![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1-Tirana, kryeqendra e diplomacisë botërore
Gjatë muajit korrik Tirana u vizitua nga Kancelarja gjermane Angela Merkel (i pari kancelar gjerman që viziton zyrtarisht Shqipërinë), nga kreu i Parlamenti Europian Martin Schultz, nga Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland dhe nga ministri i Jashtëm grek Nikolaos Kotzias.
Edhe pse këto mund të jenë vizita normale diplomatike, të programuara me kohë, fakti që përkuan të gjitha brenda një muaji, e bënë Tiranën që të kthehej në qendër të vëmendjes së diplomacisë botërore dhe rajonale.
Vizita zyrtare e Znj. Merkel ishte e rëndësishme për dy arsye. Së pari sepse forcon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë (edhe pse ka tre mandate si Kancelare, Merkel nuk ndërmori asnjë udhëtim për në Shqipëri në të kaluarën) dhe intensifikon procesin e Berlinit, i cili e ka etapën e radhës në Samitin e Vjenës më 28 gusht, një proces i cili synon afrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin, përmes rritjes së lidhjes së ndërsjellët ekonomike, infrastrukturore dhe politike, përpara aderimit të vendeve në Bashkimin Europian.
Ministri Bushati mori me këtë rast një përgjigje indirekte nga Znj. Merkel. Sikurse raportuam muajin e kaluar, ministri kishte përfshirë në axhendën e tij në vizitat zyrtare të zhvilluara jashtë vendit një kërkesë joformale që i bëhej çdo vendi anëtar të BE-së, që të përcaktonte qartë se cilat janë prioritetet që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të çelen negociatat mes saj dhe BE-së për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në familjen e madhe europiane.
E kritikuam këtë nismë sepse nuk prodhoi asnjë rezultat, për faktin se në asnjë rast ministri nuk mori një përgjigje për kërkesën e tij. Dhe së dyti pyetja iu shtrohej interlokutorëve të gabuar, sepse për procesin e anëtarësimit të vendeve që aspirojnë të aderojnë në BE nuk vendosin qeveritë e vendeve anëtare, por institucionet komunitare, sikurse është Komisioni Europian. Ky i fundit, në bazë të së drejtës komunitare (europiane), edhe pse përbëhet nga anëtarë që propozohen nga shtetet anëtare të BE-së, është një institucion i pavarur dhe anëtarët e tij veprojnë për llogari të BE-së dhe jo të qeverive përkatëse, që nga momenti që bëhen pjesë e Komisionit.
Këtë theksoi edhe Merkel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, kur tha se për momentin e çeljeve të negociatave nuk është ajo që vendos por Komisioni. Në këtë e pikë do të ishte e kotë që të vijohej me kërkesat verbale dhe joformale që Shqipëria i paraqet kryeqyteteve të ndryshme europiane gjatë vizitave zyrtare të ministrit tonë të Jashtëm.
Së dyti, njëfarë prioriteti u nxor gjithsesi nga detyrimet që duhet të përmbushë Shqipëria në mënyrë që të çelen negociatat dhe ajo është reforma në drejtësi. Si Merkel, ashtu edhe Nuland e Schultz i mëshuan nevojës për këtë reformë.
Qeveria pati premtuar rreth një vit më parë se reforma do të ishte gati në shtator, por së fundmi Rama e shtyu afatin e përfundimit të procesit rreth tetorit ose nëntorit. Jemi me vonesë.
Sidoqoftë krye parlamentari europian Schultz u shpreh se pritshmëria e qeverisë shqiptare për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në gjysmën e dytë të 2015 është e pamundur edhe pse ai nënvizoi gjithë vullnetin e mirë të PE-së për të dhënë një gjykim pozitiv për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, pa “bekimin” e së cilës, Komisioni nuk i çel dot negociatat. Merkel gjithsesi vuri theksin kryesisht te zbatueshmëria e reformës që do të ndërmerret dhe jo vetëm te bërja e saj në letër.
Ndaj duke parë këtë tablo, zor se çdo çelje e mundshme e negociatave për anëtarësim mund të nisë përpara vitit 2016. Duhet vënë në dukje, se ndryshe nga përfaqësuesit e lartë europiane që vunë theksin te çështjet teknike dhe ekonomike që janë në interes të përbashkët, pala amerikane u përqendrua më tepër te lufta ndaj ekstremizmit dhe dekriminalizimi i politikës që Shqipëria duhet të ndërmarrë.
2- Arti i marrëveshjes, si ta balancojmë “bujarinë” greke
Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikolaos Kotzias në Tiranë shënoi një hap përpara në marrëdhëniet mes dy vendeve. Së pari, pala greke, ndryshe nga qeveria e mëparshme u tërhoq nga pozicioni i ngurtë lidhur me mosmarrëveshjen për sa i takon delimitimit të kufirit detar dhe përcaktimit të shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive mes fqinjëve. Në takimin mes dy ministrave u ra dakord që të ngrihet një komision i posaçëm për ta rishqyrtuar këtë çështje dhe në rast se nuk do të ketë një ujdi, ekziston vullneti që zgjidhja të dalë nëpërmjet mekanizmave që ofron e drejta ndërkombëtare. Kjo dëshmon një reflektim të Greqisë dhe zbatimin e saj të normave të së drejtës ndërkombëtare mbi traktatet, pasi sikurse kemi përmendur në raportet e dy muajve të kaluar, traktati për delimitimin e kufirit detar nuk ishte në fuqi jo vetëm për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, por së pari sepse dy vendet nuk kishin shkëmbyer ratifikimet e traktatit.
Sidoqoftë ky është një progres për Shqipërinë, sepse qeveria “Rama” në këtë mënyrë mori një “koncesion” për këtë kërkesë të saj të kahershme. Një tjetër hap çtensionimi është fakti se edhe pse gjatë qershorit MPJ greke e dënoi me tone të ashpra zgjedhjen e një nënkryetari çam në Parlamentin e Shqipërisë, gjatë vizitës së Kotzias, kjo temë nuk u prek, të paktën në publik. Ka optimizëm edhe sa i përket shfuqizimit të ligjit të luftës me Shqipërinë nga pala greke. Edhe pse nuk e tha shprehimisht, Kotzias nënkuptoi se Greqia nuk ka pse mbetet peng e gabimeve të së shkuarës. Edhe ministri Bushati në një intervistë televizive u shpreh se pret që së shpejti të ketë zhvillime nga ana e Greqisë në këtë aspekt. Me sa duket ka diçka konkrete në “tavë”. Por le të presim për të gjykuar.
Duke qenë se fryma e këtij takimi qe shumë më miqësore dhe premtuese se ajo që karakterizoi vizitën e Venizellosit në Tiranë rreth një vit e ca më parë, nuk u prek as çështja “çame”, pra pranimi i gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, e cila njihet zyrtarisht nga Shqipëria edhe përmes një rezolute të Parlamentit dhe pa pranimin e së cilës nga ana greke, marrëdhëniet mes vendeve do të vazhdojnë të karakterizohen nga skepticizma dhe paragjykime historike. Sigurisht nuk është mbase e udhës që në këtë moment Shqipëria të këmbëngulë shumë mbi të, duke qenë se në lojë janë çështje më konkrete, por në varësi nëse gjërat për të cilat është rënë dakord në parim do të sjellin produkte pozitive ose jo, karta e gjenocidit “çam” është një mjet i fortë presioni që Shqipëria mund të përdorë nëse fryma e solidaritetit në dukje, befas shndërrohet në një frymë të rreme dhe dashakeqe. Me këtë s’duam të themi se Shqipëria duhet të heqë dorë nga kursi diplomatik dhe papritur t’i përvishet toneve të marra nacionaliste. Por pa dashur të jemi paragjykues, gjithë kjo “mirësi” e papritur sikur përngjan ca me një “Kalë Troje”. E themi këtë sepse ekziston rreziku që përbri përshtypjes së krijuar se Greqia po tregohet shumë “dorëlëshuar” dhe altruiste, të qëndrojë një taktikë e mirë llogaritur diplomatike e helenëve. Dardha e ka bishtin prapa. Pra meqë Greqia po bën kaq “shumë” për Shqipërinë (premtoi madje se me kalimin e një kohe jo shumë të largët mund të njohë edhe Kosovën), duhet që edhe vendi unë të lëshojë pak pe (ky pe mund të jetë kufiri detar!), fundja arti i marrëveshjes qëndron pikërisht në faktin që rruga e mesme gjehet kur palët lëvizin nga pozicionet e tyre të mëparshme. Deri tani Greqia ka lëvizur, Shqipëria ende jo. Por për të kërcyer tangon duhen dy partnerë…
Kështu që karta “çame” në tërësi (përfshirë edhe pranimin e gjenocidit dhe jo vetëm pronat), ashtu sikurse fakti që Kishën Autoqefale Shqiptare e drejton një grek, janë gurë shahu që duhen luajtur pikërisht për të balancuar idenë e rreme se Greqia po i bën shumë koncesione Shqipërisë. Këto karta mund të luhen në momentin e duhur, në bisedimet private mes palëve dhe jo domosdoshmërisht në publik, ku mund të shndërroheshin në “bumerang”. Ato mund t’ia ulnin disi stekën Kotziasit.
Nga ana tjetër, ky i fundit në Tiranë lakoi se sa shumë ka bërë Greqia për emigrantët shqiptarë. Edhe kjo hyn në suazën e krijimit të ndjenjës së fajit. Pra duhet t’iu jemi mirënjohës grekëve dhe t’u falim një copëz shelf kontinental për këtë. Do ishte e udhës që përballë deklaratash të tilla, kur bëhen në publik, edhe pala shqiptare të nënvizonte kontributin e madh të punëtorëve shqiptarë në ekonominë greke (të mos harrojmë kush i ndërtoi të gjitha impiantet e Lojërave Olimpike Athinë 2004). Në mënyrë që të mos krijohet një disbalancë dhe gjendje inferioriteti që e ri ngre automatikisht stekën greke. Ndaj kësaj deklarate duhej të kishte reaguar ministri Bushati dhe jo për “Dimitrin”, ajo është çikërrimë!
Te libri i tij i famshëm “Diplomacia”, në një ndër takimet e para që pati Kissinger me Mao Tse Tung në fillesat e afrimit Kinë-Amerikë, ky i fundit i tha: “E sheh sa e lehtë është të më kesh shok mua!”. Kissingeri e interpretoi menjëherë si një kërcënim të koduar që nënkuptonte: “Më mirë mos bë gafë të tentosh të ma punosh”. Ky leksion është aktual edhe sot.
3-Efektet e para të ligjit për shërbimin e jashtëm
Në datën 22 korrik u njoftua se presidenti i Republikës dekretoi emërimin e Bardhyl Canaj si ambasador i Shqipërisë në Izrael. Ky emërim ishte bërë që në fillim të vitit nga kryeministri, por asokohe presidenti e bllokoi dekretimin e tij. Në raportet tona të fillimit të vitit nuk kanë munguar analizat mbi këtë situatë. Presidenti i Republikës ka reflektuar mbi qëndrimin e tij joligjor të mos dekretimit me argumentimin se qeveria ishte e detyruar të bënte konsultime paraprake me të lidhur me emërimet dhe e ka dekretuar ambasadorin. Nga një vëzhgim i jetëshkrimit të ambasadorit, në bazë të ligjit të vjetër që përmbante një hierarki të rreptë kushtesh për të qenë ambasador, Z. Canaj nuk do to t’i përmbushte kriteret, duke qenë se në karrierën e tij diplomatike ka qenë vetëm Sekretar i Parë në Egjipt dhe atashe në ambasadën izraeliane. Por me ligjin e ri tepër të përfolur, që lë vend për mjaft subjektivizma, ku duhet provuar se kandidati është marrë me marrëdhëniet ndërkombëtare të paktën në 10 vitet e fundit (provimin e kësaj e bën po vetëm ministria që e ka propozuar (!)), Z. Canaj është në rregull. Ky është rasti i dytë që me hyrjen në fuqi të ligjit, pas dekretimit të Fatos Rekës ambasador në Maqedoni, ku mund të konstatohet prirja e qeverisë për të emëruar ambasadorë mbi kritere preferenciale dhe jo profesionale. Por ndryshe nga Z. Reka, që të paktën mban gradën diplomatike Ministër Këshilltar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përvojën diplomatike të Z. Canaj. Me emërimin e tij u vërtetua më së miri ajo që ne i druheshim, pra që duke interpretuar në vija të përgjithshme dhe subjektive se dikush është marrë me marrëdhënie ndërkombëtare 10 vitet e fundit, kjo do të mjaftonte që personi në fjalë të emërohej ambasador. Por të marrit me marrëdhënie ndërkombëtare jo domosdoshmërisht të bën diplomat apo ambasador. Një profesor i së drejtës ndërkombëtare për shembull, pavarësisht njohjes së mirë të fushës, ka prirje akademike dhe jo manaxheriale apo diplomatike, sikurse mund të ketë një ambasador. E pra këto cilësi “gatuhen” në gjirin e shërbimit të jashtëm dhe nëpër selitë diplomatike dhe jo në “marrëdhëniet ndërkombëtare”, që janë një koncept shumë më i gjerë dhe fare pak i profilizuar. Çka e bën fare të qartë tashmë se përse u përfshi në ligj nxitimthi nga MPJ pa asnjë konsultë me ekspertët dhe grupet e interesit.
Referenca :
Artikull, “Martin Schulz: Bëni reformën në drejtësi, vendimtare për negociatat”, Top Channel, 13/07/2015. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304122#k1
Artikull, “Tirane-Athine, sinjale shtensionimi”, Zeri i Amerikes, 15/07/2015.
http://www.zeriamerikes.com/content/article/2862257.html
Artikull, “Kufiri detar, Shqipëri-Greqi ngrenë komision me ekspertë”, shqiptarja.com, 15.07.2015. http://shqiptarja.com/home/1/kotzias-nga-tirana-greqia-me-fat-q–ka-emigrant–si-shqiptar-t-304701.html
Artikull, “Dekretohet ambasadori i bllokuar, Nishani firmos edhe për diplomatin shqiptar në Izrael”, Top Channel, 22.07.2015. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=304720#k1
Lajm, Ministri Bushati pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Nikolaos Kotzias, MPJ, 15.07.2015. http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/ministri-bushati-pret-ne-takim-ministrin-e-puneve-te-jashtme-te-greqise-z-nikolaos-kotzias1437045614&page=1
Intervistë, Intervistë e Ministrit Bushati për Top Channel, MPJ, 16.07.2015. http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/intervista-shkrime/interviste-e-ministrit-bushati-per-top-channel&page=1
Artikull, Çështja çame, Venizelos: Nuk e njoh. Bushati: Ka ardhur momenti që ta shohim realitetin në sy, Gazeta Dita, 13.10.2013. http://www.gazetadita.al/ceshtja-came-venizelos-nuk-e-njoh-bushati-ta-shohim-realitetin-ne-sy/
Artikull, “JO” azilkërkuesve ekonomikë nga Shqipëria, “PO” punëtorëve të kualifikuar, DeutscheËelle, 08.07.2015. http://www.dw.com/sq/jo-azilk%C3%ABrkuesve-ekonomik%C3%AB-nga-shqip%C3%ABria-po-pun%C3%ABtor%C3%ABve-t%C3%AB-kualifikuar/a-18571664
Artikull, Nuland në Tiranë, rëndësi lufta ndaj ekstremizmit, Zeri i Amerikes, 13.07.2015. http://www.zeriamerikes.com/content/nuland-albania-voa/2859537.html
Procesverbal, Seancë dëgjimore, Komisioni për Politikën e Jashtme i Parlamentit, 09.02.2015. http://www.parlament.al/web/pub/procesverbali_09_02_2015_21497_1.pdf
Raporte, APPA, 2015. https://appa.brentonkotorri.com/category/ministria-e-puneve-te-jashtme/