![Brenton Kotorri](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Brentoni-300x300.jpg)
Brenton Kotorri
1- Drejt Agjencisë së Çështjeve Vendore.
Ministria e nisi muajin më datë 6 korrik, me aktivitetin e parë publik, takim me kandidatët fitues të zgjedhjeve të qershorit. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi, prezantuan manualin praktik, që pretendohet se do t’i udhëzojë kryebashkiakët e rinj në fazën tranzitore të konsolidimit të bashkive të reja. Themi pretendohet, pasi ky “Manuali Praktik”, në fakt nuk është asgjë tjetër, por veçse një prezantim elektronik, i platformës së reformës. Edhe më ambige, dhe më shumë konfuzuese sesa sqaruese, është fjala e ministrit në fjalën e tij të rastit: “Angazhohem personalisht për të garantuar një klimë sa më të përshtatshme për një bashkëpunim të frytshëm dhe efikas midis nesh për të çuar përpara reformat në qeverisjen vendore si dhe për t`ju mbështetur në realizimin e premtimeve dhe angazhimeve tuaja përpara komunitetit”. Po ta lexojmë fjalinë me kureshtje studimore, do të vërejmë se përbëhet e gjitha prej togfjalëshash që Wittgenstein i quan “Shënjues Boshë”. “Angazhohem personalisht … “ – kur ne fakt Z. Çuçi mund të angazhohet veçse në cilësinë e ministrit. “… për të garantuar një klimë sa më të përshtatshme…” – si do të realizohet ky garantim? Çfarë do të thotë “Klimë e përshtatshme” për këtë rast? E Përshtatshme në aspektin politik? Ekonomik? Social? Përgatitje e opinionit publik? Kontekste të cilat ministri nuk i ka nën kontroll sidoqoftë. E pastaj klishetë vazhdojnë “bashkëpunim i frytshëm dhe efikas…” “… për të çuar përpara reformat”, etj..
Në datën 16 të korrikut, u zhvillua një takim i dytë me 26 kryebashkiakë të rinj. Gjatë këtij takimi kryeministri Rama sulmoi kryebashkiakët që nuk ishin të pranishëm, dhe e cilësoi këtë mungesë si një “paburrëri” për të shkuar në zyrën e kryeministrit. Sigurisht që kryebashkiakët që munguan, janë pjesë e një partie opozitare që me veprime të tilla nxit frymën antidemokratike të mosbashkëpunimit dhe të zhbalancimit të zhvillimit vendor. Sidoqoftë, duhet mbajtur parasysh se gjatë fushatës elektorale, kryeministri disa herë i bëri thirrje elektoratit që të votonin për kandidatët e majtë “që të përfitojnë më shumë prej qeverisë”. Sigurisht që kjo sjellje është po aq antidemokratike dhe e pamoralshme sakurse edhe ajo e opozitës, por kryeministri ka përgjegjësi shumë herë më të lartë sesa opozita, dhe kjo jo vetëm në aspektin politik, por sidomos atë juridik.
Në një intervistë për A1 Report, ministri ka deklaruar se sipas mendimit të tij, Policia Bashkiake ka dështuar si njësi, dhe prandaj ajo duhet të shkrihet. Minimalisht kjo do të thotë më shumë të papunë. Së dyti ministri ka deklaruar se gjithashtu Kryetarët e Bashkive duhet të kenë të drejtën për të dhënë urdhra administrativë ndaj policisë. Deklaratë kjo e fundit e cila mjafton të thuhet për momentin se nuk parashikohet për asnjë moment në Kushtetutë apo ligje të tjera.
Së fundmi, sugjerimi ynë është që kjo ministri, në kushtet kur e ka kryer misionin për të cilin ekzistoi deri tani, të kthehet në një agjenci shtetërore. Ky sugjerim vjen gjithashtu edhe duke mbajtur parasysh se numri i punonjësve të ministrisë është më i vogël se shumë agjenci të tjera. Buxheti është gjithashtu më i vogël (pa portofol), nuk ka kompetenca reale të mëtejshme.
2- Stopkorrupsionit.al, stop raporteve që s’thonë asgjë.
Edhe këtë muaj, nga salla operative e portalit stopkorrupsionit.al, janë publikuar statistikat e radhës. Themi publikuar, edhe pse raporti është ngarkuar “sa për të thënën” në një cep gati të padukshëm të Web-it të ministrisë. Statistikat na thonë se në total (pa asnjë referencë segmentimi kohor) kemi 7189 Raportime nga qytetarët. Prej këtyre, janë refuzuar 1967, pra rreth 1/3, dhe janë mbyllur 4003 raste. Askund nuk sqarohet, me gjithë insistimin tonë si APPA në muajt e mëparshëm, se çfarë domethënieje kanë këto statistika. Për shembull, pse janë refuzuar 1967 denoncime për korrupsion. Si janë mbyllur nga ana tjetër 4003 raste, në favor të qytetarit, apo zyrtarit? Çfarë ka ndodhur me zyrtarët e denoncuar? Po me ata të denoncuar që u është provuar fajësia?
Deri kur do të presim për një përgjigje?
Referenca:
Takimi i parë me të zgjedhurit vendorë, udhëzime për zbatimin e reformës territorial. http://www.ceshtjetvendore.gov.al/al/newsroom/deklarata-per-shtyp/takimi-i-pare-me-te-zgjedhurit-vendore-udhezime-per-zbatimin-e-reformes-territoriale&page=1
Takimi i dytë me bashkiaket e rinj.
Çuçi: Policia do të zbatojë urdhrat e kryebashkiakëve
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=282077 https://www.youtube.com/ëatch?v=J0X8CLhYqxM
Raportet e stopkorrupsionit.al
http://www.ceshtjetvendore.gov.al/files/pages_files/2015.07.07_Raport_Stop_Korrupsionit.pdf