1-Paratë “lumë” por efekti në ekonomi është zero
Edhe muaji korrik ka qenë një nga muajt plot vrull investimesh të raportuara nga MEI me shifra marramendëse të cilat lehtësisht turbullojnë mendjet e çdo qytetari shqiptar në rast se do të arrinte dot t’i mblidhte në një faturë të vetme këto shifra.
Mjafton të përmendim dy evente, grantin e dhënë nga Qeveria Italiane prej 16.5 milion Eurosh në kuadrin e një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar vitin e kaluar, me qëllim përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Himarë dhe Sarandë.
Dhe së dyti, në Spitallë të Durrësit ka nisur investimi në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, projekt i cili kap një vlerë prej 4.4 miliard lekë të vjetra dhe do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për mbi 2500 abonentë familjarë e biznese.
Por kjo s’do të thotë që për këtë muaj shifrat përfundojnë këtu. Në fakt nëse shikojmë historikun e kësaj ministrie vihet re mjaft lehtë se ka një qarkullim të mirë të parasë dhe me shuma gjithnjë mes 7 dhe 8 shifrave, ndonjëherë edhe 9.
Në vetvete ky aktivitet financiar mjaft energjik i MEI nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi mezi presim të shijojmë cilësinë e përmirësuar të energjisë së transmetuar por shqetësues mbetet fakti se në shumicën e rasteve këto para janë grante dhe borxhe të cilat duhen kthyer. Në mënyrë të drejtpërdrejtë këto llogari ndikojnë në borxhin rritës të vendit dhe njëkohësisht në rritjen e faturës së borxheve që i kemi botës. Ajo që do të ndodhë në fund pasi këto shuma të shpenzohen për qëllimet të cilat janë marrë, do të jetë një rritje e barrës tek qytetarët dhe bizneset, sepse borxhet duhen shlyer sipas kontratave.
Së fundmi ajo që bën çudi në terma ekonomik është se si shifra të tilla të cilat janë injeksione dhe jo fort të vogla në ekonominë shqiptare nuk po kanë “nduk”. Të gjitha këto borxhe që po kthehen dhe do të kthehen në investime në sektorin energjetik nuk po japin pothuajse asnjë efekt pozitiv në ekonomi. Vallë kujt i shkojnë të gjitha ato para të huaja? Po paratë e shqiptarëve të arkëtuara pse s’po i ndjejmë në ekonomi?
2- Kur edhe i yti të sheh si të huajt
Në fjalimin e tij, Ministri Gjiknuri shprehu disa arritje dhe pakënaqësi sidomos ndaj opozitës. Megjithatë në vija të përgjithshme ai u përpoq të japë idenë se stabiliteti dhe besueshmëria në sektorin energjetik janë kthyer, duke përmendur këtu shifrat e arkëtimeve të viteve të kaluara dhe atyre të vitit 2015 si dhe shifra marramendëse investimesh nga qeveria dhe privatët.
Në këtë pikë Ministri mbase harron se këto shifra do të shihen akoma më mirë në vitet në vijim, për shkak të grumbullimit deri diku me “dhunë” të parave dhe borxheve të prapambetura.
Krenarisht ai krahason në Janar-Qershor 2013, qeverisjen e Partisë Demokratike kishte vlerën e arkëtimit të energjisë 18,87 miliard lekë. Ndërkaq, në Janar-Qershor 2015, niveli i arkëtimeve të faturave ka arritur në 34,34 miliard lekë. Pra, janë afro 82% më shumë para të arkëtuara për të njëjtën periudhë krahasimore mes dy viteve.
Kjo ka ardhur për shkak të masave të marra, politikave të ndjekura dhe një elementi shumë të rëndësishëm, që çmimi mesatar i energjisë, përkundër asaj që ju deklaroni është ulur nga 9.7 lekë/kilovat në 9.5 lekë/kilovat. Pra, sërish krenarisht ministri evidenton se nuk është çmimi por politikat më të mira, incentivat për mbledhjen e borxhit të vjetër, efikasiteti në administrimin e kompanisë, ato që kanë bërë të mundur rritjen me 82% të arkëtimeve.
Parë me sytë e Ministrit dhe të institucioneve ndërkombëtare, realiteti është krejt ndryshe dhe shifrat flasin vetë, mjafton të kemi parasysh këtu disa shifra të thjeshta të cilat kanë bërë të mundur rikthimin e besimit tek sektori elektroenergjitik, brenda 4-5 vitesh të investohen nga sektori publik 420 milion USD dhe 500-600 milion USD të tjera të cilat janë në linjë për tu investuar në sektor nga privatët
Jo gjithmonë lupa e huaj e ka parë realitetin ashtu siç është në Shqipëri, dhe kjo i duhet kujtuar çdo politikani që tenton t’i “shesë” popullit shifrat që vetë ata i shesin ndërkombëtareve për arritje.
Referenca:
http://acp.al/news/1126/Shqiperia-e-18-a-ne-Europe-per-borxhin-me-te-larte/
http://acp.al/news/1120/Nis-investimi-40-milione-dollare-ne-rrjetin-e-shperndarjes-ne-Spitalle/
http://acp.al/news/1116/Brenda-2020-es-Shqiperia-do-te-jete-pjese-e-rrjetit-rajonal-te-energjise/
http://acp.al/news/1129/Ndihme-16.5-milione-euro-nga-Italia-per-sistemin-energjetik