![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
1- Lajme të mira për aviacionin ushtarak
Një pjesë e mirë e raporteve të shkuara, veçanërisht ai i muajit maj janë fokusuar tek pagat që marrin ata që shërbejnë në Forcat e Armatosura shqiptare, duke ngritur kështu problematikën e pagave të ulëta. Këtë muaj një Vendim i Këshillit të Ministrave, numër 613 datë 7.7.2015 ‘’Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 839 datë 11.12.2003 të Këshillit të Ministrave për pagat e ushtarakëve aktivë të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar, realizohet shtesa në pagën e ushtarakëve aktivë fluturues në masa të ndryshme për funksione të ndryshme brenda forcave të armatosura të aviacionit ushtarak.
Duhet përgëzuar ky vendim për dy arsye kryesore. Së pari, për faktin që qeveria njeh nevojën për adresimin e çështjes së pagave për këtë kategori të administratës publike dhe së dyti për masën e shtesës që është e konsiderueshme duke pasur parasysh kushtet e Shqipërisë.
Masën më të madhe të shtesës e përfitojnë pilotët e skuadronit dhe grupeve të helikopterëve në Bazën Ajrore Farkë (40 000 leke). Shtesa në pagë e pjesës tjetër të kësaj pjese të forcave të armatosura, duke filluar nga inxhinierët e fluturimit e deri te teknikët e avionit/helikopterit përfitojnë sipas funksionit por edhe bazës ku shërbejnë një shtesë nga 10 000 lekë deri në 280 000 lekë (përveç pagës bazë të përfituar prej tyre).
Mbetet për tu parë si do të implementohet ky vendim që ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, duke iu referuar sërish tematikës së trajtuar prej muajsh për pagat e ushtarakëve do të shtronim pyetjen: Nëse vendimi për shtesë është marrë për këtë kategori përse jo një shtesë për pjesën tjetër të Forcave të Armatosura shqiptare, si forca tokësore dhe ajo detare? Znj. Kodheli shpesh ka theksuar rikthimin e dinjitetit të munguar prej vitesh për ushtarakët shqiptarë dhe me këtë vendim ndoshta ka ardhur koha të adresohet edhe dinjiteti i pjesës së mbetur që i shërben këtij vendi sikurse edhe forcat ushtarake ajrore.
2-Më në fund me strategji të re ushtarake
Pa hyrë në thelbin dhe përmbajtjen e strategjisë ushtarake miratuar në parlament këtë muaj (pararendësja e saj daton në vitin 2007), ajo që bëri përshtypje ishte një ‘’mini-skandal’’ në lidhje me fjalën hyrëse të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Jeronim Bazo, e cila ngjason në pjesën më të madhe të saj me fjalimin e pararendësit të tij publikuar në vitin 2013. Fakti u dënua në gazetën e përditshme Panorama nga këshilltari për mbrojtjen i Presidentit të Republikës. Megjithatë, kjo nuk është pjesa më shqetësuese e kësaj strategjie të re ushtarake.
Një nga parimet kryesore të sistemeve demokratike është transparenca dhe llogaridhënia. Këto të dyja arrihen ndër të tjera përmes hartimit të politikave publike të hapura për influencën e grupeve të ndryshme të interesit nga përgatitja e politikave deri te implementimi i tyre në praktikë. Sipas fjalës së Znj. Kodheli në Parlament në datë 9 korrik kur edhe u kërkua miratimi i saj, ‘’procesi ka qenë gjithëpërfshirës si në aspektin e referencave edhe në aspektin e pjesëmarrjes aktive të individëve dhe strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura…’’ më tej në fund të fjalimit të saj Znj. Kodheli shprehet se ‘’ hartimi i Strategjisë Ushtarake është bazuar në ekspertizën më të mirë, duke përfshirë në grupin e punës për hartimin e tij komandantë, oficerë shtabi, ushtarakë pjesëmarrës në operacione kombëtare dhe ndërkombëtare, stafe akademike të institucioneve arsimore dhe studimore të Forcave të Armatosura, agjenci qeveritare, joqeveritare dhe grupe të interesit jashtë strukturave të Forcave të Armatosura’’.
Për hir të transparencës dhe përgjigjes ndaj akuzave që vijnë prej institucionit të Presidentit do të donim të kërkonim nga institucioni në fjalë një listë të plotë të individëve dhe grupeve të interesit siç i referohet Znj. Kodheli, që kanë marrë pjesë aktive në procesin e hartimit të këtij dokumenti. Gjithashtu do të ishte me mjaft vlerë për publikun e interesuar të ketë më tepër informacion mbi kontributin konkret të këtyre të fundit në formësimin përfundimtar të dokumentit.
Referenca:
Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë numër 122. 16 korrik 2015. Online:
http:/www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/122-2015.pdf
Ministria e Mbrojtjes. Faqja zyrtare. Online: www.mod.gov.al
Ministria e Mbrojtjes. 2015. Strategjia Ushtarake e Republikës së Shqipërisë. Online: http://www.parlament.al/previeëdoc.php?file_id=22511
Gazeta Panorama. 12 qershor 2015. Skandal! Strategjia Ushtarake 2015 plagjiature. Online: http://www.panorama.com.al/skandal-strategjia-ushtarake-2015-plagjiature/
Ministria e Mbrojtjes. 9 korrik 2015. Fjala e ministres së mbrojtjes në seancën parlamentare për miratimin e Strategjisë Ushtarake. Online: http://www.mod.gov.al/index.php/newsroom-2/fjalime-te-ministrit/1223-fjala-e-ministres-se-mbrojtjes-kodheli-ne-seancen-parlamentare-per-strategjine-ushtarake