- Rreziku që u kanoset lumenjve
Projektet aktuale të HEC-eve kërcënojnë të dëmtojnë përfundimisht ekosistemet e lumenjve të Shqipërisë. HEC-et janë kthyer në një investim që preferohet sepse në të shumtën e rasteve financohen nga fondet europiane si ndihmë për të nxjerrë vendin nga kriza energjitike. Aktualisht janë 500 HEC-e të vogla që punojnë, janë në ndërtim ose po planifikohen të ndërtohen në Shqipëri. Të gjithë këto vetëm për të prodhuar më pak se 4% të energjisë së vendit.
Ndodhemi në situatën kur janë dhënë licensa pa kryer studime paraprake. Studime për të kuptuar nëse ka tregues për të mbështetur që prodhimi i energjisë është fitimprurës, por njëkohësisht të vlerësohet nëse preken nevojat e komunitetit lokal për bujqësi dhe për ujë të pijshëm, të cilat janë shumë më të rëndësishme. Dy lumenjtë më të kërcënuar nga kjo janë Devolli dhe Vjosa. Në raportin e zyrës austriake të Shvarcit është vlerësuar se fragmentarizimi me shumë diga hidrocentralesh sjell degradimin e sistemit të lumit. Riviera shqiptare përgjatë bregdetit rrezikon të pësojë ndryshime që nuk janë në favor të prioritetit tjetër të shpallur nga qeveria, turizmi. Është për t’u përgëzuar vendimi i qeverisë për të ndaluar ndërtimin e HEC-eve në zonat e mbrojtura, por mund të bëhet më shumë se kaq.
Ministria nëpërmjet institucioneve që ka në vartësi duhet të sigurojë respektimin e ligjit. Kemi dy institucione, Inspektoratin e mjedisit dhe AKBN (Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore), përgjegjëse për të kryer monitorimin e vazhdueshëm të respektimit të këtyre detyrimeve ligjore, por deri më sot nuk e kanë marrë mundimin të verifikojnë këtë katastrofë mjedisore. Ligji mjedisor shpreh qartë se të gjithë kompanitë që kanë shkatërruar mjedisin duhet të bëjnë ripyllëzimin e gjithë sipërfaqes që ata kanë dëmtuar. Deri tani nuk është mbjellë asnjë pemë. Sipas ligjit subjektet gjatë 5 muajve të verës nuk duhet t’i shfrytëzojnë fare lumenjtë dhe gjatë 7 muajve të tjerë duhet të lejojnë 30 % të sasisë së ujit në shtratin e lumit, po ashtu duhet të heqin barrierat për lëvizjen e peshqve drejt rrjedhës ujore. Asnjë nga këto ligje nuk është zbatuar.
- Pyjet mbeten problem
Pyjet shqiptare çdo vit rriskohen nga faktorë të ndryshëm si prerjet, zjarret, erozioni, lejet për ndërtimin e HEC-eve etj. Imazhet satelitore kanë treguar se në 10 vitet e fundit sipërfaqet e pyjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë janë ulur me 7%, nga 33% që ishin 10 vite më parë sot janë 26%. Vendi ynë çdo verë përfshihet nga zjarret, të cilat të shumtën e rasteve kanë qenë me dashje. Monitorimi i fondit pyjor nuk është realizuar, duke krijuar kushte të favorshme për prerjet e paligjshme apo abuzime nga subjektet e licencuara për të shfrytëzuar pyjet. Ministria e Mjedisit ka deklaruar se zgjidhja e vetme për përmirësimin e kësaj situate dhe shpëtimin e pyjeve është implementimi i sistemit elektronik të monitorimit. Ky sistem mundëson monitorimin e çdo individi që hyn në fondin pyjor dhe ndihmon lokalizimin e shpejtë të zjarreve në sajë të kamerave termike që ka.
Një tjetër masë që pritet të merret në shtator është dhe ndryshimi i ligjit. Nuk do të ketë më gjobë për atë që kapet duke prerë apo duke transportuar pemë të prera në mënyrë të paligjshme, por do të ketë vetëm burg. Duke përgëzuar dhe mbështetur këto plane që ka Ministria e Mjedisit i bëjmë thirrje ministrit që nuk duhet të harrojë dhe një hallkë shumë të rëndësishme. Ajo e institucioneve përkatëse që kanë për detyrë të monitorojnë pyjet. Duhen përcaktuar mirë përgjegjësitë dhe detyrat që ka secili punonjës i këtyre institucioneve dhe në rast të mos përmbushjes së tyre të merren masa e duhura ndëshkuese. Në këtë mënyrë rritet dhe cilësia e punës së tyre.
Referenca:
- Artikull: HEC-et po shkatërrojnë lumenjtë, ekspertët. Qeveria të ndërhyjë
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305485 - Artikull: Ministri Koka: Do të implementojmë plotësisht parimin “Ndotësi paguan”
http://www.mjedisi.gov.al/al/newsroom/lajme/ministri-koka-do-te-implementojme-plotesisht-parimin-ndotesi-paguan&page=1 - Artikull: Uji i Librazhdit keqpërdoret nga HEC-et private
https://ekolevizja.wordpress.com/2014/10/16/uji-i-librazhdit-keqperdoret-nga-hec-et-private/ - Artikull: Zvogëlohen pyjet e Shqipërisë, në 10 vjet kemi humbur 7 përqind
http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=305201 - Artikull: Prezantohet studimi për hartën e mbulesës së Territorit
http://www.mjedisi.gov.al/al/neësroom/lajme/prezantohet-studimi-per-harten-e-mbuleses-se-territorit&page=1