![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/Adela-240x300.jpg)
Adela Danaj
1-Dyshimi nuk është mëkat!
Në kuadër të hartimit të raporteve me karakter analizues por në disa raste dhe investigues, APPA, synon të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie, ekzekutivit Shqiptar, si një ndër format e zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë në vendin tonë. Gjatë aktivitetit të saj të deritanishëm ka evidentuar disa raste ku është shkelur ligji, janë bërë kompromise në kurriz të tij apo devijime të tjera dhe këto raste nuk kanë qenë të pakta në numër, aq sa gati-gati, mund të konsiderohet fatkeqësi që në shtatë muaj raportime lajmet me tone pozitive thuajse kanë qenë inekzistente. Mirë po, Ministria e Bujqësisë Administrimit të Ujerave dhe Zhvillimit Rural, duket se po e prish profecinë.
Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga kjo Ministri, në gjashtë muajt e parë të vitit 2015, eksportet bujqësore janë rritur ndjeshëm krahasuar më një vit më parë. Sigurisht, një lajm i kësaj natyre, në një kohë ku dita-ditës, besimi se gjërat “do të marrin për mirë” duket po aq e vjetër dhe e pamundur sa “ëndrra Evropiane”, sinjalizon ndezjen e dritës jeshile të paktën për sektorin bujqësor. Ministria në fjalë raporton këto shifra:
- Qarku i Beratit: Vëllimi total i eksporteve bujqësore në fund të këtij gjashtëmujori ishte 21703 ton produkt, krahasuar me 10455 ton të një viti më parë, duke shënuar një dyfishim të eksporteve.
- Në Lushnje: nëpër dogana kanë kaluar për eksport 36023 ton prodhime bujqësore, krahasuar me 18909 ton të një viti më parë.
- Në qarqet Fier, Vlorë, Berat , prodhimi i grurit po ashtu është më i madh se I një viti më parë.
- Në Elbasan: 40134 ton grurë i prodhuar, krahasuar me 36400 ton të një viti më parë.
Një tjetër lajm i mirë lidhet dhe me eksportin e vezëve të freskëta drejt vendeve të BE-së, pas certifikimit ISO të disa prej kompanive Shqiptare.
Ky ka qenë një nga lajmet kryesore te raportuara dhe në faqe të ndryshme të medias audio-vizive apo të shkruar në lidhje me aktivitetin e kësaj ministrie, që do të thotë se lajmi në vetvete mund të jetë një lajm i verifikuar në disa burime dhe ne mund të besojmë më lehtë mbi vërtetësinë e tij. Megjithatë dhe nëse ngremë shpesh dyshime mbi lajme të kësaj natyre, nuk bëjmë mëkat!
2- Merr “jetë” skema SARED
Në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në kuadër të skemës së granteve të programit SARED të bashkëfinancuar nga Qeveria e Gjermanisë dhe qeveria e Danimarkës dhe zbatuar nga MBZHRAU dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH, firmosën 13 kontratat e para me përfituesit e granteve për investime në ferma dhe në agropërpunim. Ky është një nga lajmet që na vjen në formë zyrtare nga kjo ministri.
Ministria raporton më tej ku pohon se përfituesit e drejtpërdrejtë janë aplikantët fitues nga zonat e thella rurale të Shqipërisë, nga gjashtë qarqet që mbështet projekti SARED: Shkodra, Kukësi, Dibra, Elbasani, Berati dhe Korça. Një nga përparësitë e këtyre skemave është mbështetja për gratë dhe sipërmarrësit e rinj. APPA, e ka prekur dhe më pare këtë çështje ku ka kërkuar më tepër transparencë në lidhje me procesin e aplikimit apo akoma më shumë në lidhje me kushtet që duhet të përmbushin aplikantët e më pas fituesit e granteve të vëna në dispozicion.
Kujtojmë që ministria thekson se aplikimet e shpallura fituese vijnë nga zona të thella rurale, por nuk pohon në asnjë moment se këta aplikantë mund të jenë trajnuar paraprakisht për realizimin e aplikimit, pasi në lojë është një shifër e konsiderueshme parash e cila do të shpërndahet në formë grantesh.
Por, në lidhje me këtë kërkesë, ministria është mjaftuar vetëm me njoftimin: Thirrja e parë për aplikim u hap më 17 prill 2015 dhe deri më sot janë dorëzuar 41 aplikime me një volum investimesh prej 930,000 Euro, nga të cilat 604,000 Euro janë në formën e granteve për përfituesit. Nga totali prej 41 aplikantësh deri më tani, 5 janë gra (4 nga Korça dhe 1 nga Elbasani). Siç mund të konstatohet nuk jepet asnjë e dhënë në lidhje me formën e aplikimit, ku mund të gjendet ajo, cila është data e fundit e pranimit të këtyre aplikimeve, cilat janë kriteret për aplikim, cili është grupi i punës që do të merret me procesin, etj.
Gjithashtu, ministria raporton se janë nënshkruar 13 kontratat e para, me një vlerë investimi prej rreth 270,000,- Euro nga e cila rreth 180,000 Euro fermerët dhe agropërpunuesit e përfitojnë si grant. Për hir të së vërtetës këto janë shifra të konsiderueshme dhe duket thuajse e pamundur që fermerët nga zonat e thella, siç pretendon ministria në fjalë, të kenë realizuar një aplikim cilësor nga pikëpamja përmbajtësore, në gjendje që të përfitojnë grante me këtë vlerë monetare. Ky nuk është paragjykim kundrejt tyre, por papërgjegjshmëri e kësaj ministrie nëse ka akorduar grante pa kriter apo më keq akoma, këto para kanë rënë në duart e kush e di se kujt… APPA, do ta ndjek këtë skemë, me shpresën se në fund do të jetë ajo që ka gabuar dhe jo ministria.
Referenca:
Ministrai e Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Administrimit Rural. Korrik 2015. Rritje e madhe e eksporteve te bujqesore shqiptare ne tregjet rajonale dhe Europiane
Gazeta Shekulli. Rritja e eksporteve bujqësore Shqiptare.
http://www.shekulli.com.al/p.php?id=289715
Ministria e Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Administrimit Rural. Firmosen 13 kontratat e para për përfituesit e projektit SARED
Top Chanel TV. Grantet për fermerët, 13 sipërmarrës kanë përfituar nga skema e financimeve