
Blerina Llalla
1- Shërbim në emër të progresit?
Sipas publikimeve të bëra gjatë muajit gusht në ueb sajtin e Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike mësojmë se në vijim të programit “Inovacioni kundër korrupsionit-Ngritja e një modeli shërbimesh me në qendër qytetarin”, tashmë ka arritur të marrë mbështetjen e radhës nga Banka Botërore, nga ku Bordi i Drejtuesve Ekzekutivë i BB ka miratuar një financim prej 32 milionë dollarësh amerikanë për “Projektin e ofrimit të shërbimeve me në qendër qytetarin”.
Sikurse është thënë dhe në muajt paraardhës, këto investime do të shkojnë në mbështetje të reformës, e cila pritet të transformojë mënyrën se si administrata publike ju shërben qytetarëve dhe biznesit. Të gjitha shërbimet e institucioneve shtetërore për publikun do të ofrohen në një model të ri, me sportele të grupuara, duke synuar shkurtimin e kohës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, sipas parimeve të shërbimit ndaj klientit. Sipas publikimeve dhe raportimeve të herëpashershme gjatë promovimit të programit, na bëhet me dije se kjo reformë synon njëkohësisht t’i presë rrugën korrupsionit, pasi tashmë sportelet ku do të merret shërbimi nuk do të varen më nga institucionet që i prodhojnë këto shërbime. Sportelet do të funksionojnë mbi bazën e procedurave tërësisht të reja dhe të afateve kohore të përcaktuara qartë.
Modernizimi i shërbimeve të ofruara qytetarit dhe biznesit, sipas praktikave më të mira të BE dhe atyre ndërkombëtare do të arrihet nëpërmjet:
- Thjeshtimit dhe standardizimit të procedurave administrative;
- Dixhitalizimit të shërbimeve dhe ngritjes së sistemeve teknologjisë së informacionit;
- Zgjerimit të hapësirave për marrjen e informacionit të shpejtë dhe të saktë për shërbimet nga qytetarët;
- Ngritjes së mekanizmave për mbledhjen e mendimeve dhe vlerësimeve të qytetarëve për shërbimet, për të siguruar përmirësimin në vazhdimësi të tyre.
Puna për këtë program ka nisur prej më se një viti, kohë gjatë së cilës është kryer inventarizimi i shërbimeve publike që ofron administrata publike qendrore si dhe kodifikimi i këtyre shërbimeve. Aktualisht po punohet për hartimin e formularëve që do të përdoren për marrjen e shërbimeve. Këta formularë do të jenë standard dhe të bazuar në një model të vetëm. Reforma në Shërbimet Publike është një nga 6 prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe si e tillë ajo po realizohet me një angazhim të posaçëm të Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike si dhe strukturave përkatëse në varësi të saj.
Në të njëjtën kohë vlen të kujtojmë se ky financim vjen në kuadrin e partneritetit të vendit tonë me BB e cila do të ofronte mbështetjen e jashtëzakonshme për Shqipërinë ne fuqizimin ekonomik dhe po kështu futjen e vendit ne BE. Për këtë gjatë muajit maj të këtij viti Bordi Ekzekutiv i BB aprovoi Kuadrin e Partneritetit me Vendin (KPV) për Shqipërinë për vitet 2015-2019 I cili propozoi një program huadhënieje prej 1.2 miliard dollarësh për një periudhe pesë vjeçare. Kjo do të bënte që Grupi i BB do të rriste dhe thellonte mbështetjen për reformat në Shqipëri, të cilat synojnë vendosjen e qëndrueshmërisë makro-fiskale, nxisin rritjen e sektorit privat dhe një qeverisje të përgjegjshme. KPV mbështet tri fusha kryesore. Nën prioritetin e parë të qëndrueshmërisë fiskale dhe stabiliteti financiar. Në prioritetin e dytë të nxitjes së rritjes së sektorit privat, ku GBB do të ofrojë mbështetje për rritje të konkurrueshmërisë dhe krijimit të vendeve të punës dhe për të shmangur pengesat në mjedisin e biznesit dhe mungesat në infrastrukturë.
Në fushën e tretë të Forcimit të menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve, mbështetja e GBB-së do të synojë rritjen e besimit të qytetarëve në qeverisje, përmirësimin dhe ofrimin e shërbimeve publike, si dhe aksesin në shërbime bazë.
Përpos impakteve pozitivë që mund të kenë nisma dhe financime të tilla, ajo që do të na shqetësonte ne mbetet rritja e borxhit publik dhe mos përmirësimi në kohë apo mos realizimi brenda afateve të shumë projekteve nga liderët aktualë të dikastereve të ndryshme po aq sa edhe i MIAP. Duke shpresuar por dhe duke analizuar situatën e krijuar në vend ku vihet re një rritje e nivelit të varfërisë dhe të papunësisë ritheksojmë se një ndër prioritetet e kësaj Ministrie duhet të mbetet mirëfunksionimi i Administratës Publike, sigurimi i proceseve transparente të konkurrimeve për punësim duke ushtruar një kontroll më të imtësishëm mbi procedimin e aplikimeve që në fazën fillestare deri në atë finale, për të pasur kështu dhe një impakt më pozitiv në rritjen e shkallës së punësimit.
Kjo sepse mbivendosja e reformave, përfshi këtu ato politike dhe ato administrative kanë sjellë shkurtimin e shumë vendeve pune në administratë dhe përpos kësaj ato trajnime të kryera nga projekte dhe programe stimuluese nga kjo ministri nuk janë mjaftueshëm eficiente në ofrimin e shërbimeve, (sjellim ndërmend këtu burokracitë me të cilat vazhdon të përballet shumëkush nga ne), po aq sa edhe në proporcion me të trajnuarit, nga ku duhej të kishte pasur një shtrirje me të gjerë dhe në shtresa të tjera të popullatës, jo vetëm atyre që janë brenda mureve të administratës.
Ndaj rruga drejt një shërbimi sa më transparent për të sfumuar apo për të luftuar sadopak sistemet korruptive dhe korrupsionin në administratë, nuk fillon vetëm projektimi i ideve për përparim dhe sigurimi i parave apo i borxheve me sa të mundemi nga çdo investitor apo donator i cili ka në thelb të filozofisë ndihmëse vetëm interesat vetjake apo të shtetit prej nga gjenerohen këto të ardhura.
Situata aktuale në vend na flet vetëm për largime dhe kërkesa për azil ekonomik e politik, për rritje të nivelit të papunësisë, rënie të standardit jetik, rritje taksash dhe falimentime biznesesh e të tjera subjekte private. Kështu që përpara se të flasim për shërbimet inovative, nuk duhet të harrojmë prioritetet e secilit dikaster, politikat e aplikuara dhe të rishikohen strategjitë apo praktikat e implementimit. Vetëm pasi të kemi parë impaktin e këtyre projekteve apo strategjive dhe premtimeve politike do të mund të flasim për arritjet inovative në emër të progresit. Larg paradave dhe shkrimeve himnizuese dhe vetëm premtuese.
Referenca:
http://www.albanianscreen.tv/m/lajme.php?id=89806&kat=128
http://www.worldbank.org/sq/neës/press-release/2015/05/21/country-partnership-frameëork-albania