![Megi LLUBANI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/M.-Llubani-300x300.jpg)
Megi LLUBANI, MSc
- Vjedhje dhe papërgjegjshmëri spektakolare
Në fund të qershorit ngjarja që pushtoi median dhe hapësirën publike ishte ajo e vjedhjes spektakolare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku një shumë e konsiderueshme parash që po dërgoheshin jashtë Shqipërisë nga një bankë e nivelit të dytë u grabit në brendësi të ambjenteve të aeroportit. Menjëherë pas ngjarjes Ministria e Punëve të Brendshme/Policia e Shtetit doli në një deklaratë për media ku sqaroi të gjithë ngjarjen. Madje u ofrua edhe informacion mbi shkëmbim letrash ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve përgjegjëse të aeroportit në lidhje me sigurinë e ofruar aty. Skenari i ngjarjes dhe ajo që e paraprinte dhe ndodhi më pas është shqetësuese në shumë nivele. Më poshtë po rendisim arsyet përse:
- Së pari, megjithëse e vlerësojmë bërjen të ditur të korrespondencës ndërmjet ministrisë dhe autoriteteve përgjegjëse të aeroportit për mungesën e kushteve të përshtatshme të sigurisë, nuk mjafton vetëm përmendja e tyre. Për hir të transparencës, zbardhjes së ngjarjes dhe informimit të publikut ministria duhet të kish bërë publike të gjithë letrat të cilave i referohet në njoftimin për mediat të datës 1 korrik 2016. Kjo do të hidhte dritë mbi atë që ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjësitë për çdo shkelje të ligjit dhe neglizhencë.
- Së dyti, ministria përpiqet të zhvendosë fajin duke argumentuar se i ka kërkuar disa herë autoriteteve të aeroportit të rishikojnë politikat e tyre të sigurisë. Sikurse mund të shohim nga deklarata e ministrisë: ‘’ Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, vecanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit.’’[1] Deklarata vijon me një sërë shkresash që i referohen të njëjtit argument. Problemi me këtë argument është se nuk e nxjerr ministrinë ‘’të pafajshme’’ por të paaftë dhe të papërgjegjshme. Si është e mundur që ministria bën publike edhe operacionet më të vogla të suksesshme për kapjen e autorëve të krimeve apo operacione të suksesshme kundër kultivimit të lëndëve narkotike; publikon me zell marrëveshje të arritura me struktura dhe vende të tjera dhe gjithçka të rëndësishme e të parëndësishme por nuk ngre shqetësim publik dhe pse jo edhe mediatik për sigurinë në aeroportin e vetëm të vendit? Sipas deklaratës së saj ky institucion ka qenë tërësisht i pafuqishëm kundrejt autoriteteve private të aeroportit. Me pak fjalë po na thuhet se privatët mund të sillen si të duan, pa i dhënë llogari dhe pa ndjekur direktivat e institucioneve publike përgjegjëse. Po na thuhet gjithashtu se edhe në një fushë të tillë, tepër të rëndësishme për sigurinë kombëtare shteti shqiptar nuk mund të bëjë asgje sepse parimi i tregut të lirë po funksionon njësoj edhe në fusha sensitive, si siguria në aeroporte.
- Së treti, sulmet trroriste të shtuara e të vazhdueshme në vende sa afër edhe larg Shqipërisë, veçanërisht ato në aeroporte duhet ta kishin vendosur shtetin shqiptar në alert dhe në gatishmëri të lartë për të mbrojtur qytetarët e tij, edhe pse nuk kemi qenë deri më tani objekt sulmesh të tilla. Paaftësia e forcave private të sigurisë kombinuar me pamundësin Ky reagim wshtw i vonuar dhe bwn pak pwr ta zgjidhur problemin amerikane ky reagim duket sikur vjen ‘. Vijohet ende me kulturwnë apo paaftësinë e institucioneve publike për të imponuar zbatimin e ligjit vë në rrezik jetën e shtetasve shqiptarë dhe shtetasve të huaj që udhëtojnë në Shqipëri. Kultura e pandëshkueshmërisë dhe delegimit të fajit vijon të lulëzojë në Shqipëri.
- Së fundi, por jo prej rëndësisë është privatizimi dhe mania e shtetit shqiptar me koncesionet. Sipas të dhënave siguria në perimetrin e aeroportit është përgjegjësi e një firme private sigurie (!). Vetëm ky fakt mjafton për të kritikuar qasjen e gabuar të shtetit shqiptar për të lënë sigurinë kombëtare në duar të privatëve dhe të jetë më pas i pafuqishëm t’i kërkojë atij llogari. Një kërkim i thjeshtë mbi autoritetet përgjegjëse për sigurinë në aeroporte neë vende të ndryshme tregon se kategoritë sipas shumicës së vendeve janë si më poshtë:
- Forcë e dedikuar policore që mbulon vetëm aeroportet
- Siguria mund të ofrohet nga njësitë lokale policore ku gjendet aeroporti
- Njësia kombëtare e mbrojtjes etj.
Të gjithë shembujt e mësipërm janë modele të menaxhimit të sigurisë në aeroporte ku autoritetet përjgjegjëse janë publike, jo private. Edhe pse ekzistojnë diskutime aktualisht në Shtetet e Bashkuara për privatizimin e sigurisë në aeroporte, debati po shoqërohet me analiza të thelluara për rreziqet e mundshme. Një nga argumentet kryesore është se edhe nëse privatizohet kjo e fundit, institucionet publike do të kenë kontroll të fortë mbi firmat private për t’u siguruar se shërbimi është në përputhje me detyrimin për të ofruar shërbimin e duhur dhe garantimin e sigurisë kombëtare.[2] A është bërë ndonjëherë një diskutim i tillë në Shqipëri? Përse institucionet tona mendojnë se kanë të drejtën e pakundërshtueshme të marrin vendime pa u bazuar në argumenta dhe diskutim publik? Nëse ka ndonjë analizë të mirëfilltë rreziku për ofrimin e sigurisë private në aeroporte do të dëshironim ta kishim në dispozicion. Si gjithmonë pasi ndodhin ngjarje të tilla të rënda njihemi me politik arbitrare të qeverisë shqiptare, të secilit kah. Disa ditë pas njoftimit mbi ngjarjen ministri Tahiri doli me një deklaratë tjetër ku fton instancat përgjegjëse të rishikojnë koncesionin për sigurinë në aeroport.[3] Përse ministri Tahiri nuk e ka ngritur më parë këtë propozim. Përse nuk bëri ai një deklaratë të ngjashme në momentin kur nga kontrolli u vu re se kompania private nuk ofronte kushtet e duhura të sigurisë dhe kishte probleme? Përse nuk u ‘’linçua’’ publikisht kjo kompani më parë nëse problemet kanë qenë ekzistuese kohë përpara se të ndodhte vjedhja. Vijohet ende me kulturën e masave reaguese, jo parandaluese. Ky reagim është i vonuar dhe bën pak për ta zgjidhur problemin.
- Për se na duhen strategjitë nëse nuk i zbatojmë?
Në shtator të vitit 2015 u miratua Strategjia e Rendit Publik 2015-2020 dhe Plani i Veprimit 2015-2017.[4] Objektivat e vendosura për dy vitet e ardhshme janë mjaft ambicioze dhe të detajuara. Megjithatë, pyetja lind: sa realizohen këto objektiva në praktikë? Nëse i referohemi objektivit të parë të vendosur: Përafrimi i legjislacionit dhe organizimit të Policisë me atë të BE do shohim se:
- Në qershor të vitit 2015 duhet të miratoheshin aktet nënligjore të policimit në komunitet sipas ligjit për Policinë e Shtetit. Ndërkohë që ky i fundit është miratuar në korrik të vitit 2014, duket se aktet nënligjore ende nuk janë miratuar pasi nuk gjenden as në fletoren zyrtare as në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
- Përgjatë vitit 2015 duhet të publikohej projektligji për ‘’Sjelljet antishoqërore’’ dhe aktet nënligjore përkatëse. Asnjë prej këtyre nuk duket në horizont dhe nuk duket se ka nisur ndonjë diskutim për këtë projektligj.
- Sërish brenda vitit 2015 ishte parashikuar të hartohej ligji organik për luftën kundër terrorizmit. Ndonëse është miratuar strategjia ndërsektoriale për luftën kundër terrorizmit 2013-2020, duket se një ligj organik për këtë të fundit nuk është hartuar ende.
- Përgjatë vitit 2015 parashikohej edhe riorganizimi i strukturës së Policisë së Shtetit ndërkohë që kjo e fundit, sipas raporteve edhe në media, është ristrukturuar për herë të fundit në 5 maj të vitit 2014.[5] Përse një strukturë e re vetëm 1 vit pas ristrukturimit? Apo ky zë i planit të veprimit është një gabim i hartuesve që kanë harruar se është kryer tashmë një riorganizim i tillë?
Kjo është vetëm një pjesë e mos-arritjeve të ministrisë përballë planit të saj të veprimit për periudhën 2015-2017. Strategjitë ndërsektoriale dhe planet e veprimit janë mjete mjaft të mira ligjore për të kornizuar punën e një institucioni dhe një politikë të caktuar. Ato ofrojnë një plan specifik dhe të matshëm për arritjen e synimeve të vendosura në një periudhë të caktuar. Megjithatë, cila është vlera e tyre nëse shumica e objektivave nuk përmbushen në kohë ose nuk përmbushen fare? Cila është vlera e vendosjes së kaq shumë objektivave që gjithsesi do transportohen ‘’copy/paste’’ në strategjitë e ardhshme? Shpesh më pak është më mirë se më shumë.
[1] Ministria e Punëve të Brendshme, Informacion për shtyp, ‘Policia e Tiranës mbi grabitjen e djeshme në Rinas’, 1 korrik 2016: http://ëëë.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/lajme/policia-e-tiranes-mbi-grabitjen-e-djeshme-ne-rinas&page=1
[2] Tom Lo Bianco, TSA Chief open to private airport security, CNN: http://edition.cnn.com/2016/05/26/politics/tsa-privatize-neffenger-issa/
[3] Ministria e Punëve të Brendshme, ‘Kontrata me koncesionarin në Rinas duhet riparë’’, 4 korrik 2016: http://ëëë.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/lajme/kontrata-me-koncensionarin-ne-rinas-duhet-ripare&page=1
[4] Vendim i Këshillit të Ministrave, ‘’Për miratimin e Strategjisë së Rendit Publik 2015-2020 dhe Planit të Veprimit 2015-2017: http://ëëë.punetebrendshme.gov.al/files/documents_files/Strategjia_e_Rendit_Publik_2015%E2%80%932020_dhe_Plani_i_Veprimit_2015%E2%80%932017.pdf
[5] Shqiptarja.com, ‘Struktura e re e Policisë së Shtetit, ja kush vjen e kush ikën’, 20 maj 2014: http://shqiptarja.com/Aktualitet/2731/struktura-e-re-e-policis–s–shtetit-ja-kush-vjen-e-kush-ik-n–215597.html