- Shkurtohet buxheti i Ministrisë së Transportit
Me aktin normativ, buxheti i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës është shkurtuar. Siç është pasqyruar në tabelën e mëposhtme vihet re dukshëm shkurtimi, në fondet e transportit rrugor me 8.2 % apo në fondet e furnizimit me ujë dhe kanalizime me 17.1%. Uljen më të madhe ka pësuar fondi që ishte caktuar për transportin detar, me 45.4%
Po çfarë pritet të ndodhë pas shkurtimit të fondit të transportit rrugor me 1.7 miliardë lekë? Ku do të ndihet efekti negativ?
Së pari, do të kemi mosrealizim të projekteve që janë planifikuar apo ndërprerje të projekteve që janë aktualisht në zhvillim e sipër.
Së dyti, do të kemi akumulim të borxhit ndaj bizneseve, që kanë nënshkruar që në fillim të vitit kontrata për punime në rrugë. Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në të shkuarën. Kjo do të ndodhi sepse tenderimet janë bërë që në fillim të vitit, kur buxheti për transportin rrugor ishte përcaktuar të ishte 21.8 miliardë lekë.
Së treti, do të ndodhemi në situatën që do të kemi projekte të pambuluara plotësisht me financim, do të ulet eficienca e punimeve, çka do të ndikojë direkt në cilësinë që do të kenë investimet në përfundim të tyre, gjithmonë nëse do të arrihet që të realizohen.
Së fundmi, por jo më pak i rëndësishëm është efekti negativ që do të shkaktojë në mirëmbajtjen e rrugëve. Në raportin e fundit të Bankës Botërore, është përllogaritur që për 5 vite e ardhshme do të duhen 400 milionë dollarë për të përmirësuar gjendjen aktuale të tyre dhe për të mos lejuar shkatërrimin e tyre të mëtejshëm. Në nëntor të 2014, Haxhinasto deklaroi se do të ketë 4.4 miliardë lekë në dispozicion për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore. Me zvogëlimin e buxhetit të transportit rrugor, është ulur dhe ky zë. Do të kemi më shumë kilometra që do të shkatërrohen nga fondi ynë rrugor, kosto më të larta për përdoruesit e këtyre rrugëve si në karburant, në kohë dhe në amortizimin e automjetit. Si rrjedhojë më shumë rrugë që do të duhet të rikonstruktohen në të ardhmen, që do të thotë do të shkojë 3-5 herë më shtrenjtë se kostot e mirëmbajtjes së saj.
- Duam betejë ligjore ndaj koncesionarit gjerman
Kemi “fatin” të kemi një nga aeroportet më të shtrenjta në rajon dhe Europë, ku shërbimi ajror është luks.
Ka 10 vjet që qielli shqiptar është peng i shoqërisë gjermane, si pasojë e një marrëveshjeje koncesionare. Kjo është dhe arsyeja pse aeroporti ka taksa të larta aeroportuale për kompanitë ajrore. Taksa të cilat ndikojnë direkt në çmimin e biletave që u ofrohen pasagjerëve. Një pasagjer shqiptar që zgjedh të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit të përfshira në biletë, ka taksën aeroportuale 12.5 euro, taksën e sigurisë 4 euro, taksën e kalimit të kufirit 10 euro. Pra në total 26.5 euro, dyfish më shumë se taksat që aplikohen në aeroportin e Korfuzit (12 euro). Pa harruar dhe koston e shtuar të karburantit, i cili në Shqipëri është 25% më i shtrenjtë se në Europë.
Sipas kronikave në media, fillimisht në nëntor të vitit 2013 dhe më pas në janar të 2014, ministri Haxhinasto ka deklaruar zyrtarisht ndërtimin e një aeroporti të ri në Sarandë, punimet e të cilit priteshin të fillonin që në dhjetor të vitit 2014. Në maj të këtij viti, në prag të fushatës elektorale filloi të mëshohej përsëri mbi këtë lajm. Jemi në gusht të 2015 dhe asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë nga deklaratat dhe premtimet e ministrit nuk janë realizuar. Pse këto “negociata” po marrin kaq shumë kohë? Pse Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nuk është transparente me publikun shqiptar dhe të informojë atë se ku konsistojnë këto “negociata” me koncesionarin gjerman?
Qeveria ka për detyrë dhe është përgjegjëse të mbrojë interesat e çdo individi që jeton në territorin shqiptar. Për këtë i vijnë në ndihmë institucionet e tjera si p.sh.: Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka kompetencë për të kryer një hetim për këtë rast. Do të ishte mirë që qeveria shqiptare, të kërkojë zyrtarisht ndryshim të kontratës, ashtu siç parashikohet si mundësi edhe në Ligjin për Koncesionet. Në rast se kjo dështon le t’i hapë betejë ligjore koncesionarit gjerman.
- Kush fiton, qeveria apo Copri-Aktor?
Një konflikt që ka nisur muaj më parë për shkak se kujt do t’i njihen shpenzimet për riparimin e rrugës së dëmtuar nga rrëshqitja e dheut. Rezultati i këtij konflikti është pezullimi i punimeve nga kompania “Copri – Aktor”, në segmentin Bërzhitë – Ibë. Punonjësit e kompanisë deklarojnë se shkak i bllokimit të punimeve nga ana tyre është bërë moskryerja e detyrimeve financiare që ka kompania ndaj punonjësve të saj. Kjo e fundit thotë se pagesat e punonjësve nuk janë kryer sepse shteti nuk ka paguar detyrimet ndaj kompanisë. Ministri Haxhinasto ka deklaruar: “Nuk përjashtojmë edhe përfundimin e kontratës me kontraktonin aktual dhe realizimin e përfundimit të punimeve ndoshta me një kompani tjetër”. Ky konflikt duhet zgjidhur sa më parë sepse janë qytetarët ato që po mbartin pasojat. Duke u detyruar të përdorin një rrugë që nuk ofron minimalisht as sigurinë teknike.
Referenca:
- Artikull: Ulet buxheti i rrugëve
(http://shqiptarja.com/Ekonomi/2733/ulet-buxheti-i-rrugeve-rrezikohen—detyrime-te-reja-ndaj-biznesit-310607.html - Artikull: BB, 80 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve
http://balkanweb.com/gazetashqiptare/bb-80-milione-dollare-per-mirembajtjen-e-rrugeve/ - Artikull: Ministri Haxhinasto, Buxheti i propozuar për 2015-ën
http://www.transporti.gov.al/al/neësroom/lajme/ministri-haxhinasto-buxheti-i-propozuar-per-2015-en-ne-linje-me-prioritet-e-qeverise&page=4 - Artikull: Haxhinasto, Aeroportët e rinj, mundësi në jug dhe në Kukës
http://news.albanianscreen.tv/pages/news_detail/71045/ALB - Kronikë: Skandali me çmimet e biletave në Rinas, fluturimet nga Shqipëria më të shtrenjtat në Europë
http://tvklan.al/skandali-me-cmimet-e-biletave-ne-rinas-fluturimet-nga-shqiperia-me-te-shtrenjtat-ne-europe-2/ - Ligji për Koncesionet.
- Aktet ligjore dhe nënligjore në fushën e konkurrencës
http://www.caa.gov.al/uploads/publications/Aktet%20Ligjore.pdf - Artikull: Pezullohet rruga Tiranë-Elbasan. Qeveria, Mund të ndërpresim kontratën
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305381