
Sokol Kondi
1- AKT, dëmi ekonomik shkon nga 92 në mbi 135 mln lekë
Ishim ndalur te 92 milionë lekët shkelje shkaktuar buxhetit të shtetit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Një gjë e tillë u faktua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por ka ca gjëra që i kanë shpëtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nuk bëhet fjalë për shaka, por për shifra të konsiderueshme, pra abuzime të tjera me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Për rastin që do paraqesim më poshtë, duket se shkelja nuk është nxitur vetëm nga ndonjë qëllim i errët apo i panjohur për ne, por edhe nga injoranca, sikurse do të dëshmojmë.
Agjencia Kombëtare e Turizmit lëvron për UNIVERS REKLAMA 3,500,400 lekë më 27.08.2014 me nr. Fature 24410940182014, për shërbimin me objekt “promo gadges” me kontratë të lidhur mes palëve me nr. 468/18 26.05.2014 dhe faturë nr. 987 07.07.2014, si dhe marrje në dorëzim 07.07.2014.
Bëhet fjalë për disa objekte promocionale të tipit stilolapsa, fanella, topa plastikë, kapele kashte e kështu me radhë. 35 mln lekë xhingla-mingla! Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë impakti kanë këto sende te promovimi turistik. Por rëndësi ka t’i bëjmë!
Por le të themi se deri këtu nuk ka asnjë problem, sepse AKT ka bërë edhe në të kaluarën procedura të tilla me qëllim promovimin e vendit. Por këtu qëndron problemi, sepse ndërkohë që në të kaluarën ka qenë në fokus pikërisht promovimi i vendit, befas me administrimin e ri të AKT që prej tetorit 2013, ky tender kësaj here bëhet me qëllim promovimin e vetë AKT-së (!). Duket absurde por është e vërtetë.
Për të qenë më të saktë, Agjencia Kombëtare e Turizmit në gadgets-at që prodhon në vlerën e madhe prej 35 mln lekësh nuk vendos emërtimin Albania, apo Visit Albania, apo Follow Your Own Way, por gjen zgjidhjen e mençur të promovojë vetveten, duke i vendosur sendeve siglën e AKT-së! Ligji i Turizmit e shpreh qartë: Qëllimi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është promovimi turistik i Shqipërisë. Pra i Shqipërisë, jo i AKT-së! Që të dëshmojmë që kjo injorancë nuk është rastësi, muajin e ardhshëm do të paraqesim fakte të tjera edhe më qesharake.
Për ta rrumbullakosur vlerën totale të shkeljeve apo të dëmit ekonomik shkaktuar shtetit, që në raport me buxhetin prej 600 mln lekësh që AKT kishte në vitin 2014, është 22.5 për qind, na vjen edhe kjo faturë pagese e kryer nga AKT më 22 qershor 2015, me vlerën totale: 826.239 lekë ose 5.860 euro. Ajo është lëvruar për akomodim gazetarësh apo subjektesh të huaja me rastin e Festivalit të Gjirokastrës. Të gjitha këto para i janë hequr promovimit të turizmit shqiptar dhe janë përdorur për qëllime që bien ndesh me ligjin dhe që e dëmtojnë turizmin.
Përfaqësues të AKT mund të orvaten ta quajnë se kjo bëhet për promovimin e turizmit kulturor. Por KLSH e ka konsideruar edhe në raste të tjera shkelje promovimin e aktiviteteve kulturore, të cilat nuk janë në juridiksionin e kësaj Agjencie, së cilës me sa duket të pasurit vetëm të turizmit i qëndron shumë ngushtë, kushedi përse (iu thotë ndonjë gjë Traku Fest?…).
2- Debati për shifrat ekonomike të tremujorit
Sipas INSTAT Shqipëria shënoi një rritje ekonomike me 2.82% në tremujorin e parë të 2015. Megjithatë po sipas Institutit të Statistikave Sektori i Tregtisë zuri vendin e parafundit ndër faktorët që ndikuan në këtë rritje. Në fakt, buletini i Institutit tregon se kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si Industria, Energjia dhe Uji me 0,96 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me pikë 0,39 pikë përqindje, Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi me 0,39 pikë përqindje, Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit me 0,35 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me 0,31 pikë përqindje, Ndërtimi me 0,25 pikë përqindje, ndërsa Tregtia, Hotelet, Restorantet dhe Transporti vetëm me 0,18 pikë përqindje, për ta mbyllur me Pasuritë e paluajtshme me 0,08 pikë përqindje.
Sipas këtij buletini eksportet (në miliarda) nga vëllimi 59.474 i tremujorit të parë 2014 kanë rënë në 58.334 në tremujorin e parë të 2015. Shqetësuese është se eksporti i mallrave ka rënë me 21%, ndërsa shërbimet janë rritur me rreth 13%. Importet kanë shënuar rritje, ndërsa deficiti tregtar ka shkuar nga -57.119 i tremujorit të parë të 2014 në -60.223 në tremujorin e parë të 2015.
3- Klima e biznesit, falimentojnë 100 kompani
Këtë muaj është mësuar se në muajt maj dhe qershor 2015 rreth 100 biznese kanë shpallur procesin e likuidimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pra kanë falimentuar. Kompanitë që kanë vendosur të mbyllin aktivitetin përfaqësojnë të gjithë sektorët që nga lojërat e fatit, tregti, ndërtim dhe komunikim. Ndërkohë, të papunët e regjistruar kanë shënuar një rënie të lehtë me 0,6% në krahasim me tremujorin e parë të 2014. Ndërsa shtetasit shqiptarë që janë larguar nga vendi janë rritur me 1,9% gjatë kësaj periudhe. Duke pasur parasysh fenomenin e azilkërkuesve, këto largime mund të kanë balancuar disi përkohësisht situatën e punësimit në vend. Gjithsesi ajo ngelet në nivelet e 13 përqindëshit, të cilat janë shifra shqetësuese për një vend të vogël si Shqipëria. Gjithnjë duke qëndruar te klima e biznesit, Ministria e Ekonomisë nuk e ka bërë realitet uljen e TVSH-së së turizmit, pasi ajo qëndron ende në nivelet e 10 përqindëshit, duke qenë ndër më jo konkurrueset në rajon.
Përveç kësaj, ministri Ahmetaj, në vend që të promovonte një librari lëvizëse në Golem apo disa tabela orientuese në Sarandë, si ministër edhe i Turizmit, që të nxisë një klimë të qëndrueshme të të bërit biznes dhe që të mos bëjë që turistët të mos shkelin më në Shqipëri, mund të kishte pasur një komunikim zyrtar për shembull me Inspektoratin e Mbrojtjes Kombëtare të Territorit, i cili në pikun e sezonit veror ka ndërmarrë një aksion për shkatërrimin e objekteve të paligjshme nga Plepat në Durrës deri në Rrogozhinë. Gërmadhat me pushuesit nëpër këmbë nuk janë një kartolinë e bukur turistike dhe nuk nxisin klimën e biznesit. Mund të ishin bërë në shtator, mjaftonte që ministri t’i bënte një shkresë MB-së.
Referenca:
Intervistë, let Gjergji Filipi i INSTAT: Nga erdhi rritja në tremujorin e parë, Revista Monitor, 13.07.2015. http://www.monitor.al/?p=140431
Buletin Statistikor, Tremujori i parë 2015, Instat,
http://www.instat.gov.al/media/304745/buletini_statistikor_1_2015.pdf
Artikull, Pse i ka lënë për në verë shembjet në plazh IKMT?, Gazeta Mapo, 13.07.2015.
http://www.mapo.al/2015/07/pse-i-ka-lene-per-ne-vere-shembjet-ne-plazh-ikmt
Artikull, Ekonomia në stanjacion apo në regres?, Gazeta Dita, 18.07.2015.
http://www.gazetadita.al/ekonomia-ne-stanjacion-apo-ne-regres/
Artikull, Në dy muaj falimentojnë 100 biznese, ja lista, Revista Monitor, 14.07.2015.
http://ww.monitor.al/?p=140469
Kontrolli i Lartë i Shtetit, Publikime.
http://www.klsh.org.al/web/pub/per_publikim_akt_1820_1.pdf
Pagesat e Thesarit të Shtetit, Shpenzime Agjencia Kombetare e Turizmit.
http://spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/5/year/2014/inst_code/1094018