1- Emergjenca e pushimeve.
Gushti ka qenë me të drejtë muaji që e ka gjetur Ministrinë e Mbrojtjes me më pak aktivitete dhe angazhime deri më tani. Siç pritej, ngjarjet kryesore lidhen me emergjencat civile dhe më specifikisht me rënien e zjarreve në zona të ndryshme të Shqipërisë. Ky fenomen ndodh në vijimësi në këtë muaj tejet të nxehtë të vitit. Forcat Tokësore të Forcave të Armatosura u përfshinë në operacionin e shuarjes së zjarreve në zonën e Vaut të Dejës ku, sipas njoftimit të ministrisë, u përfshinë 20 forca, një mjet i Batalionit të Vaut të Dejës dhe një helikopter BO105 i Bazës Ajrore të Farkës.
Sipas Nenit 20 të Ligjit mbi Emergjencat Civile (2001) pika 1 ‘’Kur shtrirja e një emergjence civile rritet në mënyrë të menjëhershme në ndihmë të operacioneve të shpëtimit dhe të lehtësimit në zonën e fatkeqësisë, me miratim të Kryeministrit ose të Ministrit të Mbrojtjes, mund të përdoren njësi të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas planeve të hartuara më parë në bashkëveprim me komandantët e tyre’’. Megjithëse funksioni kryesor për përballimin e emergjencave civile u takon Ministrisë së Brendshme dhe Strukturave të saj përkatëse, si edhe qeverisjes lokale, si në nivel bashkie, ashtu edhe në nivel qarku, ndërhyrja e Forcave të Armatosura është kërkuar për shkak të terrenit të vështirë, që e bënte të pamundur shuarjen e zjarrit nga forcat zjarrfikëse dhe policore. Gjithsesi, në njoftimin e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes nuk bëhet e ditur se kush e ka dhënë miratimin për ndërhyrjen e FA.
Një ngjarje e rëndë, që fatmirësisht nuk pati dëme në njerëz, ishte shpërthimi, që u ndje gjatë procesit të asgjësimit të municioneve në Poligonin e Xibrrakës. Sipas njoftimeve në media, banorët e kësaj zonë raportojnë një shpërthim të fuqishëm, që u shoqërua me dëmtime të shumta materiale të shtëpive dhe objekteve që gjendeshin aty pranë. Në një deklaratë të lëshuar në datë 15 gusht Ministria deklaron se ka urdhëruar një raport për procesin e asgjësimit të municioneve në poligonin e Xibrrakës për të identifikuar përgjegjësitë e mundshme për ngjarjen. Ajo që bie në sy është se Ministria deklaron se ka zhvilluar verifikime paraprake nga përfaqësues të forcave të armatosura dhe struktura mbikëqyrëse, që nuk bëhen të ditura se kush janë. Nëse procedurat e asgjësimit janë zbatuar rigorozisht, atëherë nuk janë marrë parasysh aspektet e tjera, si për shembull afërsia e objekteve të banimit me vendin e zhvillimit të shpërthimit dhe impakti i mundshëm i tij në komunitetet e afërta. Përtej zbatimit rigoroz të procedurave të asgjësimit, këto elementë nuk janë marrë parasysh nga personat përgjegjës dhe tashmë burime të tjera financiare shtetërore duhet të shkojnë për dëmshpërblimin e personave të dëmtuar nga një incident, që më së miri mund të shmangej.
Ngjarja bëhet edhe më ironike pas nënshkrimit të një marrëveshjeje prej 250.000 eurosh nënshkruar nga Shqipëria, Republika e Gjermanisë dhe zyra e PNUD në Shqipëri. Sipas kësaj marrëveshjeje, fondi i dhënë do të përdoret për të siguruar koordinimin, monitorimin dhe sigurimin e cilësisë për operacionet e pastrimit të municioneve të paplasura, në përputhje të plotë me Standardet Humanitare Ndërkombëtare. Bën përshtypje gjithashtu se një njoftim i tillë gjendet vetëm nga shfletimi i faqeve të Revistës Mbrojtja dhe në asnjë vend tjetër në hapësirën dedikuar lajmeve mbi ecurinë e punës së Ministrisë së Mbrojtjes.
Referenca:
Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë numër 122. 16 korrik 2015. Online: http:/ëëë.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/122-2015.pdf
Ministria e Mbrojtjes. Faqja zyrtare. Online: www.mod.gov.al
Balkanweb. 10 Gusht 2015. Një helicopter për të shuar flakët në pyjet e Kacinarit. Online: http://www.balkanëeb.com/site/nje-helikopter-per-te-shuar-flaket-ne-pyjet-e-kacinarit-zjarr-dhe-ne-pishat-e-palucaj/
Ora News. 14 gusht 2015. Elbasan, shperthim i fuqishem ne Xibrake, po demontoheshin municione. Online:
http://www.oranews.tv/vendi/shperthim-i-fuqishem-ne-xibrake-po-demontoheshin-disa-predha-te-l-d-b/
Revista Mbrojtja, Nr. 8, 2015. Online:
http://www.mbrojtja.gov.al/publikime/index.php?option=com_flippingbook&vieë=book&layout=edit&id=102