![Adela Danaj, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/01/Adela_Danaj-207x300.jpg)
Adela Danaj, MSc
- Të tjera viktima në dyert e spitaleve Shqiptare si rezultat i atrofizimit të sistemit shëndetësor: Rasti fatal i 35 vjeçares dhe foshnjës së saj.
Mjafton vetëm një shikim i shpejtë në faqen e parë të seksionit të lajmeve në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë për të kuptuar se sa milion euro po vazhdojnë të investohen në këtë sektor. Vetëm nga data 4 Shtator e deri më 28 Shtator janë investuar rreth 2.53 milion euro për përmirësimin e disa qendrave spitalore në rajone të ndryshme të Shqipërisë[1]. Nuk duhet asnjë lloj analize për të kuptuar se këto shuma parash po investohen me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve spitalore në vend. Një pjesë e këtij buxheti ka shkuar për rritjen dhe fuqizimin e sistemit të urgjencës në Tiranë. Në një deklaratë të dhënë më datë 5 Shtator në kuadër të debatit të prishjes së Urgjencës në kryeqytet, ministri Beqaj pohoi se “Kemi fuqizuar kapacitetet e 20 autoambulancave, një investim rreth 300 mijë dollarë për të vendosur në këto autoambulanca pajisje bashkëkohore.”[2]
Por, nuk ka kaluar as një muaj që nga dhënia e kësaj deklarate dhe një rast dështimi, me pasojë humbjen e jetës së pacientes dhe fëmijës që ajo priste te sillte në jetë, ndodhi pikërisht si rezultat i mosfunksionimit të sistemit shëndetësor dhe veçanërisht të sistemit të urgjencës në Shqipëri.[3] Kjo të paktën pretendohet nga familjarët e viktimës por dhe nga autoritete të cilat e njohin mirë sistemin shëndetësor në Shqipëri siç është ish-ministri i Shëndetësisë, Z.Bardh Spahia. [4] Në fakt deklarata e tij është gati shokuese dhe nëse ajo është tërësisht e vërtetë atëherë nuk mund të flasim vetëm për dështim të sistemit të urgjencës, por për atrofizimin e sistemit shëndetësor në tërësi. (Për të ndjekur të plotë reagimin e tij dhe variantin që ai paraqet, ju lutem shihni linkun e mëposhtëm).
Megjithatë, ministri aktual Z.Beqaj, ka zhveshur nga përgjegjësitë stafin që supozohej se duhet të ishte në shërbim si dhe të gjithë strukturën në tërësi.[5] Sipas tij asnjë nga arësyet e pretenduara nga familjarët e viktimës apo palët e treta nuk janë të vërteta. Sigurisht që bën kuptim të mbrosh sistemin që ke ngritur dhe punonjësit që mbajnë në këmbë këtë sistem, por kjo nuk do të thotë të mos kërkosh dhe dënosh përgjegjësit për një akt kaq fatal. Zoti ministër, ndoshta është koha të zhvisheni nga kompleksi i të bërit gjithçka shumë mirë dhe të pranoni që PO, sistemi shëndetësor ka probleme, duke nisur që nga stafi mjekësor, ai administrativ, struktura në vetvete, që ka mungesë ilaçesh, që ka papërgjegjshmëri dhe PO duhet shumë punë e vullnet për ta përmirësuar. Ndjesë, por edhe sa pacientë të tjerë duhet të enden dyerve të spitalve me frikën se nuk do kthehen më në shtëpi??
APPA, ashtu sikurse një pjesë e mirë e të gjithë shqiptarëve beson fort se jemi ende në kohë të bëjmë diçka konkrete që nuk lidhet vetëm me shifrat disa milionëshe apo inagurimet e pajisjeve të reja nëpër qendrat spitalore, por të fillojë një herë e mirë të funksionojë kultura e llogari-dhënies dhe vendosja përpara përgjegjësive e të gjithë atyre që u mungon profesionalizmi apo kompetenca në atë që bëjnë. Në fund të fundit nuk ka më rëmndësi nëse shkoi apo jo në kohë ambulanca, nuk ka më rëndësi nëse mjekët në ambjentet e maternitetin bënë apo jo më të mirën e tyre, nuk ka më rëndësi as nëse ishte faji i ilaçeve ai që solli pasojat në fund, ajo që ndodhi nuk ç’bëhet më, por të paktën duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë “loja” “Unë e bëra mirë e fajin e ke TI”.
- Nuk zgjidhet gjithçka me para Zoti Ministër
Rikthehet dhe një herë në vëmendje debati mbi mungesën e mjekëve specialist nëpër rrethe. Prespektiva e nisjes së këtij debati është e ndryshme ndërmjet aktorëve të ndryshëm ku secili prej tyre argumenton sipas interesave dhe pozicionit që përfaqëson. Megjithatë është interesante skema e re që ministria e Shëndetësisë ka ngritur për vitin 2017 në lidhje me “joshjen” e mjekëve të rinj në mënyrë që këta të fundit të pranojnë të punojnë nëpër rajonet e Shqipërisë.[6] Në të njëjtën kohë në krye të deklaratës së tij ai pohon se prej 4 vitesh janë bllokuar kuotat e specializimeve në universitet. Në këtë pikë duhet të bëjmë një pakt: ose nuk ka mjek të rinj specializuar për shkak të bllokimit të kuotave dhe kjo është një arësye përse në rajone ka mungesë mjekësh; ose mjekët e rinj të cilët me një llogari të thjeshtë duhet të jenë specializuar para këtyre 4 viteve, nuk pranojnë të punojnë nëpër rrethe.
Në pamje të parë duket pak kontradiktore ajo që shpreh ministri Beqaj dhe akoma më shumë kur pohon se skema e re parashikon një ngritje page prej 100 mije lekë krahas pagës fikse, vetëm e vetëm që ata të shkojnë të punojnë nëpër rrethe. Sipas arësyetimit të ministrit, mjekët e rinj refuzojnë të shkojnë për shkak të mungesës së eksperiencës dhe frikës së ballafaqimit të vetëm më pacientin. Pra, më pak fjalë, në arësyetimin e tij do të mjaftonin 100 mijë lek dhe frika apo pasiguria do të zhdukej dhe gjithçka do të shkoj sipas parashikimeve. Përse vallë nuk mendon zoti ministër se ndoshta është infrastruktura se si është ngritur sistemi shëndetësor ai që i kthen pas mjekët e rinj dhe preferojnë të bëjnë një punë çfarë do në vend të profesionit të tyre, për të cilin më bësoni iu është dashur punë e mund për ta arritur. Ndër të tjera, Zoti ministër në vend që ti “joshë” me 100 mijë lek, mund të ngre një strukturë të re mbi praktikat e punë për mjekët e rinj në mënyrë që këta të fundit të rrisin vetëbesimin dhe të jenë më të përgatitur për tu ballafaquar me pacientin dhe përse mund të jenë disa km larg kryeqytetit. Pra, Zoti ministër, në vend që të mbani shpresat tek filozofija se “paraja zgjidh gjithçka” mund të ndiqni një tjetër strategji e cila mund të jetë jo vetëm më shumë efikase por krijon kushte dhe mundësi për të përmirësuar dukshëm sistemin aktual shqiptar.
[1] Ministria e Shëndetësisë. Shtator 2016: http://www.shendetesia.gov.al/al/newsroom/lajme&page=2&page=1
[2] Top Channel. Shtator 2016: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=334778
[3] Top Channel. Shtator 2016: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=335920
[4] Gazeta Panorama. Shtator 2016: http://www.panorama.com.al/ish-zv-ministri-i-shendetesise-sulmon-beqajn-ja-e-verteta-e-tragjedise/
[5] Gazeta Panorama. Shtator 2016: http://www.panorama.com.al/beqaj-reagon-per-vdekjen-e-nenes-shtatzene-ne-maternitet/
[6] Top Channel. Shtator: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=336181