Brenton KOTORRI
1-Ushtria ndërton ura
Në kuptimin e parë të fjalës, ushtria shqiptare është angazhuar që në fillim të këtij viti me ndërtimin e 3 urave të tipit “Bailey” mbi lumenj që ndajnë dy fshatra në Skuraj, në Çermë, e në Qeha. Urat janë sigurisht një mjet i rëndësishëm për lëvizjen e popullsisë për arsye të ndryshme. Duke filluar që me udhëtimin e fëmijëve çdo mëngjes drejt shkollave, por gjithashtu edhe me dërgimin e produkteve të fshatarëve në tregun e qytetit. Sigurisht që kudo në botë, në raste emergjencash ushtria ndërhyn duke ndërtuar ura të tilla, apo duke ndihmuar në raste përmbytjesh. Mirëpo njëkohësisht me këtë lëvdatë që duhet t’i bëjmë forcave tona të armatosura, duhet të theksojmë atë që nuk e thotë njeri: Kjo qeveri ka hequr dorë nga çdo projekt infrastrukturor për zhvillimin e fshatrave dhe nuk ka paraqitur në planet e veta të 2016-ës, ndërtimin e ndonjë ure të tillë. Ndaj, nëse deri dje për qytetarët e këtyre fshatrave gjysmë të izoluara kujdesej qeveria, sot kujdeset ushtria. Zgjidhja do të ishte që forcat tona të armatosura të mos përdoreshin më për të pastruar mbetjet urbane e për të mbajtur në kurriz bagëtitë gjatë përmbytjeve, por të trajtohen me paga më të mira, me kushte më të mira, dhe sidomos me dinjitetin e të gjithë sivëllezërve të tyre në ushtritë e tjera pjesë të NATO-s.
Në fakt, gjatë gjithë muajit, ministrja Mimi Kodheli ka ndërmarrë një tur ku takimet kryesore i ka pasur me nxënës të gjimnazeve duke tentuar që t’i rekrutojë ata në forcat e armatosura. Kjo nismë duhet përgëzuar, me siguri. Mirëpo ajo që ministrja harron, është problemi i madh që ka ushtria shqiptare: ajo ekziston në kushte të tmerrshme. Përmes gjithë raportimeve tona të vitit 2015, ne kemi evidentuar në appa.al jo pak herë, këto kushte.
- Ministrja nuk u thotë gjimnazistëve dhe qytetarëve të Shqipërisë se pagat e personelit ushtarak në vend që të rriten me hyrjen në NATO janë ulur në fakt.
- Ministrja nuk u thotë atyre se kushtet e punës në forcat e armatosura janë të njejta me ato të kohës së komunizmit dhe ndryshojnë vetëm uniformat e reja si gëlqerja e re e mureve të godinave, por asgjë tjetër.
- Ministrja nuk u thotë qytetarëve se administrata që ajo drejton nuk ishte përfolur prej vitesh për vjedhje e korrupsion por ama rezulton se ka shkaktuar dëm ekonomik në raportin e KLSH. Dhe për ta mbështetur këtë do të sjellim një pasazh prej raportit tonë të muajit nëntor 2015: “Për hir të vërtetës, Ministria e Mbrojtjes që prej shtatorit të vitit 2013 nuk ka bërë bujë në media dhe arenën publike për raste të evidentuara korruptive. Në fakt, në raportet përmbledhëse të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitet 2013 dhe 2014 Ministria e Mbrojtjes nuk reshtohet ndër institucionet publike që i kanë shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit. Megjithatë në Buletinin numër 3 të vitit 2015, botuar nga KLSH, vihet re se prirja ndryshon dhe konstatohen shkelje me dëm ekonomik në fushën e prokurimeve që kap vlerën 129 700 000 leke . Në fillim të këtij muaji Kontrolli i Lartë i Shtetit lajmëroi kallëzimin penal ndaj disa punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas raportit të KLSH dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit është rreth 942 000 Euro, afërsisht pagën mujore të 6280 shqiptarëve (nëse e llogarisim atë në masën e pagës minimale). Vetëm në një institucion, në një kontroll auditimi për një periudhë shumë të limituar kohorë, dëmi ekonomik është baraz me heqjen e pagës 1 mujore të 6280 njerëzve”.
- Ministrja nuk u thotë atyre se karriera e tyre në fushën akademike të Çështjeve të Sigurisë, Studimeve të Terrorizmit, Mbrojtjes, apo Marrëdhënieve Ndërkombëtare, është totalisht e pasigurt pasi ministria asnjëherë nuk ka publikuar thirrje për shkollim të mëtejshëm por sipas raportimeve në media shpeshherë e nga denoncimet e ish-ushtarakëve, i ka fiksuar bursat dhe shkollimet si ndere personale.
2-Grekët
Në mes të muajit janar u raportua se një anije e rojës bregdetare greke pati tentuar të intimidonte një peshkarexhë shqiptare duke i komunikuar kapitenit të kësaj të fundit se ishin duke lundruar në ujërat territoriale greke. Pas mbërritjes në vendngjarje të rojës shqiptare, u konstatua se anija greke kishte nisur te largohej, dhe se në fakt ajo shqiptare kishte qenë brenda kufirit detar. E gjithë kjo ngjarje nuk u trumbetua shumë në media, mirëpo as zyrtarisht. Kjo do të thotë se qytetarët dhe biznesmenët shqiptarë të këtij lloji, mund të hasin gjithnjë situata të tilla dhe grekët të largohen gjithnjë “pa u lagur” si në këtë rast. Nuk ka asnjë kontaktim të derimëtanishëm, asnjë deklaratë e më tej asnjë notë proteste nga ana e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, apo Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme për të dënuar të tilla provokime. Ne sugjerojmë që në asnjë rast të mos tolerohet provokimi i hapur dhe presionimi i asnjë qytetari të lirë shqiptar, dhe ashtu sikurse e detyron kushtetuta, shteti të mbrojë dhe garantojë lirinë dhe jetën e secilit qytetar të vet. Reagimi duhet të kishte qenë zyrtar dhe i menjëhershëm.
3-Hapadollapa
Më 1 shkurt, Ministria e Mbrojtjes nxjerr në ankand disa tipe avionësh: Jak – 18 (6 copë), Mig – 15 (3 copë), Uti – Mig (3 copë), Mig – 17 (4 copë), Uti – Mig 17 (4 copë), Mig – 19 (10 copë), Mig – 21 (6 copë) dhe helikopterë Mi – 4 (4 copë). Vlera fillestare e të gjitha këtyre njësive që do të shiteshin me kushtin për të mos u ripërdorur për arsye ushtarake, ishte 61’400’000 Lekë. U ftuan të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në ankand. Për shitjen e këtyre mjeteve fluturuese të ushtrisë sonë, nuk u dha ndonjë shpjegim më i gjatë se pse ato duhen shitur, a ka ndonjë analizë teknike që përcakton se ato janë tashmë të panevojshme për ushtrinë tonë etj., por e gjitha kjo u fsheh nën etiketimin “per interes publik…’’ Paradoksi shkon edhe më tej kur më datë 15 shkurt, ankandi u anulua, dhe shitja u tërhoq pas. Kjo sërish pa ndonjë shpjegim më të gjerë sesa togëfjalëshi “… për interes publik”. Kërkojmë nga ministria të na sqarojë se si në logjikën e tyre, shitja e pastaj mos-shitja e këtyre avionëve janë njëkohësisht për interes publik.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrise se Mbrojtjes
http://www.mbrojtja.gov.al/index.php/neësroom/lajme
Roja bregdetare greke intimidon peshkarexhen shqiptare.
http://vizionplus.al/anija-greke-shkel-territorin/
Raportet e 2015-es per Ministrine e Mbrojtjes
https://appa.brentonkotorri.com/ministria-e-mbrojtjes/
Hapet Ankandi per shitjen e Avioneve e helikoptereve
Lista e ankandit
http://www.mbrojtja.gov.al/images/njoftime2016/ankand_avion_helikopter_shkurt_2016.pdf
Mbyllja e ankandit