndetësore të posaçme në 25 vende të ndryshme turistike. Sipas asaj që raportohet nga faqa zyrtare e ministrisë, ka qenë vetë ministri ai i cili është kujdesur që këto qendra të pajisen me medikamentet bazike për të dhënë ndihmën e parë në rast urgjence[4]. Kjo politikë e ndërmarrë në kuadër të nevojave që paraqesin zonat turistike shqipatre mund të konsiderohet si një e mirë publike e domosdoshme nga e cila turistët mund të rrisnin nivelin e tyre të sigurisë gjatë ditëve të pushimit. Deri tani nuk ka patur raportime nëse këto qendra të posaçme funksionojë apo në lidhje me shërbimin që ofrohet aty. Megjithatë, në raportin e prezantuar nga ministria nuk shpjegohet se si është proceduar me stafin mjekësor që kryen këtë shërbim. Është e paqartë nëse janë mjekë lokal apo ndonjë ekip pune i ngritur pikërisht për shërbime të kësaj natyre. Ajo që raportohet lidhet vetëm me furnizimin e medikamenteve të nevojshme por asgjë në lidhje me ekipin e punës.
Natyrshëm, lind pyetja: Këta mjekë e infermierë u morën nga qendra të tjera shëndetësore dhe u shpërngulën në këto qendra të posaçme, apo ky është një grup punë krejtësisht i ri i cili u përzgjodh falë përmbushjes së kritereve profesionale dhe eksperiencës së punës në kushte jo spitalore? Nëse po, a kishte thirrje për aplikime për vende të reja pune për mjekët e rinj apo ato me eksperiencë? Nëse ka qenë kështu, ku u shfaq thirrja dhe si u aplikua? Është e paqartë skema e ngritjes së këtyre strukturave përsa i përket planit të punësimit.
Megjithatë, ajo që shfaqet si problem serioz lidhet me ekipin e mjekëve që janë punësuar aty. Është e paqartë nëse këta mjek kanë marrë trajnim specifik për rastet e emergjencave gjatë sezoneve turistike apo nëse puna e tyre ngrihet vetëm fale eksperiencës së gjatë ose të shkurtër profesionale. Sitemi shëndetësor i njohur si “Mjekësia Emergjente” filloi të konsiderohet si një hallkë e rëndësishme e sistemit shëndetësor Amerikan në vitin 1970, atëherë kur filloi dhe trajnimi i ekipeve të mjekëve për trajtime të kësaj natyre[5]. Në një shtet si Amerika u deshëm plot nëntë vite që të njihej formalisht kjo strukturë e re mjekësore, pasi në vitin 1979 u krijua Bordi i parë Amerikan i Mjekësisë Emergjente. Kjo strukturë filloi të shpërndahej dhe më gjerë, duke e konsideruar mjekësinë nën kushtet e emergjencës si një formë shërbimi e cila kërkon kushte specifike për të trajnuar stafin mjekësor që merret me të.
Për tu kthyer në rastin shqiptar, në faqen e ministrisë së shëndetësisë nuk ka asnjë raportim apo sqarim në lidhje me këtë çështje, duka na bërë të besojmë se qendrat u ngritën dhe aty mjekë ka, por a munden ata të kryejnë atë që duhet dhe kur duhet dhe pse me dëshirën dhe vullnetin e plotë për ta bërë këtë? Ndaj, ndoshta duhet të fillohet të konsiderohet ideja e ngritjes së strukturave të reja, të cilat fillimisht të pajisin stafin mjekësor me të gjithë përgatitjen profesionale të duhur për rastet e emergjencës në kushte jo spitalore në mënyrë që dhe shërbimi të jetë efiçent dhe për pasojë të rritet cilësia dhe siguria.
[1]APPA.al. Qershor 2016: https://appa.brentonkotorri.com/raport-maj-2016-ministria-e-shendetesise/
[2]Gazeta Express. Korrik 2016: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/dy-paciente-digjen-ne-dhomen-e-hemodializes-si-ndodhi-tragjedia-ne-spitalin-amerikan-ne-tiranes-231953/
[3]Ligji për “Shëndetin mendor”: http://www.infocip.org/al/?p=6008
[4] Ministria e Shëndetësisë. Korrik 2016: http://www.shendetesia.gov.al/al/neësroom/lajme/25-qsh-te-posacme-per-sezonin-turistik-me-shume-siguri-per-pushuesit&page=1
[5] Medscape Multispecialty. Shtator 2011: http://www.medscape.com/viewarticle/750482