![Rigels XHEMOLLARI, MSc](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/03/R.-Xhemollari-300x300.jpg)
Rigels XHEMOLLARI, MSc
1- Autonomia e Universiteteve vetëm në teori, paratë do i menaxhojë MAS
Megjithëse teorikisht qëllimi kryesor i ligjit për arsimin e lartë është të sigurojë autonomi dhe pavarësi financiare për universitetet, praktikisht në zbatim po ndodh e kundërta.[1] Në ligj theksohet se organi kryesor për menaxhimin financiar dhe administrativ të universitetit është Bordi i Administrimit. Ky organ do të vendosë për menaxhimin e pasurisë, pronave, instituteve dhe punësimit brenda IAL-ve. Madje edhe në ndarjen e zyrave dhe shkumësave për pedagogët do të vendosë Bordi. Deri këtu teorikisht nuk shohim ndonjë akt që cenon sovranitetin apo pavarësinë e universiteteve. Kontrolli ministror mbi pasurinë e IAL-ve publike del në pah nga përbërja e Bordit të Administrimit, i cili përbëhet nga shtatë anëtarë, ku katër prej të cilëve janë përfaqësues të emëruar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe tre përfaqësues të universitetit, në rastet kur institucioni siguron vetë më pak se pesëdhjetë për qind të buxhetit afatmesëm. Kjo skemë për të kontrolluar ekonomikisht universitetin nga ana e MAS do të prodhojë edhe kontroll akademik, pasi brenda institucionit nevojat e administrimit janë në funksion të atyre akademike. Absurdi tjetër që bie në sy është mos përfshirja e studentëve apo Këshillave të Studentëve në Bordin e Administrimit të përbërë vetëm nga të besuarit e MAS dhe tre përfaqësues të IAL-ve. Fryma dhe qëllimi i ligjit nr. 80/2015 për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në këtë rast bie ndesh me praktikën e administrimit të universiteteve publike, të cilat në pamjaftueshmëri financiare do ti nënshtrohen kontrollit ekonomik dhe politik të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
2- Edhe ky vit akademik pa doktoratura dhe Kartën e Studentit
Viti akademik 2016 – 2017 është viti i katërt që universitetet publike nuk kanë të drejtën e kuotave të doktoraturës, është viti i katërt që shkencës në Shqipëri i është bërë bllok për shkak të mungesës së një ligji apo me keq akoma të disa akteve nënligjore. Ministria e Arsimit dhe Sportit premtoi se aktet nënligjore do të dalin në bllok duke hapur edhe një tender publik për hartimin e tyre, por siç duket ky institucion ka nxjerrë dhe firmosur vetëm aktet që i kanë interesuar duke djegur në këtë mënyrë edhe për këtë vit dëshirën e qindra kandidatëve për doktorantë për të bërë kërkimin e tyre pranë fakulteteve të IAL-ve publike dhe private. E njëjta dilemë dhe problematikë vazhdon të mbajë të parealizuar Kartën e Studentit, një e drejtë e përmendur në nenin 100 të ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Shoqëria civile dhe organizatat rinore dhe studentore kanë depozituar në muajin maj të këtij viti pranë MAS edhe draftet e gatshme (VKM dhe Udhëzim i Ministrit) të studiuara dhe konsultuara nga ekspertë për vënien në zbatim të Kartës së Studentit por si përgjigje kanë marrë një heshtje të pakuptimtë dhe shpërfillëse nga ana e institucionit.
3- Këshillat Studentore të paralizuar nga autoriteti i rektoratit
Sipas nenit 99 të ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, studentët kanë të drejtë të organizohen në këshilla studentorë në nivel njësie kryesore, institucioni të arsimit të lartë, si edhe në nivel kombëtar.[2] Këshillat e Studentëve në të shumtën e fakulteteve dhe universiteteve janë in-aktive dhe nuk kanë zhvilluar zgjedhje prej të paktën 5 vjetësh. Organizimi dhe reagimi i fundit i një këshilli studentor ishte ai i Fakultetit të Ekonomisë ku nën orientimin e pedagogëve u kundërshtua ndërtimi i një godine pranë fakultetit. Sipas ligjit dhe statuteve të IAL-ve publike organet drejtuese duhet të organizojnë çdo dy vjet zgjedhjet për Këshillat Studentore, si organizmat kryesore që përfaqësojnë interesat e studentëve, por kjo gjë prej vitesh nuk ndodh. Mos organizimi i KS ka sjellë mos-reagim për rritjen e tarifave, korrupsionin e pedagogëve dhe padrejtësitë në cilësinë e mësimdhënies dhe ofrimit të shërbimeve. Kujt i intereson një universitet pa Këshilla Studentorë? Sigurisht atyre që duhet të organizojnë zgjedhjet e tyre ose atyre që rrisin çdo vit tarifat e masterit e bachelor-it.
[1] http://www.arsimi.gov.al/al/newsroom/ligje/ligj-nr-80-2015-per-arsimin-e-larte-dhe-kerkimin-shkencor-ne-institucionet-e-arsimit-te-larte-ne-republiken-e-shqiperise&page=1
[2] http://www.fshn.edu.al/home/statuti–i-universitetit-t-tirans