- Dështon Bypass-i i Durrësit
Projekti për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme rrugore, në kryqëzimin që lidh autostradën Tiranë – Durrës me bypass-in e Durrësit dhe asket kombëtare drejt zonës jugore të vendit filloi në janar të vitit 2014 dhe përfundoi në mars të 2015. Punimet kapin vlerën 8 milionë euro (6.7 milionë euro për ndërtimin e mbikalimit dhe pjesa tjetër për ndërtimin e kolektorit të ujërave me gjatësi 1.5 km në zonën e Plepave).
Nuk kanë kaluar as tri muaj nga përfundimi i punimeve dhe mund të themi me shumë bindje që ky segment nuk plotëson asnjë standard dhe nuk ofron siguri.
Nuk kemi asnjë element siguri dhe përgjatë gjithë rrugës janë ndërtuar vetëm dy mbikalime të cilat janë të pamjaftueshme për banorët duke pasur parasysh që në të dy krahët ku kalon ky segment ka qendra të banuara. Ato janë detyruar të gjejnë zgjidhje më “eficiente” duke vendosur shkallë prej druri për të kaluar. Për të mos folur për sinjalistikën ku dy nga tri semaforë të vendosur në këtë segment nuk funksionojnë dhe askush nuk është interesuar për të riparuar këto defekte.
Bypassi i Durrësit, nga Shkozeti në Plepa deri tani ka qenë vetëm burim aksidentesh. Asnjë institucion duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve dhe Monitorimit deri tek Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka monitoruar dhe raportuar për gjendjen në këtë aks. Rrjedhimisht nuk është marrë asnjë masë për të normalizuar gjendjen në këtë segment. Para se të inaugurohej ky aks, a u kryen të gjitha analizat e duhura teknike për të parë nëse plotësonte standardet dhe nuk përbënte rrezik për jetën njerëzore. Ministri Haxhinasto në çdo dalje lobon për rritje të standardeve të rrugëve dhe garantimin e cilësisë në mirëmbajte por sic duket ministrit tonë i paska shpëtuar ky rast. Pra nga një investim prej 6.7 milion eurosh kemi një rrugë pa asnjë standard dhe që është burim aksidentesh.
- Autostrada Tiranë- Durrës
Në mars të këtij viti u punua për rehabilitimin e segmentit, rrethrrotullimi Doganë – mbikalimi Kashar. U vendosën shtylla të reja ndriçimi, u rritën elementët e sigurisë dhe u mbollën palma.
Sot 4 muaj më vonë gjendemi para situatës që për këtë superstradë më aplikohen 2 standarde. Deri në kilometrin e shtatë kjo superstradë gëzon çdo parametër që ka një rrugë europiane. Por pas kilometrit të shtatë dhe deri në përfundim të saj futemi në errësirë, nuk kemi ndriçim, nuk kemi asnjë element sigurie që duhet të ketë një superstradë. Pas mbikalimit të Rinasit gjendja ndryshon, pra po aplikohen dy standarde. “Të ftuarit” që na vijnë nga jashtë konsiderohen të privilegjuar dhe nuk duhet t’u rrezikohet jeta. Ndërkohë për drejtuesit e mjeteve që vazhdojnë udhëtimin deri në fund të superstradës nuk e vret mendjen njeri.
Një element tjetër shumë i përfolur ishin dhe palmat. Mbjellja e tyre ngjitur me vijën anësore të rrugës hapi shumë debat për shkak të rrezikut që shfaqej për drejtuesit e automjeteve. Por pas reagimit të ekspertëve të qarkullimit rrugor në Shqipëri dhe Byrosë Teknike të Sistemit të Standardeve Rrugore të BE-esë pritet shkulja e palmave. Mbjellja e palmave binte ndesh me Ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 dhe standardet që duhet të ketë një autostradë.
Nuk dihet nëse palmat pasi të shkulen do mbillen diku tjetër, por dimë që dështoi një tjetër investim që mbart kostot e veta financiare.
Referenca:
- Artikull: Rama inspekton punimet e Bypass të Durrësit, Transformim rrënjësor
http://shqiptarja.com/video/index.php?IDVideo=27853 - Artikull: Durrës, Vihet në funksion të plotë mbikalimi i Shkozetit
http://www.durreslajm.com/aktualitet/durr%C3%ABs-vihet-n%C3%AB-funksion-t%C3%AB-plot%C3%AB-mbikalimi-i-shkozetit - Video: Autostrada Tiranë-Durrës, Ndricohen vetëm 7km
https://www.youtube.com/watch?v=m1D1cm5X_e0 - Artikull: Palmat e Rrugës Tiranë-Durrës do të shkulen pas zgjedhjeve
http://telegraf.al/aktualitet/palmat-e-rruges-tirane-durres-do-shkulen-pas-zgjedhjeve