
Sokol KONDI, MSc
1- Diplomacia kulturore, brenda apo jashtë mureve të ambasadave?
Gjatë konferencës së ambasadorëve të zhvilluar nga Ministria e Punëve të Jahstme në Tiranë, në datat 13-15 korrik, me praninë e të gjithë ambasadorëve të Shqipërisë në botë, si dhe me mjaft të ftuar nga trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, ku APPA mori pjesë, një ndër pikat më intresante të diskutimit ishte ajo lidhur me diplomacinë kulturore.
Interesant në debatin e zhvilluar ishin pikëpamjet diametralisht të ndryshme që ndanin artistët nga diplomatët.
Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë, Znj. Aida Sakiqi, qe ndër të paktat diplomate që, së bashku me Visar Zhitin (ky i fundit si “njeri i letrave që ka çuar një qasje të re në Vatikan”), u përgëzua publikisht nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, për mënyrën se si i ka arreduar mjediset e brendshme të selisë diplomatike të Shqipërisë në Vendet e Ulëta me fotografi të Marubit.
- Adrian Paci, një artist i njohur shqiptar i artit botëror kontemporan, i ftuar për të folur për këtë temë debatoi me ambasadoren, pasi në pikëpamjen e tij, diplomacia kulturore duhet të jetë krejt e kundërta e thjesht varjes së disa fotografive apo pikturave nëpër muret e ambasadave, apo mbi disa këmbalecë modestë të drunjtë.
Sipas tij, diplomacia kulturore duhet të dalë jashtë mureve të ambasadave dhe t’u japë mundësinë artistëve shqiptarë, që me kontributin e tyre të promovojnë faqe botës vlerat e Shqipërisë, me qëllim përmirësimin e imazhint të saj si dhe joshjen e të huajve për t’u bërë kureshtarë për ta njohur më mirë vendin.
Ambasadorja këmbënguli në qëndrimin e saj se edhe zbukurimi i mureve të brendshme të ambasadave me imazhe mbresëlënëse të Shqipërisë shërben në punën e përditshme të ambasadës, e cila vizitohet nga mjaft personalitete dhe njerëz të rëndësishëm.
Sigurisht që qëndrimi i artistit është më diplomatik se sa ai i ministrit dhe i ambasadores, të vetëkënaqur me përdorimin e diplomacisë kulturore për qëllime që lidhen ngushtësisht me diplomacinë klasike brenda mureve.
Diplomacia kulturore mund të bëhet edhe brenda mureve të ambasadave, por thjesht në kuptimin e pikënisjes së organizimit të aktiviteteve kulturore. Impakti, gjithëpërfshirja, dhe shikueshmëria që mund të sillte organizimi i aktiviteteve kulturore shqiptare nëpër botë jashtë mureve të ambasadave, padyshim që mund të ishte shumë më i madh, dhe patjetër që do ta bënte më të dukshme dhe të prekshme edhe vetë punën e ambasadave.
Në rast se ambasadorja ish-përkthyese dhe ministri që mban disa tituj shkencorë mbi supe nuk i kanë të qarta këto koncepte, është e kotë që të flasim.
3- Dikush t’u vërë fre qëndrimeve “personale” të funksionarëve të lartë
Është lehtësisht e kuptueshme se diplomacia greke ndihet superiore ndaj asaj shqiptare dhe sado që të përpiqemi që të heqim një vijë të drejtë në marrëdhëniet reciproke direkte me kundërpalën helene (gjë të cilën duhet thënë se në këto tre vjet Ministria e Punëve të jashtme e ka ngritur në nivele të paprecedenta në krahasim me të kaluarën), sidoqoftë hendeku mbetet i madh. Dhe problemi nuk është vetëm te thinjat e flokëve, që te njëra palë janë më të shpeshta, ndërsa te tjetra më të rralla.
Problemi është se diplomacia shqiptare nuk është kompakte dhe në shumë raste është e pakontrolluar, çka e dëmton atë dhe e paraqet si joserioze në sytë e palës tjetër. Kjo ka ndodhur në mjaft raste për shkak të deklaratave të pakontrolluara që lëshojnë herë pas herë funksionarë të lartë të vetë ministrisë së Jashtme apo të institucioneve të tjera të rëndësishme.
Edhe pse nga Greqia nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim zyrtar, ka qenë padyshim një gafë e rëndë diplomatike një qëndrim personal i mbajtur nga zv.ministri i Punëve të Jashtme Z. Selim Belortaja në rrjetet sociale[1] kundër promovimit të turizmit grek nga ana e disa televizioneve private shqiptare, gjë e cila ka bërë jehonë edhe në mediat e vendit fqinj, për arsye që merren me mend.
Gjithashtu, këshilltari i kryeministrit, Z. Artan Shkreli ironizonte me Turqinë, pak pas grushtit të dështuar të shtetit në këtë vend, duke paraqitur një foto në profilin e tij në Facebook ku disa qytetarë shiheshin duke torturuar një ushtarak. Shkreli e lidhte këtë foto me faktin se përse Turqia nuk integrohet dot në Bashkimin Evropian[2].
Ky qëndrim bie tërësisht ndesh me atë të kryeministrit Rama dhe të MPJ-së, që e dënuan grushtin e shtetit dhe i shprehën përkrahjen më të madhe dhe të plotë Erdoganit në zgjidhjen e tij, edhe pse të dhunshme, ndaj ushtarakëve që tentuan grushtin e shtetit[3].
Në një kompani private serioze, punonjësve u kërkohet që të respektojnë në mënyrë rigoroze kodin e etikës dhe të shmangin qëndrime politike, apo sjellje të pahijshme, qoftë edhe në jetën e tyre private, të cilat padyshim do të mund të dëmtonin edhe imazhin e kompanisë.
Tani, shteti, i cili është si një mega-ndërmarrje dhe ku menaxhimi kërkon një qasje tejet profesionale, duket se këto mekanizma nuk i ka dhe çdo gjë i lihet në dorë rastësisë.
Dikush duhet që të ngrejë një grup ad hoc brenda ministrisë për të kontrolluar funksionbarët e “pakontrollueshëm” publikë, të cilët me deklaratat e tyre “private” dëmtojnë Shqipërinë në marrëdhëniet e saj publike ndërkombëtare.
3- Menaxhimi i pamjaftueshëm i emergjencave
Emergjenca e grushtit të shtetit në Turqi, shfaqi edhe një here reagimin e pamjaftueshëm dhe të vakët nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ministria fillimisht bëri një njoftim për shtetasit shqiptarë që të qëndronin nëpër shtëpi dhe të mos dilnin nëpër rrugë dhe hapësira publike, por e bëri këtë njoftim në Twitter, një prej rrejeteve sociale më pak të përdorura nga shqiptarët. Po të mos ishte për disa media që do ta përcillnin lajmin, pakëkush do të informohej lidhur me njoftim.
Në APPA kemi bërë një njoftim në Facebook menjëherë pas ngjarjes, duke vënë në dispozicion të publikut numrin e telefonit dhe emailin zyrtar të ambasadës së Shqipërisë në Ankara.
MPJ e bëri një gjë të tillë pas rreth 12 orësh. Nga kjo del se në MPJ është i nevojshëm një staf emergjencash që t’i trajtojë me seriozitetin dhe gatishmërinë e duhur këto ngjarje dhe përmes një praktike të unifikuar, dhe jo në mënyrë sporadike.
Një propozim interesant ishte ai që një qytetare bënte lidhur me emergjencat në faqen e Facebook të ambasadës së shqipërisë në Francë, pak pas rastit të atentatit terrorist të këtij muaji në Nisë, ku në videot e filmuara u dëgjuan edhe zërat e disa shqiptarëve.
“A jeni në dijeni ju se sa shqiptarë rezidentë janë në Francë? Keni ju një listë të kësaj popullsie dhe kontaktet e tyre? Sa turistë shqiptarë janë aktualisht në Francë? A nuk është mirë ta krijoni këtë bazë të dhënash dhe në raste të tilla të bëni dhe ju përpjekjet tuaja të shkoni drejt kësaj popullsie që gjendet afër vendkrimeve? Më vjen keq që reagoj në këtë ditë dëshpërimi për njerëzimin në këtë mënyrë, por ju lutem na bëni të ndjehemi të paktën në të tilla momente që kemi mbështetjen e vendit tone. Ju falenderoj paraprakisht nqs ju do të mundni të vendosni një perqasje të tillë” – shkruante qytetarja.
Shqetësimi që ngre zonja është shumë me vend dhe serioz. Selitë diplomatike kanë edhe funksione inteligjence dhe duhet të jenë të informuara në çdo moment për shtetasit shqiptarë që ndodhen në vendet ku ambasadet veprojnë.
Në raste emergjencash ambasadat nuk duhet të jenë vetëm në pozita pritjeje, pra të informohen nga qytetarët që janë në rrezik apo nga familjarët e tyre. Përkundrazi, vetë ambasadat dhe MPJ, duke qenë në dijeni për shtetasit shqiptarë që ndodhen në vendet e goditura nga emergjencat, do duhej t’i nisin vetë kontaktet me personat dhe familjarët e tyre për t’u siguruar se shtetasit shqiptarë janë mirë. Vetëm kështu shqiptarët mund të ndihen se kanë pas tyre një shtet që kujdeset për ta edhe kur ndodhen jashtë vendit.
Por zonja duhet të dijë se ambasadat dhe MPJ kanë probleme shumë më “serioze” se sa kjo, si për shembull ftesat apo mosftesat me presidentin e Republikës[4] dhe mosdhënia e informacionit zyrtar.
Në fakt, një shkrese zyrtare të dërguar dhe protokolluar prej mbi tre javësh në MPJ nga ana jonë, nuk i është dhënë ende asnjë përgjigje.
Pra mund të ndihemi të pashërbyer dhe të pambrojtur nga shteti ynë, jo domosdoshmërisht vetëm jashtë vendit.
[1] Zv.ministri i Jashtem i revoltuar me reklamat per Greqinë http://www.mapo.al/2016/05/revoltohet-zv-ministri-i-jashtem-televizioni-kombetar-po-iu-sherben-grekeve/1
[2] Qëndrimi i Artan Shkrelit për Turqinë. http://www.mapo.al/2016/07/kater-gishtat-e-erdoganit-dhe-ironia-e-keshilltarit-te-rames-me-xhihadistet-turq/1
[3] Konsulli i Shqipërisë kritikon shqiptarët që kritikojnë Turqinë http://www.mapo.al/2016/07/konsulli-shqiptar-ne-turqi-mbron-erdoganin-sulmon-kritiket-e-tij-ne-shqiperi/1
[4] Përplasja President-Ministër http://www.oranews.tv/vendi/presidenca-bushati-akt-foshnjarak-ndaj-nishanit-refuzon-ta-njohe/