1-Trafikimi i qenieve njerëzore
Këtë muaj u publikua raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit titulluar ‘’Trafficking in Persons Report 2015’’ , një analizë e përvitshme që vlerëson ecurinë e vendeve të ndryshme të botës në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Megjithëse Shqipëria nuk mund të konsiderohet më një vend në tranzicion, tashmë 25 vite pas rënies së regjimit komunist, fenomeni i trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht ndërmjet fëmijëve dhe grave është ende mjaft i pranishëm në të gjithë format e tij, duke përfshirë trafikimin për qëllime seksuale dhe shfrytëzim për qëllime ekonomike. Qysh në fillim të raportit identifikohet një prej problemeve kyçe që pengon zbatimin e ligjit në këtë fushë. Më në detaje: ‘’Korrupsioni dhe normat e larta të fitimit brenda forcës policore pengojnë aksione ligjzbatuese për të adresuar problemin e trafikimit. Bashkëfajësia zyrtarë në krimet trafikuese mbetet një shqetësim i konsiderueshëm. Një anëtar i Parlamentit ka pasur dënime të mëparshme për krime që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore.’’
Me gjithë vlerësimet për rritjen e numrit të personave të kapur dhe dënuar për krime të tilla si edhe përmirësime në terma sasiorë që prej vitit 2013 të punës së Koordinatorit Kombëtar Antitrafik, çështje thelbësisht problematike si korrupsioni ndër forcat e policisë dhe përfaqësimi në instancat më të larta të shtetit shqiptar, si parlamenti, i qytetarëve nga persona me precedentë kriminalë që lidhen me trafikimin e cenojnë besimin se përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes strukturave të saj për të luftuar fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore janë substanciale. Për më tepër sipas raportit ‘’Qeveria shqiptare nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit’’, një vlerësim ky që qëndron për raportet e tre viteve të fundit (2013, 2014, 2015).
Megjithatë, në një notë pozitive, është për tu vlerësuar publikimi i planit të detajuar të aktiviteteve që lidhen me adresimin e fenomenit, duke filluar nga muaji korrik deri në dhjetor të vitit 2015. Këto aktivitete përfshijnë forume të ndryshme diskutimi, kampe verore, takime për analiza 6 mujore të ecurisë së luftës kundër trafikimit dhe iniciativa të tjera me karakter social dhe ekonomik që përfshijnë një gamë të gjerë aktorësh që preken nga fenomeni.
Strategjia e luftës kundër trafikimit të personave 2014-2017 adreson një sërë aspektesh të fenomenit që prej parandalimit tek mbrojtja e viktimave të trafikimit në bashkëpunim më aktorë të tjerë jo shtetërore dhe ndërkombëtarë. Megjithatë fokusi i tepruar tek trajnimet (e forcave policore, gjykatësve, punonjësve socialë etj.) i Planit të Veprimit nuk adreson disa nga çështjet e identifikuara në Raportin e Departamentit të Shtetit, pra korrupsionin në nivele të larta dhe ndër punonjësit e policisë që pengojnë në mënyrë të konsiderueshme luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, një vend i cili ende mbetet burim dhe destinacion i trafikimit të personave.
2-Radikalizmi fetar – një shqetësim në rritje
Një prej fenomeneve që po merr rëndësi parësore muajt e fundit në Shqipëri është radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri me raporte nga Ministria e Punëve të Brendshme se rreth 150 shtetas shqiptar i janë bashkuar Shtetit Islamik (IS) dhe luftës në Siri, që prej shpërthimit të saj në periudhën 2011-2012. Ndërkohë që Ministri i Brendshëm, Z. Tahiri, merr pjesë aktive nëpër konferenca kombëtare, rajonale e ndërkombëtare dhe letra falenderimi nga Sekretari Amerikan i Shtetit për rolin e shtetit shqiptar në parandalimin e radikalizmit fetar, shtetas shqiptarë vijojnë të procedohen penalisht në Shqipëri për përfshirjen e tyre dhe të tjerë shtetas shqiptarë vijojnë të vdesin në arenën e luftës. Këto nuk krijojnë pasoja vetëm për individët e përfshirë por edhe për familjarët e tyre, të cilët shpesh e në mënyrë të pavullnetshme janë tërhequr pas duke krijuar pasiguri dhe frikë për të ardhmen e tyre.
Në një studim të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, vihet në dukje mungesa e përgatitjes të shtetit shqiptar dhe të segmenteve të tjera të shoqërisë për tu përballur me këtë fenomen dhe për të gjetur përgjigjet e duhura ndaj tij. Ndër rekomandimet e dhëna në studim veçohet ‘’Përdorimi i dhunës, përndjekja dhe keqtrajtimi i qytetarëve nga organet e zbatimit të ligjit provokon ndjenja hakmarrje ndaj tyre dhe lehtëson mundësinë e mbështetjen së grupeve të ekstremizmit të dhunshëm. Prandaj është e nevojshme që personeli i këtyre agjencive ligjzbatuese të marrë trajnimin e nevojshëm për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe parandalimin e situatave të tilla. Në të njëjtën kohë përmes programeve edukuese civile duhen informuar qytetarët mbi të drejtat e tyre sie dhe të promovohet policimi në komunitet’’.
3-Transparencë e munguar
Në kuadër të programit të transparencës dhe informimit të publikut (seksion që në faqen zyrtare të ministrisë është në mënyrë të përsëritur i pa përditësuar dhe i pa aksesueshëm) Ministria e Punëve të Brendshme publikon çdo muaj një buletin Informativ, ku parashtrohet analiza e punës së kësaj ministrie në periudhën 1 mujore. Grafikisht raporti është mjaft mirë i shkruar dhe përgatitur dhe analizohen pothuajse të gjithë elementët e punës së kësaj ministrie dhe institucioneve të tjera në varësi të saj, për fushat që mbulohen nga ky institucion. Megjithatë, është për tu shënuar se në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme mungojnë Raportet e punës së saj për muajin Qershor, ndërkohë që po afron fundi i muajit korrik. Ndoshta kjo neglizhencë vjen si rrjedhojë e periudhës së ngarkuar të zgjedhjeve dhe aktivitetet e shumta që zhvilloheshin në kuadër të tyre. Duhet parë nëse ministria do të vijojë me traditën e mirë të raportimit mbi punën e saj (qoftë kjo edhe thjesht paraqitje grafike e sukseseve të kësaj të fundit) apo do të lihet pas dore sikurse janë lënë pas dore edhe iniciativa të tjera të ndërmarra që prej ardhjes në pushtet të kësaj qeverie.
4- Një tjetër asistencë për luftën kundër krimit të organizuar
Në fillim të muajit u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit. Marrëveshja do të konsistojë në një asistencë prej 7 778 000 $ nga ana e Shteteve të Bashkuara për të asistuar Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe drejtësinë penale. Disa nga synimet e marrëveshjes përfshijnë zhvillimin e sistemit të drejtësisë penale përmes legjislacionit të përmirësuar dhe rishikimit të kuadrit normativ dhe rritje e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në drejtësinë penale.
Ndërkohë që çdo asistencë dhe ndarje ekspertize është e domosdoshme dhe mirëpritur për përmirësimin e punës së institucioneve shtetërore shqiptare, nuk mund të mos pyesim veten se si një vend demokratik prej 25 vitesh tashmë ende ka nevojë për asistencë të huaj thelbësore në adresimin e sfidave të tij, veçanërisht në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për më tepër një vend që synon dhe mendon se meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, që përpiqet të eksportojë modelin e tij të mirëqeverisjes në vende të tjera.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online: www.punetebrendshme.gov.al
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. 2015. Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri.
Ministria e Punëve të Brendshme. Koordinatori Kombëtar Antitrafik.
U.S. Department of State. Trafficking in Persons Report. July 2015. Online:
http://www.state.gov/documents/organization/245365.pdf
U.S. Department of State. Trafficking in Persons Report. July 2014. Online:
http://www.state.gov/documents/organization/226845.pdf
U.S Department of State. Trafficking in Persons Report. July 2013. Online:
http://www.state.gov/documents/organization/210738.pdf
Vendim 814 date 26.11.2014. Strategjia e luftës kundër trafikimit të personave – Plani i Veprimit 2014 – 2017. Online: http://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2014/06/L3-Strategjia-e-Luftes-kunder-TRafikimit-te-Personave-Plani-i-Veprimit-2014-2017.doc