
Megi LLUBANI, MSc
1- Më në fund projektligji për ‘’Mbrojtjen Civile”
Në janar të vitit 2015 Ministrja e Mbrotjes dhe Ministri i Punëve të Brendshme në një deklaratë të përbashkët bënë të ditur se brenda vitit 2015 do të miratohej ligji i ri dhe strategjia për mbrojtjen civile. Në vetë fjalët e Z. Tahiri: ‘’ Këtë vit mbaron hartimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare për Reduktimin e Rrezikut ndaj Fatkeqësive dhe Mbrojtjes Civile, dhe ndërkohë përfundojmë për pak kohë besoj ligjin e ri “Për mbrojtjen civile”, duke hedhur themelet për përballimin e emergjencave si nëpërmjet dijes, njohjes, edukimit dhe reagimit të qytetarëve, ashtu edhe për masat që marrin institucionet për parandalimin dhe përballimin e pasojave potenciale nga emergjencat civile”[1]
Nga vetë deklarata e Z. Tahiri, përfunojmë për pak kohë besoj, kuptohet dyzimi për afatin kohor të përfundimit të ligjit dhe miratimit të tij. Në fakt, ka kaluar 1 vit e 8 muaj dhe ligji jo vetëm nuk ka përfunduar por teknikisht as nuk ka filluar. Në fillim të muajit shtator, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjendet lajmi i mbledhjes së Grupit Ndërinstitucional të Punës për hartimin e projektligjit për Mbrojtjen Civile. Në raportin e muajit korrik u vu në dukje mungesa e theksuar e zbatimit të afateve kohore nga ana e Ministrsë për zbatimit e strategjisë se hartuar prej saj. Një sërë ligjesh dhe projektligjesh ose ende nuk kane nisur procesin e hartimit ose kanë tejkaluar afatet e vendosura në strategji. Nëse strategjia shërben si dokument udhëheqës për punën e kësaj ministrie në 4-5 vitet e ardhshme cili është justifikimi për performancë kaq të dobët nga ministria për përmbushjen e planit të saj? Cilat kanë qenë punët më të rëndësishme që kanë lënë mënjanë miratimin e ligjeve, akteve nënligjore dhe veprime të tjera të parashikuara në të. Ku qëndron efikasiteti i hartimit të një strategjie si dokument udhëheqës nëse kemi ndërmend ta injorojmë atë?
Bie gjithashtu në sy afati kohor i vendosur për përfundimin e tij: data 30 shtator.[2] Kjo do të thotë se grupit të punës i është vënë në dispozicion më pak se 1 muaj kohë për paraqitjen e draftit të ligjit. Një periudh kaq e shkurtër kohore e parashikuar duket se nuk lë vend për konsultime me publikun dhe aktorët e shoqërisë civile apo ekspertë të tjerë të jashtëm. Në frymën e ligjit për informimin publik dhe ligjit për konsultimin publik, miratuar me zell dhe me të drejtë, nga qeveria do të bënte edhe më tepër sens vendosja në praktike e tyre duke siguruar hapje dhe transparence më të madhe në vendimmarrje dhe politikbërje. Ndërkohë që një pjesë e mirë e termave mund të jenë të komplikuara dhe të vështira për publikun e thjeshtë, ka aktorë të tjerë dhe ekspertë që mund të japin kontribut të vlefshëm për t’u siguruar se ligji është në përputhje me kornizën më të gjerë legjislative shqiptare dhe me parimet e mbrojtjes civile, që do të sillnin më tepër efikasitet për qytetarët. Në raportin e muajit të ardhshëm do të përpiqemi të ofrojnë një analizë më të thelluar të projektligjit të propozuar, gjithmonë nëse grupi i punës do t’i përmbahet afatit kohor të vendosur.
2- Edhe njëherë për ‘’ligjin e kamerave’’
Në shtator pas diskutimesh dhe negociatash ndërmjet PS dhe LSI botohet në fletoren zyrtare varianti i rishikuar i ligjit për masat shtesë të sigurisë publike. Në gjenezat e diskutimit të këtij ligji APPA ngriti shqetësimin e shkeljes së privatësisë dhe keqpërdorimit të mundshëm të ligjit për qëllime personale ose politike. Në fakt, pas negociatave pala që propozoi ligjin u tërhoq prej disa pikave fillestare duke përfshirë këtu detyrimin për të gjitha bizneset që do të përballeshin me gjobitje nëse nuk plotësonin kërkesat e ligjit.[3] Vendosja e një analize të hollësishme risku që do të përcaktojë zonat me rrezikshmëri më të lartë dhe ku duhen vendosur kamerat e sigurisë është një ndryshim i mirëpritur dhe heq një barrë të madhe nga detyrimi i mëparshëm.[4]
Duhet thënë se teknologjia shpesh është burim i shtuar për zgjidhjen e sfidave dhe problemeve në sferën publike. Gjithnjë e më tepër qeveritë po mbështeten tek zhvillimet teknologjike për të adresuar probleme të rendit publik dhe kriminalitetit. Megjithatë, përtej dëshirës dhe përkushtimit për të gjetur zgjidhje efikase duhet treguar kujdes me përdorimin e këtyre mjeteve dhe shmangien e keqpërdorimit të tyre. Për ta ilustruar potencialin e keqpërdorimit, qoftë të paqëllimtë, vlen të bëhet një krahasim me masa ë ngjashme të ndërmarra në një nga qytetet me nivelet më të larta të kriminalitetit në Neë Jersey. Në përgjigje të gjendjes alarmante të trafikimit të drogës, dhunës dhe kriminalitetit në përgjithësi policia e Camden Neë Jersey vendos të shtojë masat e sigurisë duke rritur konsiderueshëm numrin e forcave policore dhe duke vendosur kamera sigurie pothuajse në cdo rrugë të qytetit. Mbrojtës të kësaj iniciative argumentuan se rritja e masave të sigurisë ka ndikuar në uljen e kriminalitetit dhe shton ndjesinë e sigurisë ndër anëtarët e komunitetit. Nga ana tjetër, kritikuesit e kësaj iniciative vune në pah problemet e mundshme me shkeljen e privatësisë, keqpërdorimit të të dhënave që merren prej tyre të cilat mund të ruhen për vite e vite me radhë dhe kthimin e këtij qyteti në ‘’qytet policor’’.
Në secilin vendim që marrim bëjmë kompromisë ndërmjet opsioneve që kemi zgjedhur dhe opsioneve që kemi lënë mënjanë. Megjithatë është detyra e politikbërësve që të kujdesen se mjetet e përdorura justifikojnë qëllimin e arritjes së sigurisë publike dhe nuk e tejkalojnë qëllimin e përdorimit të tyre për të mirën publike. Rasti i mësipërm reultoi pothuajse i dështuar. Megjithëse sfidat e përdorimit të kësaj teknologjie në një vend si Shtetet e Bashkuara, me karakteristika të ndryshme nga shoqëria shqiptare, nuk mund të përkthehen tërësisht në sfida të përdorimit të kamerave të sigurisë në Shqipëri, duhet gjithsesi të zhvillohet diskutim publik mbi anët pozitive dhe negative të përdorimit të këtyre masave shtesë të sigurisë.
[1] Marilda Kasaj, (26 Janar 2015). Brenda 2015 ligji I rid he strategjia per mbrojtjen civile. Ora Neës. Online: http://ëëë.oraneës.tv/vendi/brenda-2015-ligji-i-ri-dhe-strategjia-per-mbrojtjen-civile/
[2] Ministria e Punëve të Brendshme. (8 shtator 2016). Takim I Grupit Ndërinstitucional të punës për hartimin e Projektligjit Për Mbrojtjen Civile. Online: http://ëëë.punetebrendshme.gov.al/al/te-rejat/lajme/takim-i-grupit-nderinstitucional-te-punes-per-hartimin-e-projektligjit-per-mbrojtjen-civile&page=2
[3] Keti Banushi. (14 shtator 2016). Kuvend – Kamerat e Sigurise, Tahiri: Kemi rene dakord me LSI per ndryshimet. Ora Neës. Online: http://ëëë.oraneës.tv/vendi/tahiri-negociata-me-lsi-per-ligjin-e-masave-shtese-se-sigurise/
[4] Fletorja Zyrtare. (shtator 2016) Ligji ‘’Per masat shtese te sigurise publike’. Online: http://qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/181-2016.pdf