Flutura Gjana
1-Plani kombëtar i Energjisë së Rinovueshme ndihmon në shkatërrimin e biodiversitetit
Më 27 janar, në fletoren zyrtare të Republikës së Shqipërisë[1] u botua VKM nr.27 ‘’Për miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Energjisë së Rinovueshme, 2015-2020’’. Një nga objektivat e këtij plani kombëtar është ai i rritjes së burimeve të rinovueshme që shfrytëzohen për gjenerimin e energjisë totale që vendi ynë shpenzon përgjatë një viti nga 31.2% që ka qenë në vitin 2009, në 38% në vitin 2020.
Në pamje të parë, ky plan nuk lë asnjë hapësirë për diskutim për shkak të rëndësisë që ka energjia e përftuar nga burime të rinovueshme në ditët e sotme. Por sasia e energjisë që duhet të përftohet nga burime të rinovueshme në sektorin e energjisë elektrike lë shteg për diskutim. Siç mund të shikojmë në tabelën e mëposhtme, për sekorin e energjisë elektrike pritet që 25% e saj të përftohet nga burime të rinovueshme. Shfrytëzimi i hidrocentraleve për të përftuar këtë energji zë peshën më të madhe,përkatësisht me 18.5 %.
Burime të Përftimit të Energjisë Elektrike | Sasia që do të përftohet |
HEC | 18.5% |
Eolike | 2.8% |
Fotovoltaike | 3.7% |
Totali | 25% |
Koha ka faktuar impaktin negativ që ka në mjedis ndërtimi i hidrocentraleve në një shtet si Shqipëria, institucionet e së cilës nuk janë të zotë apo nuk duan të ndjekin dhe të kontrollojnë projektet e hidrocentraleve që nga faza e analizës së projekteve përpara se të merret vendimi për t’i ndërtuar, e duke vazhduar me fazën e prodhimit apo fazës së mirëmbajtjes.
Hidrocentralet janë kërcënim për rivierën shqiptare dhe për ekologjinë e lumenjëve. Ndërtimi i shumë hidrocentraleve në një kaskadë do të sillte deformimin e rrjedhjes së lirë të lumenjve, si rrjedhojë riviera përgjatë bregdetit do të pësojë ndryshime.
Dy lumenjtë më të kërcënuar janë pikërisht Devolli dhe Vjosa, dhe për aq kohë sa më shumë hidrocentrale do të ndërtohen në zona me vlera ekologjike të larta, dëmi i pritshëm për ekosistemin e lumenjëve do të jetë veçanërisht i lartë.Edhe Fragmentarizimi i lumenjve me diga çon drejt degradimit afatgjatë të sistemit të lumit.
Rikujtojmë se në korrik të 2015 kryeministri ka deklaruar se lugina e Vjosës do të kthehej në zonë të mbrojtur[2], por faktet tregojnë të kundërtën. Në fletoren zyrtare thuhet se ‘’Zgjerimi i ardhshëm i kapacitetit hidroenergjetik është planifikuar kryesisht përgjatë lumenjve Mat, Vjosa, Devolli dhe Bistrica’’. Për të mos mjaftuar, më 10 shkurt, në media [3] është bërë publik lajmi nga zëvendës ministri i Energjitikës, se ka një studim nga një studio e huaj për të pasur 9 hidrocentrale në rrjetin e lumit Vjosa.
Është e rëndësishme të tregohet shumë kujdes ndaj çdo politike që prek lumenjtë dhe ekosistemin e tyre, pasi ata janë një nga pasuritë më të mëdha që ka ky vend. Edhe pse infrastruktura dhe hidrocentralet, apo përdorimi i burimeve të rinovueshme për të përfituar energji janë të rëndësishme për të plotësuar direktivat europiane, edhe biodiversiteti dhe ruajtja e ekosistemit është vlerë për gjithë Evropën.
Janë pikërisht projekte të tilla që parashikohen të ndërtohen në zona të mbrojtura,të cilat i japin energjisë sërinovueshme një emër vërtet të keq. Shqipëria ka më shumë se 260 ditë me diell në vit, pra një mundësi shumë e mirë për të shfrytëzuar energjinë diellore si energji alternative.Do të ishte e udhës që për të arritur përmbushjen e këtij plani kombëtar, strategjia të fokusohej pikërisht tek energjia diellore dhe përdorimi i paneleve fotovoltaike,një teknologji e pastër për të përfituar energji. Përdorimi i këtyre paneleve përbën interes si për koston e ulët financiare ashtu edhe për impaktin e ulët negativ që kanë në mjedis, i cili është pothuajse zero[4].
- Mbetjet urbane shkojnë deri tek fqinjët
Mbetjet urbane të Shqipërisë, një problematikë që ka kaluar kufinjtë dhe po shqetëson edhe fqinjët tanë. Eurodeputetja kroate i është drejtuar[5] Komisionit Evropian për të gjetur një zgjidhje për plehrat shqiptare që kanë mbytur bregdetin kroat.
Nga Ministria e Mjedisit akoma nuk është dhënë një prononcim se sa me vend është ankesa e eurodeputetes. Por realisht MM nuk ka bërë asgjë në lidhje me problematikën e mbetjeve urbane që ka vendi.
Qeveria Shqiptare është e angazhuar në procesin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe për këtë qëllim Ministria e Mjedisit ka punuar drejt përafrimit dhe adoptimit të legjislacionit shqiptar në përputhje me instrumentet legjislativë të BE-së.Legjislacioni Shqiptar për menaxhimin e mbetjeve është përmirësuar me ligje të reja, vendime e rregullore që reflektojnë, direktivat e BE-së dhe detyrimet nga Konventa e Bazelit. Akti i fundit në këtë fushë mban datën e 29 korrikut[6] të vitit 2015, Këshilli i Ministrave mori vendim “Për miratimin e rregullave për mbajtjen, përditësimin dhe publikimin e statistikave të mbetjeve”. Gjithashtu që në vitin 2010 është ndërtuar një Plan Kombëtar[7] për menaxhimin e mbetjeve urbane, por sot situata e menaxhimit të mbetjeve është ende e paqartë dhe zgjidhjet akoma nuk janë të frytshme.
Por, problemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri nuk vjen si mungesë e ligjeve (që natyrisht kanë nevojë të përmirësohen edhe më tej), por si mungesë e planifikimit të burimeve njerëzore, financiare dhe investimeve në infrastrukturë, si mungesë e kapaciteteve teknike, e komunikimit të dobët midis qeverisë lokale dhe qendrore mbi çështjet e mbetjeve, bashkëpunimit të dobët midis autoriteteve lokale dhe kompanive private, si dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme për t’i mbledhur dhe për t’i përpunuar ato.
Politikat mjedisore në Shqipëri dhe vetë realiteti shqiptar, po përballen me një sërë problematikash dhe shqetësimesh të dukshme. Shqipërisë, përkatësisht qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit i mungon vizioni afatgjatë për të menaxhuar çdo aspekt që lidhet me mbetjet urbane.
[1]FLETORJA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, 27 janar 2016 http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/7-2016.pdf
[2] Deklarata e Krzeministrit Rama për lumen Vjosa, video min. 00:39 (https://www.youtube.com/watch?v=06RlcLylFUs)
[3]Artikull: 9 diga mbi Vjosë, qeveria prezanton projektin mes protestave ambientaliste (http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=319256)
[4] Artikull: Environmental Impacts of Solar Power- (http://www.ucsusa.org/clean_energy/our-energy-choices/renewable-energy/environmental-impacts-solar-power.html#.VtQCg1srKM8)
[5]Artikull: Shqetësim nga mbeturinat shqiptare, eurodeputeja kroate i ankohet KE-së (http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=320390)
[6]Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 687, datë 29.7.2015 (http://www.mjedisi.gov.al/al/programi/mbetje-dhe-ndotje-industriale/mbetje)
[7]Plani Kombëtar i Menaxhimit të Mbetjeve (http://www.mjedisi.gov.al/files/userfiles/Mbetje/PKMMb_final.pdf)