![Marcela TRINGAJ, LLM](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/07/Marcela-TRINGAJ-LLM-210x300.jpg)
Marcela TRINGAJ, LLMbujq
Probleme të vazhdueshme me tregtimin e gjedhit
Të punohet me zell, përgjegjësi dhe me vrull aksioni vetëm mbas urdhrit të ministrit, prej dekadash është kthyer në moton e gjithë administratës në vend. Kështu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bazë të urdhrit të Ministrit Panariti, ka qënë e angazhuar në marjen e masave kufizuese në vend për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes Dermatoza Nodulare që prekën gjedhin e vendeve fshinje dy muaj më parë dhe në ato pak raste dhe vendin tone gjatë gushtit. Por duket se ky rast ka vënë në lëvizje autoritetet vendase jo vetëm për të evidentuar rastet konkrete të sëmundjes në gjedh por edhe për të hetuar punën e 12 drejtorive rajonale nëse ka shkelje të urdhërit të Ministrit Panariti apo të ligjit, nga vetë inspektorët dhe marrjen e masave të nevojshme ndaj tyre.[1] Në raste të jashtëzokonshmë edhe angazhimi duhet të duket i jashtëzakonshëm.
Në vijim, nga deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të AKU se puna në terren e inspektorëve rajonalë ka qënë e madhe, nuk bëhet me dije se sa efikase ka qënë rezultati duke pasur statistika të cunguara dhe jo të plota. Për më tepër, kjo pune “e madhe” e institucioneve përgjegjëse është e përqëndruar vetem në ferma me mbi 20 krerë gjedhë[2]. Kjo nënkupton se vaksinimi nuk mund të kryhet plotësisht në të gjithë fermat. Konkretisht, ministri Panariti u shpreh se do të ketë zevendësime të krerëve të sëmura me krerë të shëndoshë por ende nuk ka një konfirmim zyrtar se kur dhe se si realisht do të do të kryhet i gjithë proçesi i dëmshpërblimit.
Në vend, ende mbetet një problem madhor shitja e gjedhit dhe e shpendëve në amjente të papërshtatshme dhe jo të paracaktuara nga intitucionet përgjegjese. Ende nuk ka një zgjidhje afatgjatë dhe të mirëmenduar për tregje të përshtatshme për shitjen e bagëtive dhe shpendëve në pjesën dërmuese të vendit. Shqetësuese mbetet edhe shërbimi veteriner në rrethe i cili nuk mund t`i përgjigjet në kohë reale problematikave në raste emergjence por edhe në kushte normale për shkak të mungesës së personelit. Për mos te folur më pas për mungesën specialistëve dhe profesionstëve, laboratorëve dhe mjeteve specifike të nevojshme për të ushtruar funksionet përkatëse dhe infrastrukturën e rënuar e cila vonon dhe pengon shërbimet në zonat e largëta. Si pasojë bëhet më e vështirë implementimi i strategjive të cilat parandalojnë dhe parashikojnë situatat emergjente dhe marrjen e masave për reagimin në kohë në rikuperimin shpejt të pasojave.
Veç kësaj, transporti i gjethit nga fermat në pikat e shitjes apo thertore kryhet ende me mjete të papërshtatshme. Më shqetësuese janë kushtet higjeno-sanitare të thertoreve e më pas transporti jashtë çdo standarti (shpesh në bagazhe makinash) i mishit deri në pikat e shitjes apo vetë kushtet e tregtimit në markete apo dyqane. Gjithë ky rrugëtim nën hundën e inspektorëve te AKU pohon turpin dhe mungesën e përgjegjësise institucionale, në ditë të zakonshme pune, pa një urdhër veprimi nga vete Ministri.
- (Pa)siguria ushqimore
Siguria ushqimore mbetet ende një problem i prehtë për konsumatorin. Parimit që konsumatorit duhet t`i sigurohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm lidhet me detyrimin e institucioneve përgjegjëse për ta garantuar këtë të drejtë. Ligji mbi ushqimin ekziston që prej vitit 2008[3] dhe ka për qëllim të vendosë bazat e sigurisë ushqimore duke garantuar shëndetin publik në çdo hallkë të proçesimit ushqimor duke filluar nga përpunimi, transporti, informacioni i nevojshëm bashkëngjitur produktit, kërkesat për nxjerrjen në treg të ushqimeve etj. Për shumë biznese sfida e ushtrimit të aktivitetit në fushën ushqimore, duke respektuar rigorozisht standartet e sigurisë ushqimore është kthyer në një model të rëndesishëm që kërkon promovim dhe mbështetje të gjithëanshme. Pjesa e errët e kësaj medaljeje është fakti së shumica dërmuese e bizneseve të cilët ua dedikojnë aktivitetin e tyre tregtar proçesimit ushqimor, kanë shkelje të rënda të sigurisë ushqimore, të paktën në një nga hallkat e praktikës së aktivitetit të tyre.
Probleme madhore mbeten sidomos: mosrespektimi i kushteve higjeno-sanitare, fitosanitare apo kushtet teknologjike e ato teknike që nga prodhimi, etiketimi, transportimi dhe deri te shitja e produkteve ushqimore. Shpesh lëndët e para janë të pasigurta dhe për to mungon shpesh informacioni i plotë në etiketë. Etiketimi është një problem me vehte. Produkte si mishi tregtohen në mungesë të plotë të kontrollit veterinar dhe nuk ofrohen në treg as të etiketuara. Në rastet e produkteve të përpunuara të mishit, etiketat nuk përcaktojnë as prejardhjen dhe as përberjen e tyre. Të tilla kanë dhe fatin dhe prodhimet blektorale që shiten në cmime qesharake dhe pa një siguri nese kafshët kanë qënë të shëndetshme dhe të vaksinuara më parë. Produkte si këto dhe të tjera kontaminohen më pas nga paketimi me ambalazh të ndaluar për produkte ushqimore dhe me shumë produkte të tjera ushqimore, lehtësisht mund të abuzohet me datat e skadencave. Kjo e fundit është kthyer në biznes më vehte ku shumë produkteve ushqimore rietiketohen me data të reja e rihidhen në treg për konsumim.
Proçesimi ushqimor shpesh kryhet pa drejtimin e një specialist përkatës dhe në vende që nuk respektojnë standartet bazike higjeno-sanitare. Për të mos përmendur më pas transportin dhe vendit të shitjes së këtyre produkteve tek konsumatori i fundit. Mbetet ende problem tregtimi vend e pa vend e produkteve të fshatit që u kthye këtë vit në lojën maces dhe të miut mes policisë bashkiake të retheve dhe vetë fshatarëve. Duket se ky lloj persekutimi nuk arriti të zevendësohej nga politika proaktive për t`i orientuar prodhuesit lokal drejt përmbushjes së standarteve të kerkuara nga ligji madje duke mos i adresuar as në një vend të përshtatshëm për shitjen e tyre. Duhen investime, thuhet, por nëse vendoset që një herë ne javë tregjet e zakonshme të fruta-perimeve, në çdo qytet të përdoren nga fermerët dhe kultivuesit familjarë për të tregtuar produktet e tyre, ky sygjerim do të ishte një nga zgjidhjet për këtë problem.
Shpesh denoncimet mediatike të skandaleve me sigurinë ushqimore janë vetëm maja e ajsbergut e gjithë historikut të abuzimeve dhe shkeljeve të rënda të Ligjit mbi Ushqimin. Rryshfete, korrupsion aktiv e pasiv, thyerje të etikës profesionale nga ana e inspektorëve, gardianëve të sigurisë ushqimore e kthen temën e sigurisë ushqimore në një debat të hapur dhe tejet shqetësues për një shëndet të sigurt për të gjithë.
[1] AKU, hetim tregëtimit të mishit dhe punës së drejtorive rajonale
[2] Panarit inspekton proçesin e vaksinimit të gjedhëve http://ëëë.shekulli.com.al/p.php?id=468952&panariti-inspektoi-procesin-e-vaksinimit-ndaj-dermatozes-nodulare
[3] Ligji nr.9863, datë 28.1.2008 , Për Ushqimin
http://ëëë.bujqesia.gov.al/files/userfiles/legjislacion/Ligji_per_ushqimin.pdf