Rigels XHEMOLLARI
1-MAS shkel hapur ligjin për të drejtën e informimit
Bazuar në ligjin Nr.119/2014 për të drejtën e informimit autoritetet publike, ku përfshihet edhe MAS, duhet të publikojnë Programin e Transparencës dhe Regjistrin e Kërkesave. Jo vetëm që nuk e ka publikuar programin model të transparences, por MAS në faqen e saj mashtron qytetarin klikues duke pasur të shkruar vetem fjalët “Programi i Transparencës” dhe “Regjistri i Kërkesave” dhe në momentin që klikohet nuk hapet asnjëra prej tyre.
Bazuar ne ligj, titullari i institucionit duhet të mbajë përgjegjësi për shkeljen e nenit 6, 7 dhe të dënohet me gjobë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Për një qeverisje të mirë, të hapur dhe të aksesueshme nga qytatarët duhet që MAS të plotësojë menjëherë këto detyrime ligjore dhe KDIMP të japë masën ndëshkimore me gjobë ndaj titullarit të institucionit znj. Lindita Nikolli. Në këtë mënyrë ky institucion do të bëhet model për zbatimin e të drejtës së informimit edhe tek institucionet e varësisë si Drejtoritë Arsimore dhe Universitetet.
2-Raporti i UNICEF dhe AKP.10 % e nxënësve analfabetë, MAS fajëson prindërit
Në muajin janar MAS publikoi studimin e organizuar nga AKP për klasat e 3-ta dhe të 5-ta, ku ra në sy një sërë problematikash si 10% e nxënësve analfabetë, 60% e nxënësve nën nivelin mesatar dhe paraqitja e shkollave private superiore ndaj atyre publike.
Këto probleme u anashkaluan në deklaratën zyrtare të MAS duke theksuar se – “Statistikat tregojnë që në arritjet e nxënësve ndikojnë arsimimi dhe punësimi i prindërve, niveli ekonomik i familjeve të nxënësve dhe koha fizike që i duhet nxënësit për të shkuar në shkollë dhe rregulli i ndjekjes së shkollës nga ana e tyre.”
Para se të fajësonte prindërit, Ministrja Nikolla duhet të kërkonte falje për rezultatet e dobëta dhe nivelin e ulët të nxënësve.
Ky rezultat, që është më i dobët se ai i vitit të shkuar duhet të shoqërohej me shkarkime dhe përgjegjësi, por si duket zyra e Ministres Nikolla është munduar ta kthejë dobësinë në forcë duke mbuluar defektet e sistemit arsimor parauniversitar me mungesën e përkushtimit prindëror.
3-Matura shtetërore, nga hyrëse në dalëse
Prej vitit 2006 e deri më sot, çdo vit maturantët që duan të ndjekin shkollën e lartë janë përballur me ndryshimethelbësore të sistemit të pranimit dhe maturës shtetërore. Në datën 11.02.2016 nëpërmjet një udhëzimi për organizimin dhe zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2016,MAS e shndërroi maturën nga një sistem për t’u bërë pjesë e arsimit të lartë në një mekanizëm dalës nga arsimi parauniversitar. Që dmth Universitetet me vendimet që kanë nxjerrë përcaktojën vetë kriteret e pranimit, bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë.
Ky ndryshim i menjëhershëm penalizon nxënësit që kanë investuar për 3 vite për lëndët e detyrueshme dhe ato me zgjedhje dhe vazhdon të pasojë ndryshimet e njëpasnjëshme që i bëhen sistemit, me qëllim përsosjen sipas autoriteteve por ata që përballen çdo vit me të panjohurën janë nxënësit që çdo vit nuk e dinë se në cilën degë do përfundojnë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të zhvillojë sesione informuese në të gjitha shkollat e mesme të vendit për të informuar nxënësit me ndryshimin e sistemit dhe për t’i orientuar në tregun e ri unviersitar. Gjithashtu sipas të gjitha informacioneve mesatarja dysheme, e vendosur kriter nga MAS që pengon nxënësit të jenë student të universiteteve publike dhe private do të jetë nota 6.
4-I sigurt në internet, vetëm në shkollë!
Për shkak të shifrave alarmuese të ngacmimeve seksuale dhe kanosjeve të fëmijëve nëpërmjet internetit, ditën ndërkombëtare të “Internetit të sigurt”, Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në datën 9 shkurt 2016.
Qëllimi i kësaj marrëveshje ishte rritja e efikasitetit të ndërveprimit institucional në funksion të sigurisë online për fëmijët, por deri tani është ndërtuar një faqe interneti e cila gjendet në linkun http://www.isigurt.al/isigurt, e papërditësuar dhe e padobishme për t’ju ardhur në ndihmë të miturve.
Gjatë takimit Ministrja Nikolla u shpreh: “Bashkëpunimi i MAS me të gjithë operatorët e ofrimit të shërbimit të internetit në shkolla ka ruajtur të pacënuar politikën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mundësuar internet të sigurt në shkollat shqiptare”.
Problemi qëndron se sipas sondazhit të miturit nuk rrezikohen nga përdorimi i internetit në shkollë, por në shtëpi dhe në qëndra interneti dhe zgjidhja nuk është ndërtimi dhe financimi i portaleve me apo pa informacion, por përfshirja e edukimit për mbrojtjen nga rreziqet online në kurrikulat shkollore, bashkëpunimi me bordet e prindërve dhe rritja e kapaciteteve të policisë shkencore ku ende ka vështirësi në hetimin e kanosjeve online sidomos nëpërmjet rrjeteve sociale.
Referenca:
http://www.arsimi.gov.al/al/program/programi-i-transparences/programi-i-transparences
http://www.mapo.al/2016/01/malaj-me-te-miret-nxenesit-e-beratit-me-te-dobetit-ata-te-fierit
http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/msh/2016/Udhezim_nr._1_dt._11.02.2016_MSh.pdf
http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/lajme/internet-i-sigurt-marreveshje-mes-kater-ministrive&page=1