![Gerion TRESKA, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/G.-Treska-300x300.jpg)
Gerion TRESKA, MSc
1- Sepse plehrat tona nuk na mjaftojnë!
Tashmë çështja e ligjit mbi mbetjet duket se ka “shkundur” një pjesë të opinionit publik, sidomos disa individë pjesë të organizatave të shoqërisë civile, duke e çuar protestën e tyre jo vetëm virtualisht por edhe jashtë dyerve të Parlamentin. Dhe mesa duket ata nuk janë të vetmit të cilët e mendojnë kështu. Pasi vetë Këshilli i Ministrave në mendimin e tij mbi këtë projektligj asokohe, tashmë ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve i ndryshuar”, nuk shfaq kundërshtime për këtë ligj nëse nuk afekton financat e shtetit. Por shqetësohet “rreziku i tregut” si dhe “rritja e efiëencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas”.
Sipas po këtij rekomandimi, në Shqipëri gjenerohen 386.728.650 kg mbetje në vit, nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohen[1]. Falë një investigimi gazetaresk ky rekomandim i Këshillit të Ministrave doli në publik duke hedhur në tavolinë një fakt i cili duhet parë se si do të administrohet nga “Departamenti i Marketingut të Qeverisë.
Duke qenë se edhe në propozimin e dërguar në Këshillin e Ministrave arsyetohen përfitimet financiare të kësaj industrie të re disi për Shqipërinë, kjo duket një zgjidhje e mirë, pa kosto për shtetin por njëkohësisht edhe pa një studim mbi impaktin në mjedis dhe jetesën e popullsisë pranë fabrikave të çertifikuara sipas standarteve të BE[2] ashtu sikurse edhe Ministri Ahmetaj theksoi në një vizitë të tij.
Bazuar në faktin e sjellë nga Këshilli i Ministrave mbi sasinë e ricikluar në Shqipëri, si edhe mbi deklaratat e bizneseve të riciklimit se nuk kanë lëndë të parë të mjaftueshme për fabrikat e tyre, duket qartë që ky ligj i miratuar është produkt i një fushate lobimi ku nuk dihet se kush është vizioni i kësaj qeverie që e miratoi, përveçse ndonjë përfitimi personal të ndonjë qeveritari, siç ndodh tashmë rëndom në këto 26 vitet e fundit.
A ka një studim se sa do t’i kushtonte qeverisë në aspektin financiar si dhe ligjor një fushatë jo vetëm sensibilizimi por edhe veprimi për rritjen e përqindjes së sasisë së ricikluar të mbetjeve? Ndoshta në këtë rast do t’i duhej një veprim i gjerë duke nisur me diferencimin (kosha publik të cilët janë sporadik në numër dhe vendodhje), grumbullimin (për të cilin duhen ndryshuar tenderat nëse bëhet diferencimi) si dhe transporti e përpunimi për riciklim më pas të tyre. Duken mjaft hapa të vështirë dhe me kosto në fakt për qeverinë tonë që patjetër do të kërkonte që t’u shpjegonte kompanive vendase se si duhet edhe ato të ishin të interesuara të ishin pjesëmarrëse në këtë proces.
Së fundmi ajo çka është e çuditshme është se si këto kompani riciklimi kryesisht janë të vendosura në zona urbane, ku mund të ndikojnë lehtësisht[3] dhe se si i kanë mbijetuar tregut deri më sot pa këtë ligj që u hap dyert e importit mbetjeve për riciklim. Në një arsyetim shumë të thjeshtë nëse nuk ka ofertë ose kërkesë nuk ka treg. Në këtë rast nëse këto kompani janë krijuar, mbi ç’bazë tregu të lëndës së parë janë krijuar? Dhe së fundmi, nëse janë shqetësuar për lëndën e parë a kanë lobuar për masa dhe veprime që të rrisin masën 17% që riciklohet? Deri në momentin që do të ketë vetëm palë të cilat flasin mbi interesat e tyre të përbashkët, populli krah pune fason gjithnjë do të ketë punësim.
2- Marketingu pas shifrave të mëdha!
Lajme të mira për ekonominë shqiptare vijnë nga dy raporte me peshë ndërkombëtare, ai i Indeksit Global të Konkurrueshmërisë si dhe publikimi i fundit i Bankës Botërore.
Si dy instrumente mjaft të mira për të joshur dhe bindur investitorët e huaj të dy këta të fundit janë si një “minë me sahat” e cila duhet patur kujdes se si përdoret. Pavarësisht faktit se si politikanët i përdorin këto raporte për të shitur suksesin e tyre ose për të akuzuar kur ato janë negative, është e rëndësishme që të kuptohet se çfarë fshihet pas shifrave përfundimtare.
Raporti i Bankës Botërore për ekonominë shqiptare shpreh pozitivitet në normën e rritjes ekonomike në 3.2% në 2016 nga 2.8% që ishte në vitin 2015 duke sjellë kështu një skenar mjaft optimist edhe për sa i përket punësimit dhe uljes së varfërisë[4].
Ndërsa, Indeksi Global i Konkurrueshmërisë e pozicionon Shqipërinë në vendin e 80 nga 139, duke u ngjitur 13 vende nga viti i kaluar[5]. Në këtë raport Shqipëria mban vendin më të lartë Shtyllën e 4rt, atë të Shëndetësisë dhe Arsimit Fillor, ndjekur menjëherë me Shtyllën e 5të, atë të Arsimit të Lartë dhe Aftësimit, fusha këto të cilat kanë qenë mjaft të debatuara sidomos kohët e fundit në Shqipëri.
Së treti gjithashtu inkurajues është fakti se Shqipëria është renditur e para në rajon për sa i takon lirisë ekonomike, sipas Institutit Fraser[6].
Vlerat kryesore që përmbajnë këto raporte janë mjaft inspiruese por nëse përpiqesh të thellohesh në shifra të cilat ndikojnë në këtë rezultat përfundimtar zbulon se në inovacion Shqipëria renditet e 109 nga 138 vende dhe po të njëjtin pozicion mban edhe në lidhje me indikatorin e madhësisë së tregu. Ndërsa lista e problemeve e të bërit biznes kryesohet nga korrupsioni me 23.6 pikë nga 24 pikë (shkalla maksimale) dhe taksat me 21.3 pikë përkundrejt 24 pikëve.
Në përfundim, një shikim i vërtetë i brendshëm i këtyre raporteve na jep të kuptojmë se ku po bëjmë mirë e ku keq, pavarësisht se si marketohet ose shitet rezultati final. E këto shifra vështirë të shihen nga populli i cili pjesën më të madhe të kohës synon të sigurojë bukën e gojës në një ekonomi të vështirë.
[1] Rekomandimi i Kwshillit tw Ministrave pwr Projketligjin e Menaxhimit tw Mbetjeve – http://www.balkanweb.com/site/shkresa-zyrtare-qeveria-pranon-rreziqet-e-importit-te-mbetjeve-ricikluesit-nuk-i-perballojne-dot-vendaset-cdo-vit-386-milione-kg-plehra/
[2] Ahmetaj viziton kompaninw e riciklimit – http://acp.al/news/2602/Ahmetaj-ne-biznes-riciklimi:-Rritet-punesimi-dhe-eksportet/
[3] Kompanitw e riciklimit, vendodhja dhe tegu – http://www.shekulli.com.al/m/post.php?id=500225&tirane-durres-harta-e-fabrikave-te-riciklimit-prane-shtepive
[4] Raporti i Bankws Botwrore – http://pubdocs.worldbank.org/en/842861463605615468/Global-Economic-Prospects-June-2016-Divergences-and-risks.pdf
[5] Raporti i Indeksit Global tw konkurrueshmwrisw – http://www3.weforum.org/docs/GCR2016-2017/05FullReport/TheGlobalCompetitivenessReport2016-2017_FINAL.pdf
[6] Shqipwria e para nw rajon pwr lirinw ekonomike – http://acp.al/news/2587/Liria-ekonomike,-Shqiperia-e-para-ne-rajon/