A.P.P.A.A.P.P.A.A.P.P.A.A.P.P.A.
  • KREU
  • BLOG
  • APPA
  • EKIPI

    Raport Gusht 2015 – Ministria e Punëve të Brendshme

    Megi Llubani

    Megi Llubani

    1- Transparencë në tentative

    Në tetor të vitit të kaluar kaloi në parlament një ligj i rëndësishëm që do të vendoste bazën për funksionimin e programit të transparencës në institucionet publike. Ligji mbi të Drejtën e Informimit sjell një sërë risish pozitive për rritjen e aksesit dhe transparencës së institucioneve publike në Shqipëri në nivel qendror dhe vendor. Ndër risitë kryesore që sjell ligji mund të përmendim shkurtimin e afateve të trajtimit të kërkesës për informacion në 10 ditë duke saktësuar rastet e zgjatjes së këtij afati dhe duke konsideruar refuzim çdo mostrajtim të saj. Gjithashtu janë shtuar kategoritë e informacionit pa kërkesë, si pjesë e programit të transparencës që vihet në dispozicion të publikut. Mosvënia në zbatim e këtij programi dhe rishikimi i tij vlerësohen si kundërvajtje administrative. Nga ana institucionale ligji ka bërë që në çdo institucion publik të vendoset një koordinator për të drejtën e informimit.

    Transparenca dhe e drejta e informimit zë një vend të veçantë në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, ku detajohet zbatimi i programit të transparencës nga ana e Ministrisë dhe të gjithë informacionet që lidhen me shërbimet ndaj publikut në këtë kategori.

    Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve në kuadër të këtij programi nuk është përditësuar që prej muajit prill të këtij viti. Edhe në regjistrin aktual janë parashtruar vetëm 3 kërkesa dhe përgjigje përkatëse. Nuk dihet nëse ky regjistër nuk është përditësuar pasi asnjë qytetar shqiptar nuk i ka drejtuar ndonjë kërkesë për informacion këtij institucioni. Një arsye tjetër e mos përditësimit mund të jetë edhe vazhdimësia e traditës së përgatitjes së ligjeve, politikave, programeve e planeve të veprimit që mbeten vetëm në letër pasi nuk ekziston gatishmëria dhe dëshira për t’i zbatuar ato. Mbetet për t’u monitoruar ky aspekt nga shtatori e në vijim.

    Në përputhje me programin e transparencës, parashikohet që ministria të publikojë informacione pa pasur nevojën e një kërkese specifike nga publiku. Ndër to:

    1-       Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;

    2-       Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit;

    3-       Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit. Në ato raste kur autoriteti publik vetëfinancohet nga tarifat e licencave ose çdo formë tjetër e financimit të drejtpërdrejtë nga subjektet e rregulluara prej tij, bëhen publike edhe dokumentet që tregojnë gjendjen e shlyerjes së detyrimeve nga subjektet e licencuara

    Nga këto tre kategori të parashtruara në programin e transparencës asnjëra nuk gjendet në faqen zyrtare të ministrisë, përkundër asaj që zotohet. Gjithashtu, kategoria e legjislacionit, duke përfshirë nënkategoritë e ligjeve, VKM-ve, raporteve, Plane etj. janë ose tërësisht të padisponueshme, pra nuk ka asnjë material bashkëngjitur, ose kanë mbetur të pa përditësuara që nga viti 2014.

    Në këtë pikëpamje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, në vlerësimin që i bën përmbushjes së ligjit për të drejtën e informimit dhe planet vepruese shoqëruese, duhet t’i rekomandojë kësaj ministrie zotim më të madh ndaj angazhimeve për rritjen e transparencës së punës së saj dhe aksesin nga ana e publikut.

     

    Referenca:

    Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online:

    www.punetebrendshme.gov.al

    INFOCIP. Botohet ne Fletoren Zyrtare ligji i ri për te drejtën e informimit. Online:

    http://www.infocip.org/al/?p=11386

    Ndaje raportin me miqtë në: Share on Facebook
    Facebook
    Tweet about this on Twitter
    Twitter
    Share on LinkedIn
    Linkedin

    Related



    Rruga Ismail Qemali (Ish Blloku)
    Pallati 34/1, H 4, Kati 2 Ap 6,
    Tiranë, Shqipëri



    +355 67 27 27 555



    info@appa.al

    >Facebook
    >Twitter
    >LinkedIn

    • KREU
    • BLOG
    • APPA
    • EKIPI
    A.P.P.A.