![Elena Pici](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici
1- Projektligje të reja dhe reforma në drejtësi
“Zvarritjet e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave do të mbyllen përfundimisht brenda një periudhe 10-vjeçare”. Kjo ishte deklarata e guximshme e Ministrit Naço gjatë prezantimit të projektligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” gjatë muajit Korrik 2015. Qeveria pretendon se gjatë 22 muaj qeverisje Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, përmes asistencës dhe mbështetjes së Këshillit të Evropës dhe ekspertëve të Bankës Botërore ka hartuar bazat e kësaj reforme të rëndësishme.
Ndër risitë që pritet nga reforma është Fondi i Kompensimit Financiar, i cili do të jetë rreth 20-fish më i lartë se më parë. Me këtë ritëm, Ministri Naço tha se ligji do të parashikojë afatin 10-vjeçar për përfundimin e likuidimit të të gjitha vendimeve të kompensimit.
Megjithatë, jo gjithçka duket kaq e favorshme nga ana e opozitës, e cila ka ngritur një grup të veçantë pune për të shqyrtuar këtë projektligj. Deputetja Jorida Tabaku shprehet me shumë tone kritike ndaj projektligjit, të cilin ajo shprehet se partia e saj do ta çonte në Gjykatë Kushtetuese. Ndër pikat më kritike gjatë një interviste të dhënë në ABC news ajo shprehet se janë: klasifikimi i pronave para dhe pas 1976, pretendimi i Kryeministrit që pronarët t’i kthejnë diçka shtetit, meqenëse ky i fundit u ka rritur vlerën pronave të tyre, nuk lejon ankimimet në gjykatë dhe i konsideron përfundimtare vendimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe mbi të gjitha ky ligj zhvlerëson pronën e pronarëve. Mbetet për t’u parë ecuria e projektligjit gjatë konsultimeve me grupet e interesit.
Një tjetër projektligj i prezantuar dhe miratuar në parim këtë muaj, ka qenë ai “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”
Dy nga risitë kryesore janë: marrja e masave shtesë edhe pa vendim gjykate, por drejtpërdrejtë nga Ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm, për të burgosurit ndaj të cilëve konstatohen qëllime kriminale dhe krijimi i burgjeve të hapura, me qëllim përmirësimin e funksionit të rehabilitimit social të të burgosurve. Në të tilla burgje, të burgosurit do të lejohen që gjatë ditës të shkojnë në punë, por të jenë të mbikëqyrur dhe me përfundimin e punës të kthehen në qelitë e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, deri mëngjesin tjetër të punës.
Në përfundim të aspekteve legjislative që lidhen me Ministrinë, megjithëse jo drejtpërsëdrejti si iniciatore në këtë rast, gjatë muajit Korrik, Parlamenti miratoi krijimin e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. Ky i fundit do të përbehet nga 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, ku kryetari Fatmir Xhafaj, ne rast balotazhi votash, do të ketë një votë më shumë. Kjo është një reformë kyçe për hapjen e negociatave të integrimit në BE, për të cilat Kryeministri ka premtuar hapjen në Shtator 2015. Ndërkohë, Ministri Naço nga ana tjetër, premtoi dorëzimin në parlament të kësaj reforme në Tetor 2015.
2- Përmirësime në infrastrukturë
Gjatë muajit Korrik janë përuruar 13 salla të reja të gjykimit dhe hapësirave shtesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë. Investimi prej rreth 340 milion lekë, nga buxheti i shtetit, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efektivitetit në Gjykatën e Tiranës.
Ministri Naço u shpreh se: “Shtimi i sallave të gjykimit do të evitojë maksimalisht praktikën jo normale të zhvillimit të proceseve gjyqësore në zyrat e gjyqtarëve, që në rasti konkret përfshijnë 80 të tille. Përmirësimi i infrastrukturës, i shoqëruar dhe me ndryshimet e mëtejshme ligjore do të sjellë rritjen e aksesit të publikut në proces duke respektuar parimet proceduralë, garantimin e solemnitetit gjatë procesit gjyqësor, forcimin e mekanizmave të kontrollit, arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare”.
Ndërkohë, objektivi i ardhshëm I këtij institucioni në partnership me USAID, mbetet që sistemi i regjistrimit audio të plotësohet edhe me sistem video, në mënyrë që jo vetëm të dëgjohet se çfarë thuhet, por edhe të shihet se si zhvillohet një seancë gjyqësore, duke bërë të mundur shmangien e çdo sjelljeje jo etike dhe rritjen e solemnitetit brenda një seance gjyqësor
Referenca:
Gazeta Panorama. Korrik 2015. Projektligji: Qeveria “hap burgjet” për te denuarit.
Gazeta Tema. Korrik 2015. Reforma ne drejtesi.
Ministria e Drejtesise. Korrik 2015. Prezantohet projektligji për trajtimin e prones.
Ministria e Drejtesise. Korrik 2015. Perurohen sallat e reja te gjykimit http://www.drejtesia.gov.al/al/newsroom/lajme/perurohen-13-salla-te-reja-gjykimi-ne-gjykaten-e-rrethit-gjyqesor-tirane&page=1