Sokol Kondi
1-Vizita e John Kerry dhe përdorimi praktik amerikan i Shqipërisë
Më 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, mbërriti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku nuk ngurroi që të shprehte dashurinë që ekziston mes dy shteteve, si dhe dha garanci për një të ardhme më të begatë të përbashkët.
Përveç intensifikimit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, që kanë hyrë në një nivel tjetër, pas nënshkrimit të partneritetit strategjik vitin e kaluar, dhe që u dëshmua edhe nga vizita e mëpasme që zhvilloi ministri i Jashtëm, Z. Bushati në SHBA, ra në sy një rezultat konkret i “diplomacisë në veprim”. Në fakt, pas vizitës së Kerryt, doli se Shqipëria ka pranuar që të strehojë në vendin tonë mbi 2.000 muxhahedinë iranianë, që konsiderohen si armiq apo terrorsitë nga Republika Islamike.
Ndaj një vendimi të tillë, pati reagime edhe nga Irani, ku gjesti u përshkruasi një mikpritje ndaj terroristëve.
Pasi pranoi që të asgjësonte armët kimike të regjimit të Bashar Al Assadit, gjë që u ndal vetëm nga revoltat e brendshme popullore, pranimi i mbi 2.000 qytetarëve të huaj që konsiderohen si terroristë nga shteti i tyre, dhe që asnjë shtet tjetër nuk kishte marrë përsipër t’i pranonte (ndoshta edhe për arsye diplomatike), e ka vendosur Tiranën zyrtare për të disatën herë në pozitat e nxënësit që zbaton me përpikmëri detyrat që i jep mësuesi, që në këtë rast janë Shtetet e Bashkuara.
Do të duhej një analizë dhe një raport specifik vetëm për këtë temë për të parë raportin kosto/oportunitet nga veprime të tilla të Shqipërisë, por nga një vëzhgim i shpejtë, akti i qeverisë së këtushme rezulton më tepër si një gjest i lartë “besnikërie”, term që kryeministri Edi Rama e theksoi fort disa herë gjatë fjalimit të përbashkët me Z. Kerry, se sa ndonjë pragmatizëm praktik me përfitime për vendin. Në fakt, është e vështirë të thuash se Shqipëria i ka të gjitha parametrat e sigurisë për të menaxhuar në mënyrë të sigurt për jetën e qytetarëve të saj dhe për të shmangur pasoja të mundshme ndërkombëtare, 2.000 persona të akuzuar si terroristë nga shteti i tyre, në një moment kur vendi ynë në shumë raporte të ndërkombëtarëve, cilësohet si një vend me probleme të thella të brendshme, lidhur me demokracinë, luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, sigurisë, e kështu me radhë.
2-Një dashuri e “Rilindur” për Izraelin
Katër ditë pas vizitës së Z. Kerry, në Shqiëpri mbërriti kryetari i Parlamentit (Knesset) të Izraelit Yuli-Yoel Edelstein. Kjo vizitë vjen rreth dy muaj pasi kryeministri Rama kreu një vizitë të rëndësishme zyrtare në Izrael, ku u nënshkruanmjaft marrëveshje me perspektivë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjatë pritjes që i bëri ministri i Jashtëm Bushati, Edelsteinitiu paraqit edhe logoja e re që do të simbolizojë marrëdhëniet Shqipëri-Izrael, e cila u përcaktua pas një konkursi të shpallur nga MPJ e vendit tonë. Sikurse mund të shihet, bëhet fjalë për një intensifikim kontaktesh dhe përmirësim marrëdhëniesh mes dy vendeve, gjë që është vënë re rrallë me ndonjë shtet tjetër, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara, së fundmi.
Shqipëria zyrtarisht është për zgjidhjen e dy shteteve për sa i takon konflitktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Disa muaj më parë shkaktoi habi fakti që Shqpëria votoi një nismë në OKB për ngritjen e flamujve edhe të vendeve jo-anëtare, mes të cilave ishte edhe Palestina.Kjo u interpretua nga opozita shqiptare si një devijim nga politika tradicionale shqiptare e atashuar pas asaj të Shtetetve të Bashkuara lidhur me çështjen e Izraelit, por pak kush vërejti se mes shteteve jo anëtare të OKB-së subjekte të votimit në fjalë, ishte edhe Vatikani.MPJ dha garanci se nuk kishte asnjë devijim në politikën e jashtme shqiptare.Kjo, në fakt, ishte konfirmuar më së miri që kur në gusht të vitit 2014, ndryshe nga qëndrimi zyrtar i BE-së, Shqiqëria nuk dënoi një sulm të ushtrisë izraelite në një treg, ku mbetën të vrarë mjaft civilë palestinezë. Disa media opozitare u orvatën gjithashtu të paraqisnin muaj më parë si një skandal dhe një tjetër provë se politika jonë e jashtme po e “braktiste” Izraelin, kur u raportua se në një takim në MPJ në Tiranë, ishin ftuar si përfaqësuesi i Izraelit, ashtu edhe ai i Palestinës.
Por edhe kjo tezë ra shpejt poshtë nga vizitat në nivel të lartë që shkëmbyen në vijim dy vendet.
Ndryshe nga Bashkimi Europian, që nxorri një rregullore nëpërmjet së cilës i kërkonte Izraelit që të specifikonte etiketat e produkteve që prodhoheshin në kolonitë e saj në territoret palestineze, duke ushtruar kështu një formë trysnie ndaj Izraelit, për të lejuar kirjimin e Shtetit të Palestinës, dhe kur shtete të BE si Franca dhe Suedia e kanë njohur ose janë në proces njohjeje të shtetit të Palestinës, Shqipëria që e ka njohur Palestinën që më 1988 nga qeveria komuniste e atëhershme, është në kundra-tendencë dhe kundërshtim me frymën e politikës së jashtme të BE-së. Në fakt, neutraliteti dhe mosushtrimi i asnjë forme trysnie të Shqipërisë ndaj Izraelit për të drejtën e Palestinës për të qenë një shtet e bën vendin tonë që të pozicionohet qartazi, ndryshe nga BE-ja, në linjë të plotë me Shtetet e Bashkuara në favor të shtetit hebre, për sa i takon mosmarrëveshjes historike në territorin delikat në Lindjen e Mesme.
Edhe në këtë rast, ashtu sikurse thamë më lart edhe për SHBA-të, zor se arsyet e kësaj “dashurie” mund ta kenë burimin te pragmatizmi apo te ndonjë vizion largpamës. Përkundrazi, shpjegimi i vetëm që mund të jepet është ai i politikës prej shteti të vogël që atashohet pas shpinës së një diplomacie të madhe botërore, sikurse është ajo amerikane në këtë rast.
Po të ishte për pragmatizëm, Shqipëria, e cila kryen mbi 70% të tregtisë së saj të jashmte me vendet e BE-së dhe që është përfituese direkte fondesh të konsiderueshme europiane për zhvillimin e saj, duke qenë se synon të integrohet në BE dhe jo në SHBA apo në Lindjen e Mesme, do t’i ishte ankoruar me kohë BE-së në qëndrimin e saj për këtë çështje. Sidoqoftë një politikë e tillë nuk cënon procesin integrues të vendit, por thjesht e bën alogjik dhe verbërisht besnik qëndrimin e vendit tonë, i cili, në vend që të mund të thoshte fjalën e tij, në harmoni me atë të BE-së për një çështje që prek shumë më nga pranë Europën dhe kufijtë e sigurinë e saj se sa Amerikën, ka vendosur përkundrazi të përkrahë politikën amerikane për Izraelin, që është më shumë çështje strategjiko-gjeopoltike për fuqinë e madhe dhe pa ndonjë pasojë direkte përveç asaj morale të mosqenit në kauzën e duhur dhe kohën e duhur për Shqipërinë. Argumenta të mundshme të tipit: Palestina nuk njeh Kosovën dhe ka patur një afrim me Serbinë, dhe ndaj Shqipëria ka anuar nga Izraeli, mund të binin poshtë, nga momenti që as Izraeli nuk e njeh Kosovën dhe kur Shqipëria po bën vetë përpjekje afrimi me Serbinë. Në disa raste, Shqipëria është treguar “më katolike se Papa” madje me Izraelin. Pasi ndryshe nga qeveria Obama (por edhe OKB-ja), që i ka kërkuar disa herë dhe me tona të forta Izraelit që të ndalë urgjent ndërtimin e kolonive të reja në tokat palestineze, në bisedimet dypalëshe Shqipëri-Izrael, një çështje e tillë nuk është shtruar asnjëherë, duke ngritur dyshime të mëdha që Shqipëria të jetë vërtet për zgjidhjen e dy shteteve.
3-Diplomatë të rinj, ves i vjetër
Në fillimin e muajit shkurt ministri Bushati i uroi mirëseardhjen dhjetë diplomatëve të rinj në shërbimin e jashtëm shqiptar, të cilët sipas tij u përzgjodhën në përfundim të një procesi konkurrimi të hapur dhe të bazuar në merita.
Mirëpo në faqen zyrtare të ministrisë së Jashtme nuk ka ansjë njoftim për shpalljen e një konkursi të tillë.
Gjithashtu, nga organet e shtypit dhe mediat e ndryshme, nuk i është bërë reklamë apo jehonë eventit të hapjes së një konkursi për vende të lira punae në shërbimin e jashtëm.
Edhe personat e regjistruar në sistemin e DAP për rekrutimet në administratë dhe që kanë shprehur interesin e tyre në opsionet përkatëse teknologjikenë fushënediplomacisë, bëjnë të ditur se nuk kanë marrë ndonjë noftim për një vakancë të tillë në MPJ.
Me sa duket diplomatët e rinj, e kanë nisur me këmbë të “mbarë” karrierën, ndoshta jo për fajin e tyre, në bazë të një “vesi” tashmë të njohur për ne në MPJ, atë të mungesës së transparencës, sikurse e kemi raportuar vazhdimisht përgjatë vitit të kaluar.
4-Atentati në Ankara, Ministria e Jashtme ia lë stafetën Mbrojtjes
Një atentat i rëndë që ndodhi në Ankara të Turqisë më 17 shkurt, ku u shënuan mjaft viktima, edhe një tjetër herë shfaqi një mungesë të theksuar vigjilence nga ana e selisë diplomatike Shqiptare në Turqi apo edhe të vetë MPJ-së, për t’iu përgjigjur siç duhej rëndësisë së ngjarjes, sikurse do ta donte ligji dhe praktika e diplomacisë. Në fakt, as vetë ambasada jonë në Ankara dhe as sajti i ministrisë nuk kishin ndonjë referencë për sulmin e mundshëm terrorist në fjalë, kur dihet se në Turqi jetojnë, punojnë, apo shkojnë për turizëm mjaft shqiptarë.
Ambasadori i ri Gent Gazheli ndoshta ishte ende i paambientuar me detyrën e tij, duke qenë se e kishte marrë dekretin e presidentit Bujar Nishani vetëm në datën 9, ndërsa vetë ministria, si duket ia la dikasterit të Mbrojtjes, që të bënte një ekzaminim dhe pasqyrim të gjendjes së shqiptarëve që ndodheshin në Ankara, duke kryer kështu një këmbim të pakuptimtë rolesh dhe detyrash. Trajtimii emergjencave nga ana e diplomacisë shqiptare vazhdon të mbetet larg praktikave dhe standardeve të diplomacive efikase botërore, sikurse mund të shihet në disa raporte te APPA të vitit të kaluar.
5-Politikë e jashtme në kaos. Tre zyrtarë të lartë thonë tre gjëra të ndryshme për të njëjtën çështje
Përveç muxhahedinëve iranianë, në Shqipëri mund të mbërrijë edhe një valë emigrantësh apo refugjatësh, që largohen nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme, të cilët mund të strehohen në vendin tonë për një periudhë të papërcaktuar kohore.
Mirëpo, duke qenë se disa vende ballkanike apo europiane po ndjekin politika të ndryshme lidhur me hapjen apo mbylljen e kufijve, në varësi të interesave të momentit edhe Shqipëria shfaqi një gjendje amullie për sa i takon politikës së jashtme të trajtimit të këtij fenomeni. Në fakt, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, kanë shprehur tre qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen e emigrantëve.
Ministrja tha se Shqipëria do t’i hapë kufijtë për emigrantët, kryeministri e mohoi një gjë të tillë, ndërsa ministri i Jashtëm as e pohoi dhe as e mohoi.
Si duket e vërteta duhet të gejndet në mes. Ose ndoshta, MPJ duhet të luajë një rol më efikas orientues dhe udhëzues kur vjen fjala për qëndrimet që duhet të mbajnë zyrtarët e lartë për sa i takon politikës së jashtme. Në ligjnjë gjë e tillë është shkruar qartë. Mbetet vetëm që të zbatohet.
Referenca:
Artikull, Top Channel, Shkurt, vizita e John Kerry në Tiranë: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=319495
Artikull: Top Channel, Irani kundërshton marrhjen e muxhahedinëve nga Shqipëria: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=319734
Marredheniet Shqiperie-Izrael, MPJ, vizita e kryeministrit rama ne Izrael: http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/shqiperia-dhe-izraeli-thellojne-bashkepunimin-dypalesh&page=3
MPJ, pritja e diplomatëve të rinj: http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/mpj-mirepret-gjeneraten-e-re-te-diplomateve&page=2
Artikull, italisht, l”lufta” tregtare BE-Izrael për etiketat: http://www.panorama.it/news/esteri/etichette-sui-prodotti-delle-colonie-israele-si-infuria-con-la-ue/
Artikull, Mapo, shkurt, Ministria e Mbrojtjes raporton për atentatin në Ankara: http://www.mapo.al/2016/02/shperthimi-ne-ankara-71-studentet-shqiptare-jane-mire
Artikull, Monitor, Shkurt 2016, të dhëna mbi tregtinë e jashtme të Shquiëorisë: http://www.monitor.al/profili-ri-shqiperise-3/