![Ingrid XHAFA, MA](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/I.-Xhafaj-300x300.jpg)
Ingrid XHAFA, MA
“Rriten” pensionet për 365 mijë pensionistë
Në mbledhjen e fundit të qeverisë është miratuar vendimi për të rritur pensionet me 1.6 përqind për 365 mijë pensionistë në vend, rritje e cila, nëse përllogaritet me vlerën mesatre të pensioneve sot, i bie të jetë rreth 1mijë e 5qind deri në 3mijë lek të vjetra, në varësi të pensionit minimal apo maksimal. Kjo rritje, sipas Ministrit të Mirëqënies Sociale, është llogaritur në raport me kompesimin e indeksit të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve të nevojshme për pensionitët. Ministri me shumë krenari njoftoi se “rritja e pensioneve 1.6 përqind është më e lartë se një vit më parë, ku pensionet u rritën me 1.3 përqind dhe më e lartë se inflacioni i çmimeve të këtij viti, që është 1.2 përqind”[1]. Në fakt, edhe pse pensionet në 2015-tën u rritën me 1.4 përqind dhe jo me 1.3 përqind si deklaron ministri, shifrat e reja të rritjes janë vërtet qesharake dhe pak për tu krenuar.[2] Në kushtet kur çmimet e ushqimeve, barnave, transportit publik, shërbimeve, janë rritur vazhdimisht dhe në kushtet kur mosha e tretë përballet çdo ditë me mungesën e shërbimeve të denja publike, hapësirave të nevojshme publike, shërbimit shëndetësor dhe kujdesit të vazhdueshëm, kjo rritje përveç se e pamjaftueshme, është edhe tallëse për realitetin. Ashtu, si dhe në raportet e tjera të APPAs, këshillohet që përpara se të trumpetohet me të madhe suksesi i reformës së pensioneve, të analizohen me kujdes tregues të tillë, si pamjaftueshmëria e shtetit për të bërë rritje domethënëse të pensioneve, sidomos në vitet e para të zbatimit të reformës.
Aftësohet qeveria në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara?!
Janë ndërmarrë 2 nisma shumë të rëndësishme nga MMSR-ja në lidhje me personat me aftësi të kufizuara (PAK). Kështu, është miratuar dhe botuar në Fletoren Zyrtare “Plani Kombëtar i Veprimit për PAK, 2016-2020[3]”, si dhe është hartuar projektligji mbi “Përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”[4]. Shpresohet që këto nisma do të mund të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e vështira të PAK, qe vijnë jo vetëm si rezultat i aftësisë së kufizuar, por edhe si rezultat i mos lehtësimit të barrierave të shumta, nga ana e shtetit dhe e shoqërisë. Megjithatë, ndryshimet e fundit ligjore dhe pse janë mbështetur gjerësisht nga publiku, kanë hasur pakënaqësi në një pikë shumë të rëndësishme, siç është ajo e heqjes së pagesës prej 9700 lekësh në muaj të fëmijëve me aftësi të kufizuara të moshës 0-2 vjeç, me argumentin se kjo vlerë do tu kthehet në shëbime. Kjo nismë është refuzuar nga shoqata të shoqërisë civile që merren me aftësinë e kufizuar, siç është rasti i shoqatës “Down Syndrome Albania” [5]. Ofrimi i shërbimeve për fëmijë me aftësi të kufizuara në të gjithë territorin e Shqipërisë është një realitet shumë i largët. Për më tepër, në kushtet kur prindërit me fëmijë me AK detyrojnë të lënë punën që të kujdesen për fëmijët, mungesa dhe ndihma financiare që vjen prej pagesës do të ndihet dyfish.
Nga ana tjetër, Plani Kombëtarë i Veprimit për PAK ka disa objektiva shumë ambicioze, si prsh. rritja e aksesit të PAK në shkollë, punë, jetën publike dhe politike të vendit, si dhe përmirësimi i aksesit në vende publike (që lidhet me shëmbjen e barrierave fizike penguese), etj. Mëgjithatë, financimi i masave të parashikuara në këtë plan nga buxheti i shtetit është i pamjaftueshëm, ndaj mendohet se 25 % e tij do të mbulohet nga donator/projekte potencialë. Gjithashtu, shumë për nga masat e propozuara për tu ndërmarrë në përiudhën afatshkurtër dhe afatmesëm, edhe pse cilësohen si prioritare, fatkeqësisht shoqërohen me togëfjalëshin bashkëngjitur “Nuk ka buxhet në dispozicion”.
[1] Vendimi/Qeveria rrit pensionet, përfitojnë 635 mijë pensionistë, aksesuar për herë të fundit më 28 korrik 2016 në: http://shqiptarja.com/news.php?id_legami=213512#sthash.PXWazkZz.dpufhttp
[2] Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 22 korrik 2015, aksesuar për herë të fundit më 28 korrik, 2016 në: http://www.kryeministria.al/al/neësroom/vkm/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-22-korrik-2015&page=5
[3] Plani Kombëtar i Veprimit për PAK, 2016-2020, aksesuar për herë të fundit më 28 korrik 2016 në: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/124-2016.pdf
[4] MMSR prezanton risitë që sjell p/ligji për personat me aftësi të kufizuar, aksesuar për here të fundit më 28 korrik, 2016 në: http://www.sociale.gov.al/al/te-reja/deklarata-per-shtyp/mmsr-prezanton-risite-qe-sjell-p-ligji-per-personat-me-aftesi-te-kufizuar&page=16
[5]Fëmijëve me aftësi të kufizuar do u hiqet pagesa prej 9700 lekë”, aksesuar për here të fundit më 28 korrik 2016 në: https://www.youtube.com/watch?v=8PCVW-U2Ovo