![Flutura GJANA, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/F.-Gjana-300x300.jpg)
Flutura GJANA, MSc
1- Fauna e Egër në rrezik
Për shkak të pozitës së mirë gjeografike, Shqipëria dikur karakterizohej nga fauna shumë e pasur. Themi dikur karakterizohej e pasur sepse që pas viteve 90 nuk mund të krenohemi më me këtë privilegj që na e ofronte vetë natyra. Fatkeqësisht fauna e Shqipërisë është shkatërruar me ritme galopante. Shkatërrimi i faunës ka ardhur si pasojë e shumë faktorëve, duke filluar që nga gjuetia, e duke përfunduar me neglizhencën e institucioneve përgjegjëse për monitorimin e zbatimi të ligjit.
Në kuadër të këtij problemi, në vitin 2014 u vendos nga Ministria e Mjedisit moratoriumi 2-vjeçar i gjuetisë me qëllim përmirësimin e llojeve të faunës së egër në Shqipëri. Në qershor të këtij viti Këshilli i Ministrave miratoi[1] projektligjin për shtyrjen e afatit të këtij moratoriumi edhe për 5 vite të tjera i cili hyri në fuqi më 9 korrik.
Pavarësisht nismës së mirë në dukje për të mbrojtur faunën, nga Ministria e Mjedisit nuk ka asnjë raportim për impaktin që pati moratoriumi 2-vjeçar dhe arsyet pse shihet e udhës zgjatja e tij edhe për 5 vite në vazhdim. Ky informacion nuk erdhi as nga specialistët e Ministrisë së Mjedisit të cilët ishin të pranishëm në mbledhjen e komisionit parlamentar, ku u diskutua[2] dhe miratua ky projektligj.
Nga njëra anë janë zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Ministri Koka edhe vetë Kryeministri që lobojnë për të mirat që solli ky moratorium, por nga ana tjetër gjendemi përballë mungesës së një vlerësimi sasior, shifrave dhe fakteve konkrete. Por realisht nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Ky, një fakt i pritshëm sepse është e pamundur që për një periudhë 2 vjeçare të shihen rezultate për mbarështimin e faunës. Bashkëngjit faktin që moratoriumi i gjuetisë ndalon gjuetinë e ligjshme. Po me gjuetinë e paligjshme çfarë po ndodh?
Nga informacionet që ka publikuar[3] Ministria e Mjedisit, në lidhje me rastet e gjuetisë së paligjshme citohet se nga inspektimet e kryera ka inspektuar 650 raste potenciale të gjuetisë të paligjshme ndër të cilat 44 raste janë gjobitur dhe në 600 raste të tjera është konfiskuar arma. Afatet mbi të cilat janë kryer inspektimet nuk përmenden. Të tjera shifra raportohen[4] në website-in e federatës së organizatave që veprojnë në Mesdhe MIO-ECSDE[5]. Në artikull thuhet: ’’ …zonat janë inspektuar përgjatë periudhës nëntor 2015 – janar 2016…. Vetëm gjatë dy muajve të fundit, janë evidentuar dhe dokumentuar 1507 raste të gjuetisë së dhe pritet që këto raste në mënyrë dramatike do të rriten në vazhdimësi…’’
Pra vetëm përgjatë 2 muajve monitorimi ndërkohë që moratoriumi i gjuetisë ka qenë në fuqi janë kapur 1507 raste (shifër kjo ndryshe nga ajo çka raporton Ministria). Po përgjatë të gjithë 24 muajve të moratoriumit të parë (të gjithë periudhës së parë që përfshinte moratoriumi 2 vjeçar i gjuetisë) sa janë shifrat (?) dhe sa do të jenë në 60 muajt e ardhshëm të moratoriumit të dytë?
Secili nga ne ka qenë dëshmitar i abuzimeve mbi faunën e egër. Nuk ka nevojë të ikim larg për ta riparë me sy këtë masakër. Mjafton që të zgjedhim frekuentimin e një restoranti (që vizitohet edhe nga pushtetarët tanë) ku vriten kafshë të egra për t’u servirur si pjesë e menusë së tyre, deri me abuzimin çnjerëzor që ushtrohet me to duke i mbajtur nëpër kafaze në kushtet më skandaloze higjeno-sanitare ku shfrytëzohen si formë argëtimi për klientët.
Sipas statistikave të Instat[6], numri i çdo lloji të faunës së egër është përgjysmuar krahasimisht me shifrat e vitit 2001. Masakrimi vazhdon edhe kafshët janë të mbrojtura me ligje shqiptare e nga dhjetëra konventa ndërkombëtare të firmosura me shumë zell nga drejtuesit tanë.
Shfaqja e zakonshme ku bërtitet me të madhe se fauna po rilind vazhdon. Ulja e numrit të kafshëve të egra nga gjuetia e paligjshme vazhdon. Mos funksionimi i institucioneve vazhdon. Paaftësia e shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit vazhdon. Shkatërrimi i faunës vazhdon. Edhe për sa kohë?
[1] Fletorja Zyrtare
(www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/115-2016.pdf)
[2]Procesverbal i Komisionit Parlamentar, 24.05.2016
(www.parlament.al/wp-content/uploads/2016/05/Komisioni-i-Veprimtaris—dat—24.05.2016.pdf)
[3] Hunting moratorium in Albania, as a way to promote sustainable hunting tourism
(rm.coe.int/CoERMPublicCommonSearchServices/DisplayDCTMContent?documentId=0900001680645214)
[4] Artikull: Continuous violation of the Hunting Moratorium in Albania
(http://mio-ecsde.org/continuous-violation-of-the-hunting-moratorium-in-albania/)
[5] Faqe Web e MIO – ECSDE
(http://mio-ecsde.org/about-us/ )
[6] Statistika, Mjedisi
(www.instat.gov.al/al/themes/mjedisi.aspx?tab=tabs-5)