1-Provimi, Ministri dhe Shëndetësia
Ministria e Shëndetësisë ka rihapur dhe një herë debatin në lidhje me testimin e infermierëve dhe mjekëve. Duke qenë se ky testim është jashtë çdo parashikimi ligjor, Urdhri i Infermierëve kishte ngritur një padi pranë Gjykatës Administrative të Apelit. Kjo e fundit, megjithëse nuk duhet të anashkalonte asnjë pikë të Ligjit Nr. 10171, miratuar më 22 Dhjetor 2009, duket se nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe në shkelje të plotë të këtij ligji ka vendosur se Infermierët duhet ti nënshtrohen me çdo kusht testimit të pretenduar nga Ministria e Shëndetësisë .
Në fakt, testimi i mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri është bërë si pjesë e një sage me shumë seri, fundi i së cilës duket se nuk do të jetë asgjë më shumë se sa shkelje ligjore, injorim i institucioneve më të larta shëndetësore dhe përdhosje e profesionit të mjekut apo infermierit. APPA, e ka ngritur këtë shqetësim dhe disa muaj më parë, me shpresën se kjo situatë do të gjente shumë shpejt një zgjidhje.
Ministri Beqaj, ka pohuar se ky testim nuk do të rrezikojë vendin e punës të asnjë mjeku apo infermieri, por testimi do të zhvillohet në kuadër të rritjes së cilësisë së profesionit apo shërbimit të ofruar ndaj pacientëve. Ministri, duket se harron se çdo bluzë e bardhë e ka merituar atë falë studimeve e testimeve të vazhdueshme që ju është dashur të kryejnë përpara se të gëzojnë statusin dhe profesionin e tyre. Megjithatë, për të mos e lënë evazive çështjen e shkeljes ligjore dhe për të evidentuar edhe një herë se si do të shkelet ligji në mënyrë flagrante për 5600 infermierët që do të testohen, APPA, rikujton se: Në përputhje me Nenin 10 të Ligjit Nr. 10171, miratuar më 22 Dhjetor 2009, u hartua Rregullorja për “Organizimin e Provimeve të Shtetit për Profesionet e Rregulluara në Shqipëri”.
Infermierët dhe mjekët janë pjesë e Profesioneve të Rregulluara dhe si pasojë për ta është parashikuar në bazë ligjore mënyra e testimit. Neni 2, pika 4/a e kësaj rregullore parashikon: Përjashtohen nga detyrimi për të dhënë provimin e shtetit, profesionit që me hyrjen në fuqi të ligjit Nr. 10171, ushtron ose ka ushtruar një profesion të rregulluar. Kjo do të thotë se të gjithë infermierët dhe mjekët e diplomuar prej vitit 2009 e më parë, nuk duhet ti nënshtrohen asnjë provimi shtetëror që mund të vërë në pikëpyetje profesionin e tyre, përjashto rastet kur mbi to mund të rëndojë ndonjë akuzë apo dyshim konkret. Por, ky nuk është i vetmi rast ku kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të Ligjit. Për të njëjtën çështje, detyrimi i nënshtrimit të këtij testimi, do të thotë shkelje e Ligjit Nr. 9718, miratuar më 19 Prill 2007. Ky ligj parashikon të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet që duhet të përmbushë Institucioni i Urdhrit të Infermierit. Neni 6 i këtij ligji parashikon se:
Neni 6
Misioni i Urdhrit të Infermierit
- Urdhri i Infermierit ka si mision ruajtjen e standardeve të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë̈, në ushtrimin e profesionit infermier/e, mami, fizioterapet/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e, nëpërmjet mbikëqyrjes së normave të etikës dhe të Kodit Deontologjik të profesioneve infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e, si dhe mbrojtjes së pacientëve dhe të publikut nga kequshtrimi i profesionit të infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e.
- Në përmbushje të këtij misioni, Urdhri i Infermierit:
- a) kryen regjistrimin e infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e në regjistrin përkatës të këtij urdhri;
- b) mbikëqyr zbatimin e detyrave profesionale, në përputhje me kërkesat e shkencave mjekësorë, rregullat e etikës dhe Kodin Deontologjik;
- c) siguron udhëheqjen etiku-morale e deontologjike të bashkësisë̈ së infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e, pavarësinë e ushtrimit të profesionit dhe mbron interesat moralë të këtij profesioni;
ç) mbron interesat e pacientëve dhe të publikut nga kequshtrimi i mjekësisë dhe shkelja e Kodit Deontologjik Mjekësor nga ana e infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e;
- d) bashkëpunon për zhvillimin e standardeve profesionale, për planifikimin dhe hartimin e programeve të formimit profesional për realizimin e specializimeve të ndryshme dhe të edukimit në vazhdim të infermier/e, mami, fizioterapeft/e, teknik/e laboratori, teknik/e imazherie dhe logopedist/e;
- dh) konfirmon anëtarësinë në Urdhrin e Infermierit, nëpërmjet dhënies së certifikatës së anëtarësimit.
- e) garanton që anëtarët e Urdhrit përmbushin detyrimet e programit të ricertifikimit, të vendosur nga institucioni përkatës.
Siç shihet, ky nen ka parashikuar çdo kërkesë apo pretendim që ngre Ministria e Shëndetësisë, ndaj dhe nuk konstatohet asnjë domosdoshmëri për ri ngritjen e një grupi “hetimor” që duhet të bëjë një punë për të cilën sot përgjigjen institucionet përkatëse, autoriteti i të cilave njihet me ligj. Ndaj, APPA, ri-dërgon dhe një herë thirrjen e saj drejt Ministrisë përkatëse në lidhje me këtë çështje duke ngulmuar jo vetëm në zbatimin e Ligjit, por dhe në mbështetjen që kjo ministri duhet të bëjë ndaj mjekëve dhe infermierëve, të cilët këtë vit kanë qenë pjesë e një historie të gjatë, fundi i së cilës ende nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë .
Referenca:
Top Chanel TV: 5600 infermierë në testim. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit fillon zbatimi i konkursit: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304501
Urdhri i Infermierit. LIGJ Nr.9718, datë 19.4.2007. PëR Urdhrin e Infermierit Në RepublikëN e ShqipëRisë http://www.urdhriinfermierit.org/images/stories/uish/legjislacioni/Ligji-Urdhrin-Infermierit190115.pdf
Urdhri i Infermierit. Rregullorja e Provimit të Shtetit: