Elena Pici
1-‘Rilindja’ e 2016 – cfarë parashikohet në financa
Deficit në të ardhura dhe në shpenzime kapitale, shoqëruar me një borxh publik që ‘fluturoi’ mbi 70%-shin e prodhimit të brendshëm bruto – me këtë skenar e mbyllën financat vitin e kaluar[1]. Po t’i referohemi shifrave në raportet e përmuajshme publikuar në APPA, me keqardhje na duhet të pranojmë se përveç dhënies së kësteve të pagesave bizneseve private ndaj të cilave qeveria ndër vite kishte qënë debitore, financat nuk ‘rilindën’.Këtë e kanë konstatuar dhe institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë ulur vazhdimisht parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2016-ën. Nga Prill 2015 ku parashikimet ishin rreth 4% rritje ekonomike, në Shkurt 2016 Komisioni Evropian parashikoi vetëm 3.2 % rritje ekonomike.
Megjithatë le t’u japim përparësi projekteve të së ardhmes, me shpresën qëte jetë mësuar nga e shkuara. Përveç reformës së thellë në administrimin fiskal – bashkimi i doganave me tatimeve nën një menaxhim të vetëmi i cili u përfol gjatë fundvitit të kaluar, vëmendjen e gjithë financave e ka tërhequr së fundmi diskutimi për dhënien me koncesion të mbledhjes së TVSH-së, ose sic Kryeministri Rama e quan: parteneritet publik privat (PPP) –një shërbim qeveritar apo sipërmarrje private e cila themelohet dhe operon në bazë të një marreveshjeje afatgjate bashkëpunimit mes një organi të qeverisë (qëndrore apo lokale\vendore) i cili ofron infrastrukturen e tij dhe një apo më shumë kompanive private që duhet të ofrojnë shërbim më cilisor dhe eficient. Propozimi i ka ardhur qeverisë Shqiptare nga një kompani nga Hong Kong-u[2], relativisht modeste dhe e panjohur ndërkombëtarisht.Kompania nuk ka asnjë aktivitet të mëparshëm në Europë e aq më pak në Shqipëri; dhe nuk ka asnjë përvojë të mëparshme në fushën fiskale dhe nuk ka ndërtuar ndonjëherë ndonjë platformë apo zgjidhje si ajo që i propozoi qeverisë shqiptare. Sic raporton Exit.al fillimisht, Ministria e Financave e hodhi poshtë propozimin e kompanisë kineze, por në mesin e vitit 2015, me ndërhyrjen direkte të Ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj (i cili bashkë me Kryeministrin Rama disa muaj më parë ishte në Hong Kong), Ministria e Financave vendosi, papritmas,ta rikonsiderojë propozimin kinez. Për këtë arsye, në Ministrinë e Financave u ngrit një grup pune për kryerjen e studimit të fizibilitetit të platformës elektronike të transmetimit të faturave elektronike. Megjithatë ky dokument nuk u mbeshtet nga drejtoresha e politikave fiskale Arjana Dyrmishi, e cila u detyrua të japë dorëheqjen. Ndërsa Ministri Cani, fillimisht, pranoi të jepte dakordësinë për konçesionin duke imponuar një kusht të rëndësishëm për pagesën e konçesionarit: pagesa të përfitohej vetëm nëse rritja e të ardhurave nga TVSH-ja të kalonte nivelin mesatar shumëvjeçar prej 11 përqind. Ky ishte një kusht shumë i rëndësishëm pasi logjika pas një PPP është rritja e eficiencës, në mungesë të cilës ky koncesion do të bëhet një barrë për tatimpaguesit dhe për buxhetin njëkohësisht.
Ajo që të krijon dyshime nëse ky është një vendim politik apo financiar i arsyetuar, është se vetem disa ditë më parë Kryeministri Rama shkarkoi Ministrin Cani, duke u bërë kështu ministri i parë i kësaj qeverie që shkarkohet nga detyra, duke qënë se të mëparshmit që janë larguar nga detyra kanë dhënë dorëheqjen për arsye personale. Mesa duket qeverisë i duhen ‘impluse të reja’[3], por këto nuk janë aq të reja sa duken pasi në këtë pozicion u emërua (tashmë) ish-Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHETTS) z. Arben Ahmetaj, i cili siç shpjeguam më sipër është një mbështetës i kësaj nisme.
Reporter.al të cilët kontaktuan zyrën e Kryministrit, bëjnë me dije se kjo e fundit u shpreh: ‘Në momentin që flasim nuk ka asnjë garë apo tender të çelur për partneritetin publik privat në fjalë’. Megjithatë trendi është i qartë… Në përfundim, e shohim me skepticizëm një inciative të tillë e cila nukka ndonjë rast aplikimi apo suksesi në vende tjera të Bashkimit Europian apo të rajonit (bazuar në kërkimet online). Në fakt, një analizë e bërë nga kompania ndërkombëtare Deloitte për European Investment Bank në 2013[4] arrin në konkluzionin se kjo nuk është e implementueshme dhe se PPP-të moderne duhet të synojnë deri në limitin e ndërtimit apo mirëmbajtjes së rrugëve, shkollave apo spitaleve. Edhe në rast të një iniciative të tillë, do të mbronim idenë e zhvillimit të kapaciteteve për një kompani Shqiptare e cila mund të ofrojë një shërbim të tillë, në mënyre që dhe fitimi I konsiderueshëm që do të shkoj në favor të saj të investohet apo të shpenzohet i gjithi në tregun e brendshëm.
2-Largohen Crown Agent
Muaji Shkurt ka shënuar dhe përfundimin e kontratës 2-vjecare të Crown Agent në Shqiperi, e cila (fatmirësisht) nuk është rinovuar. APPA ka qënë vazhdimisht skeptike në raportet e saj të përmujshme në lidhje me eficencën e kësaj kompanie, e cila u shpërblye me 6.8 milionë euro për të bërë praktikisht…asgjë (ose të paktën asgjë e cila nuk u bë publike si benefit i kontributit të tyre).Kompania angleze, sipas kontratës, duhet të rriste të ardhurat doganore me 1 për qind të PBB-së në vit, ose rreth 100 milionë euro. Por, për vitin 2014 të ardhurat nga doganat u rritën vetëm 0,4 për qind të PBB-së nga një vit më parë. Crown Agent e mbylli qëndrimin e saj në Shqipëri me lajmin se në portet Shqiptare bëhet kontrabande nafte dhe për këtë rekomandoi kontrollin e pikave të karburanteve, të autoboteve të transportit të naftës dhe dokumentet e çdo firme hidrokarburesh, për të kontrolluar nëse ka sasi nafte të paregjistruara. Ndërkohë, Ministri Cani (kur ende ishte në detyrë) e quajti diplomatikisht bashkëpunimin të suksesshëm dhe u shpreh se çelësi për mosrealizimet gjendet tek procedurat, antikontrabanda, antikorrupsioni dhe tek analiza e riskut. Ngelet për t’u parë se cila do të jetë strategjia e Ministrit tëri Ahmetaj ne lidhje me institucionin e financave që lë më shumë për të dëshiruar. Në gjykimin tone, asistencë dhe konsulencë e specilizuar do të ishte e nevojshme, për aq kohësa perzgjedhja e institucionit partner dhe termat e bashkëpunimit nuk bien pre e interesave klienteliste.
Referenca:
Exit.al. Shkurt 2016.FMN i jep kestin Shqiperise.
http://exit.al/2016/02/18/fmn-jep-72-milione-euro/
Exit.al. Shkurt 2016.Nderkombetaret ulin parashikimet e rritjes ekonomike.
http://exit.al/2016/02/05/6674/
Exit.al. Shkurt 2016.Largohen Crown Agents.
http://exit.al/2016/02/12/6973/
Reporter.al. Shkurt 2016.Rama sharkon Canin si Minister te Financave
[1] Shtojmë, se Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi në Shkurt dhënien e këstit të rradhës prej 72 milionë euro për vendin tone, duke e kështu në 155 milionë euro borxhin e dhënë nga FMN gjatë dy viteve të fundit, i cili, përderisa ka deficite kapitale, ku shkon?
[2]Disa media kanë spekuluar se ka një bashkëpunim mes kësaj kompanie dhe një kompanie shqiptare të në cilën thuhet se vëllai i Kryeministrit z. Olsi Rama ka aksione. Kjo mbetet ende për t’u vërtetuar dhe përderisa nuk ka ende një tender të hapur nuk mund të flasim për konflikt interesi.
[3]Shkëputur nga deklaratat e z. Ilir Meta dhe z. Nasip Naco, kur gjatë fundvitit të kaluar ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Drejtësisë
[4]Në këtë periudhë pati një diskutim nësë liberalizmi i tregut në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohej me një PPP për mbedhjen e TVSH-së në të gjithe EU zone.