![Megi Llubani](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Megi-300x300.jpg)
Megi Llubani
Të dhëna të përgjithshme
Në total 15 lajmërime janë postuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes për periudhën 1-31 Janar 2015, që lidhen me aktivitetin e kësaj ministrie dhe drejtuesve të saj dhe njoftime të ndryshme të punës së saj.
Observime
Ministria e Mbrojtjes e nisi vitin e ri (Dt. 3 Janar) me lajmërimin e një ceremonie për dorëzimin e 10 minibusëve, donacion i Turqisë për forcat e armatosura shqiptare. Përgjatë njoftimit në faqen zyrtare të Ministrisë disa herë përmendet ‘’rikthimi i dinjitetit të njerëzve me uniformë’’, a thua se dinjiteti ka mbetur peng i ndoca mjeteve transportuese! Më tej, Ministrja e Mbrojtjes Znj. Kodheli shprehet se ‘’ do t’i përligjim më së miri këto investime’’, por se çfarë nënkupton kjo në terma konkretë si për njerëzit me uniformë ashtu edhe për palët e interesuara nuk është ende e qartë pasi nuk ka ndonjë mekanizëm kontrolli dhe transparence. Për më tepër, asnjë informacion I detajtuar nuk ofrohet për marrëveshjen e nënshkruar me Turqinë dhe në çfarë konsiston ajo saktësisht. Në fakt duhet të kërkosh në arkivat e faqjes zyrtare të Parlamentit për të gjetur projektligjin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Edhe nëse përpiqesh të gjesh informacione për shpenzimet e kësaj ministrie, për të hedhur dritë mbi këtë marrëveshje, drejtohesh tek portali I kryeministrisë për shpenzimet e qeverisë, ku të dhënat përfundojnë në korrik të vitit 2014 (kjo e bën të pamundur ndjekjen në kohë reale të shpenzimeve të institucioneve të ndryshme të varësisë).
Datë 8 janar – Projektligji për Policinë Ushtarake prezantohet në një takim me përfaqësues të ndryshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë etj. Megjithëse projektligji ka kaluar në parlament në 19 dhjetor 2014 (dhe botuar tashmë në fletoren zyrtare), asnjë informacion I tillë nuk është I disponueshëm në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, që përtej demagogjisë dhe elozheve për qeverinë dhe këtë arritje nuk ofron as një aspekt të rëndësishëm: barrën financiare që do të sjellë ky ristrukturim (Kjo e fundit gjendet vetëm në faqen e parlamentit – seksioni I projektligjeve).
Megjithëse në qershor të viti 2014 u miratua Strategjia e Sigurisë Kombëtare (Të plotë mund ta gjeni duke klikuar linkun http://www.parlament.al/web/pub/teksti_17880_1.pdf), sikurse ishte parashikuar në programin e Partisë Socialiste, ende nuk është paraqitur Dokumenti I Ri I Strategjisë Ushtarake që duhet të shoqëronte strategjinë e sigurisë. Megjithëse përgatitja e këtij dokumenti ka qenë një hap thelbësor I premtuar, kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes së Partisë Socialiste e megjithatë nuk ka asnjë hap të dukshëm në këtë drejtim. Më tutje, në dokumentin Rishikimi Strategjik I Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë parashikohet se nga viti 2013 deri në vitin 2015 Forcat e Armatosura do të reduktohet nga 9600 në 8500, megjithatë asnjë raportim nuk gjendet për këtë në lajmërimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sa I përket luftës kundër korrupsionit, një prej prioriteteve të qeverisë aktuale, në faqen zyrtare të Ministrisë gjendet një seksion I vecantë ku mund të raportohet dhe denoncohet korrupsion, me kontaktet përkatëse të kësaj ministrie. Megjithatë nuk ka ndonjë raportim për raste të denoncuara (ndoshta sepse nuk ka pasur asnjë denoncim ose ai thjesht nuk është bërë publik për palët e interesuara). Për rrjedhojë është e vështirë të vlerësohet suksesi ose dështimi I kësaj iniciative apo portalit të bërë publik pak ditë më pare (http://stopkorrupsionit.al/).
Së fundi, një komponent I rëndësishëm I programit të qeverisë edhe në kuadër të anëtarësisë në NATO është kontrolli demokratik I forcave të armatosura dhe reformimi I sektorit të sigurisë. Kontrolli demokratik I forcave të armatosura nënkupton ndër të tjera: një shoqëri civile të përfshirë, kontroll civil, institucione të forta mbikqyrëse si parlamenti dhe gjyqësori. Nga puna e deri tanishme, veçanërisht këtë muajin e fundit duket se nuk është ndërmarrë ndonjë hap I rëndësishëm dhe substancial në përmbushje të këtij premtimi.