Flutura GJANA, MSc
Makthi Bankers Petroleum për Mjedisin
“Duhet të kuptoni miqtë e mi që tetë vjet këtu është punuar në atë mënyrë që është punuar duke mos u kontrolluar. Mora vesh që deputetë të Partisë Demokratike do të vijnë të qajnë sot (9 prill) për dëmin, që në fakt është krijuar prej tyre. Ne sot nuk jemi për t’u fshehur pas gishtit dhe për të thënë që të tjerët e krijuan situatën. Por jemi për të vënë në vend dinjitetin e banorëve të zonës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.”
Këto ishin disa fjali nga deklarata[1] që ka dhënë ministritLefter Koka më 9 prill të vitit 2015, gjatë vizitës në zonën ku operon Bankers Petroleum.
Më poshtë do të tregojmë kronologjikisht ngjarjet më kryesore që lidhen me këtë problematikë.
- 19 Dhjetor 2013, rinisin shpërthimet[2] në komunën e Zharrzës në rrethin e Fierit.
- Më 15 shtator 2014, në fshatin Vërri të Fierit ka pasur shpërthim të gazit dhe të naftës mbi sipërfaqe, por ngjarja pati mbulim të vakët mediatik.
- Më 11 nëntor të vitit 2014 Instituti i Shëndetit Publik publikon një raport[3] ku vlerëson se gjatë viteve 2012-2014 ka rritje të rasteve me astmë bronkiale, bronkit kronik, emfizemë dhe kancer pulmoni në fshatrat Marinzë dhe Zharrës.
- Më 1 prill 2015, në fshatin Marinzë dy fontana 50 metra të larta me gaz dhe ujëra nëntokësore shpërthyen[4] në oborret e banorëve.
- Më 19 dhjetor të vitit 2016 në Zharrëz, u regjistruan lëkundje të tokës nga injektimi i ujit teknologjik në puset e lokalizuara rreth fshatit.
Bankers Petroleum është kompania më e madhe në vend, e cila operon në fushën e nxjerrjes së naftës që prej vitit 2004. Ajo shfrytëzon me konçesion vendburimet më të mëdha në vend të naftës.
Në përgjigjen që Institucioni i Shëndetit Publik ka dhënë në vitin 2014 lidhur me ndotjen e mjedisit nga nxjerrja e naftës thuhet se nga 13 elementë të dëmshëm që emetohen në ajër nga industria e prodhimit të naftës, Instituti i Shëndetit Publik mund të monitorojë vetëm dy prej tyre. Në raport thuhet se ISHP mat elementët PM 10 dhe PM2 përmes aparaturave të vendosura në drejtorinë rajonale të Fierit. Megjithatë, të dhënat e përftuara nuk kanë domethënie specifike për zonat e Marinzës dhe të Zharrëzit. ISHP rendit se ndotësit e tjerë nga burimet e naftës janë SO2, NOx, CO, VOC, Benzeni, 1,3-butadiene, naphthalene, fluor hidrogjeni, mërkur dhe H2S. Sot, pas 3 vitesh në faqen zyrtare të ISHP nuk gjendet asnjë e dhënë lidhur me nivelet e këtyre elementëve në mjedis.
Kurse Agjencia Kombëtare e Mjedisit deklaron se niveli i dioksidit të squfurit dhe azotit në ajër janë përtej normave të lejuara. “Vlera e matur e SO2, krahasuar me normën e OBSH-së tejkalon në masën 56.1 %; vlera e matur NO2, krahasuar me normën e OBSH-së tejkalon në masën 49 %”. Ndotja në mjedis është vepër penale e parashikuar nga neni 201 (ndotja e ajrit) dhe 203 (ndotja e ujërave) të Kodit Penal, nëse ndotja është përtej niveleve të lejuara. Ndërkohë që ndotja mjedisore përtej normave është konstatuar nga organet e specializuara të administratës.
Pas incidentit që ndodhi në prill të vitit 2015, u konstatua që një nga shkaqet kryesore për ndotjen e mjedisit ishtë situata e gropave ekologjike. Në këto gropa ekoologjike ishin depozituar mbetjet e shpimeve dhe prodhimit të naftës bruto, që përbëjnë një rrezikshmëri të lartë për mjedisin. Në situata të tilla ishte e pritshme që Ministria e Mjedisit të kërkonte:
- Pezullim të aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve.
- Hartim të Planit të Përputhshmërisë sipas përcaktimeve të shtojcës 10 të ligjit nr. 10448 datë 14.07.2011 për lejet në mjedis, e ndryshuar.
- Rivlerësim të raporteve të ndikimit në mjedis dhe rishikim të kushteve të lejeve Mjedisore.
- Hartim të një plani monitorimi të detajuar, si pjesë e Lejes Mjedisore dhe instrumentave të inspektimit mjedisor.
- Kompania në përputhje me planin e menaxhimit duhet të fillonte hartimin e planit të masave për trajtimin e mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti i saj, të depozituara në gropat ekologjike.
- Menaxhimi i mbetjeve të të gjitha llojeve duhet të bëhet në përputhje me kuadrin e ri ligjor të mbetjeve.
Heqja e masës së pezullimit të aktivitetit të kompanisë pritej të ndodhte vetëm pas vlerësimit të realizimit të masave dhe detyrave të lëna për zbatim nga Ministria e Mjedisit. Por a ndodhi kështu? A është në gjendje sot Ministria e Mjedisit të thyejë heshtjen dhe të publikojë të gjithë dokumentacionin që vëreton përmbushjen e detyrimeve që kishte Bankers Petroleum, detyrime këto që u përcaktuan nga vetë Inspektoriati dhe Ministria e Mjedisit? Si arriti Bankers Petroleum të riaktivizonte lejen e ushtrimit të aktivitetit?
Pavarësisht kësaj më 25 mars të vitit 2016, Ministria e Mjedisit konkretisht institucioni në varësi të saj Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka aprovuar[5] një VNM paraprak për të zhvilluar projektin: ’’Shesh shpim-kërkimi AT76a, blloku F’’. Drejtoritë teknike në ministri sugjerojnë se projekti nuk është e nevojshme t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të VNM-ësë dhe DRM Fier shprehet dakord për zhvillimin e aktivitetit.Vendimi është firmosur nga drejtori i AKM, zoti Julian Beqiri.
Me një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të QKR-ësë mund të shikojmë të gjithë listën e licensave që sot vazhdojnë të jenë aktive për subjektin në fjalë. Shtatë[6] prej të cilave janë dhënë në vitin 2016. Në mënyrë ironike e ndoshta domethënëse, hera herës Bankers Petroleum–in e shikojmë dhe si sponsor për prodhimin e posterave ku lobohet mbrojtja e mjedisit. Kur një ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në vend, shfrytëzues i një prej pasurive më të mëdha tona natyrore është vetë ai.
Për ta mbyllur i rikthehemi fjalëve të ministrit Koka dy vite më parë, të cilat sot janë më aktuale se kurrë, ’’Deri më sot nuk keni bërë asgjë për të vënë në vend dinjitetin e banorëve të zonës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre”
[1]Ministri Koka ndjek nga afer situatën në Patos Marinzë
(www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-koka-ndjek-nga-afer-situaten-ne-patos-marinze&page=1)
[2] Video: Fier, rinisin shpërthimet në Zharrëz
(www.youtube.com/watch?v=H2rctroXumM)
[3]Raport, Instituti i Shëndetit Publik.
(www.reporter.al/wp-content/uploads/ISHP-skanim.pdf)
[4]Video: Shpërthejnë puset e naftës në Fier
(www.youtube.com/watch?v=mN5bctivM90)
[5]Vendim për VNM Paraprak
(www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/VNM_korrik_2016/Bankers_Petroleum_Albania_(AT76a).pdf)
[6] (PN-3627-08-2016 Leje Mjedisi e tipit A, PN-3600-08-2016 Leje Mjedisi e tipit A, PN-3592-08-2016 Leje Mjedisi e tipit A, PN-3628-08-2016 Leje Mjedisi e tipit A, PN-3629-08-2016 Leje Mjedisi e tipit A)