![Elena Pici, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/02/Elena-300x300.jpg)
Elena Pici, MSc
1-Tabloidi 9 Mujor i Financave
Atëhere kur shumë pushojnë, e pak zhurmë bëhet, në fillim të muajit Gusht, qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit nëpërmjet një akti normativ. Marrë parasysh që një ndryshim i tillë është bërë pothuajse i përvitshëm, i përdorur si nga qeveria Berisha dhe ajo Rama, të duket se ky është një instrumentë rutinë dhe i lejuar. Megjithatë ky nuk është rasti, pasi Akti Normativ, parashikuar në nenin 101 të Kushtetutës, ndërmerret vetëm ‘në kushtet e emergjencës’ dhe ‘për marrjen e masave të përkohshme’. Si rrjedhojë, Akti Normativ për të ndryshuar buxhetin përbën një shkelje të Kushtetutës[1]. Pavarësisht se Ministri Ahmetaj në fjalën e tij në Kuvend deklaroi se: ‘ Akti normativ vjen në një peizash tejet të përmirësuar ekonomik dhe me parametra jo të politizuar, por të certifikuar nga insitucione ndërkombëtare’[2], akte te tilla normative, që shmanging debatin parlamentar duke anashkaluar kompetencat e parlamentit në favor të qeverisë, ‘cënojë rëndë menaxhimin e financave publike, cënojnë transparencën, rrisin abuzivitetin dhe korrupsionin’ – siç është shprehur dhe ish-Ministri i Financave z. Malaj.
Apatia e muajit Gusht preku edhe financat, duke shënuar për herë të parë për vitin 2016 defiçitin në të ardhura, në vlerën 3.2 miliardë lekë.[3] Në këtë defiçit kanë ndikuar të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetsore, të ardhurat nga Pushteti Vendor dhe të ardhurat nga tatimet dhe doganat që mblodhën 883 milionë lekë më pak se sa plani. Shqetësues është fakti nësë ky muaj i mosrealizimit të të ardhura shënon nisjen e një trendi mosrealizimesh, duke qënë se targeti i të ardhurave për muajit ne vijim deri në fund të vitit është nje target në rritje, fakt ky që e ben realizimin e planit me sfidues. Nga ana tjetër, paaftësia e qeverisë për të realizuar në kohë shpenzimet buxhetore ka vijuar edhe këtë muaj (për më shumë referoju raporteve parardhese të APPA për Ministrinë e Financave).
Ndërkohë, të dhëna të tjera financiare duken më optimiste. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, investimet e huaja direkte vijuan tendencën e tyre rritëse dhe pozitive, ku peshën kryesore e zunë investimet në hidrokarbure, ndjekur nga sektori bankar dhe ai i telekomunikacioneve[4]. Megjithatë, është me rëndësi të sqarohet nësë të tilla të dhëna janë specifike për çdo muaj apo janë kumulative, pra investime të këtij muaji u shtohen atyre të muajve paraprakë. Edhe në rastin kur përllogaritja është kumulative, Ministri Ahmetaj, gjatë një interviste për Top Story, u shpreh se kjo mbetet një e dhënë pozitive dhe është rezultat i reformave që ka bërë kjo qeveri, ‘në të kundërt asnjë investitor nuk do të vazhdonte të qëndronte në Shqipëri’. Por, ky sqarim që jep Ministri duket sikur i mëshon më shumë faktit që asgjë nuk ka shkuar keq dhe si rrjedhojë investitorët nuk janë larguar, sesa i mëshon gjërave pozitive që qeveria ka bërë për të tërhequr investitorë të rinj. Së fundmi, duhet të përmendim që këto të dhëna nuk përfshijnë këtë periudhë të fundit 2 mujore, kohë gjatë së cilës ka ndodhur një ngjarje e shëmtuar me një investitorë të huaj. Dhuna fizike ndaj pronarit të kompanisë Omnix, ka bërë që ky investitorë të tërhiqet nga çdo investim në Shqipëri, që në total do të arrinte vlerën e 450 milionë euro. Nëse investimet e huaj do të vazhdojnë të jenë prioritet, trendi rritës do të jetë i pamundur nëse nuk ka një ambient të sigurt për këto investimet dhe për vetë investitorët.
Një e dhënë tjetër financiare e rëndësishmë janë eksportet. Pavarësisht se grafiku i eksporteve është rënës, vlen për të bërë një ndarje të këtyre të dhënave. Nëse të dhënave për eksportet ju zbresim eksportet e mineraleve dhe naftës, të cilat nuk varen nga prodhimi i brendshëm por nga tregjet ndërkombëtare, atëhere kurba e grafikut të eksporteve bëhet pozitive.
Së fundmi, trendet pozitive të ekonomisë dhe ulja e varfërisë në Shqipëri janë përmendur dhe në raportin e fundit të ekspertëve të Bankës Botërore[5]. Trendi pozitiv ekonomik që ky raport parashikon prek të gjitha vendet e Evropës Juglindore, por Shqipëria dhe Serbia përmenden veçanërisht si dy vende ku reformat kanë pasur një efekt pozitiv në uljen e deficiti fiskal dhe borxhit publik. Megjithatë, rritja ekonomike në vlerën 3.5% (vlera ‘ideale’ për një ekonomi të shëndoshë shqiptare) nuk parashikohet të arrihet përpara vitin 2018, konfirmuar kjo dhe nga deklarata e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Sejko. Prandaj edhe implementi i suksesshëm i reformave mbetet një faktor kyç paraprak.
2 – Opnion mbi ligjin e importimit të mbetjeve të riciklueshme
Miratimi nga Parlamenti i ligjit mbi importimin e mbetjeve të riciklueshme është bërë padyshim dhe me të drejtë tema kryesore e diskutimeve në shoqëri. Kjo temë trajtohet më gjatë në raporte të tjera të APPA-s, të cilat mbulojnë Ministritë më përgjegjësi të drejtpërsëdrejtë në lidhje me këtë ligj, por meqënëse argumenti kryesor i qeverisë është ai ekonomik, është me vlerë që shkurt të japim një opinion mbi këto argumenta ekonomikë edhe në këtë raport. Qeveria pretendon që industria e riciklimit do të punësojë rreth tre mijë veta. Por, a ia vlen të importojmë këto mbetje për të punësuar vetëm tre mijë veta, që përbëjnë vetëm 0.27% të të punësuarve në vend (bazuar në të dhënat e INSTAT)[6]? Gjithashtu qeveria pretendon se industria e ricilklimit ka investuar gjatë këtyre 25 viteve mbi 130 milionë euro në Shqipëri. Por, a ia vlen të importojmë këto mbetje për një investim që në vlerën e tij kumulative në 25 vjet është vetëm 3% e investimeve që bën ekonomia Shqiptare vetëm në një vit? Ne gjykojmë se pavarësisht rëndësisë së argumentave ekonomikë, në disa vendime impakti social dhe mjedisor duhet të ketë një peshë më të madhe. Qeveria pretendon se ndryshe nga tre vite më pare kur erdhën në pushtet dhe caktuan moratorium të ligjit Berisha mbi importimin e mbetjeve, industria e riciklimit ka rritur kapacitete e saj për të ricikluar lëndët që bëjnë pjesë në listën e gjelbër që ka miratuar ky ligj – pra, bëhët fjalë për një listë të mbyllur dhe jo të hapur të lëndëve që mund të importohen. Megjithatë, të dhëna mbi rritjen e kapacative ricikluese, sigurisë në punë dhe sigurisë mjedisore nuk janë transparante. Nëse nuk garantohet siguria mjedisore, ajo në shendetin e qytetarëve dhe impakti social, argumenti ekonomik i qeverisë pas disa viteve mund të kthehet në një kosto ekonomike, ku investimet që do të duhet të bëhen në mjedis dhe shëndetësi nuk do t’i justifikojne fitimet PUBLIKE nga kjo industri, për të mos përmendur plagën sociale që do të shkaktonte.
[1] Erebara, Gj. Gusht 2016. Akti normativ i buxhetit si shkelje e Kushtetutes. http://ëëë.reporter.al/akti-normativ-i-buxhetit-si-shkelje-e-kushtetutes/
[2] Ministria e Financave. Shtator 2016. Reformat, platforma ku rritet ekonomia e vendit. Rishikimi i buxhetit, përshpejtojmë projektet e investimeve publike. http://ëëë.financa.gov.al/al/neësroom/lajme/reformat-platforma-ku-rritet-ekonomia-e-vendit-rishikimi-i-buxhetit-pershpejtojme-projektet-e-investimeve-publike&page=1
[3] Erebara, Gj. Shtator 2016. Ministria e Financave shënon deficitin e parë të të ardhurave për vitin 2016. http://ëëë.reporter.al/ministria-e-financave-shenon-deficitin-e-pare-te-te-ardhurave-per-vitin-2016/
[4] Monitor.al. Shtator 2016. Investimet e huaja rriten kete 6 mujor. http://ëëë.monitor.al/investimet-e-huaja-rriten-34-6-per-6-mujorin/
[5] Reporter.al. Shtator 2016. Raporti i BB: Shqipëria, parashikohet trend pozitiv i rritjes ekonomike dhe ulje e varfërisë. http://ëëë.reporter.al/raporti-i-bb-shqiperia-parashikohet-trend-pozitiv-i-rritjes-ekonomike-dhe-ulje-e-varferise/
[6] Tomorri, K. Shtator 2016. Facebook personal.