
Blerina Llalla
1- Një Hec, një Zbulim
Muaji gusht vjen më i qetë edhe në Ministrinë e Kulturës, në ueb sajtin e së cilës do të gjeni të publikuara dhe disa thirrje për pjesëmarrje në evente apo kompeticione të ndryshme kombëtare apo ndërkombëtare.
Gjithsesi, një ndër lajmet kryesore të këtij muaji mbetet ai i zbulimit arkeologjik në Dibër. Nga ku na u bë me dije së në fshatin Prell të Matit, gjatë punimeve për ndërtimin e një HEC-i, u zbuluan eshtra dhe qeramika që i përkasin periudhës romake (Shek. lV-Vl pas l.k). Më tej thuhet se arkeologët e ASHA-s, pas ekspertizës së bërë, vërtetuan vendndodhjen e një muri fortifikues, që i përkiste po të njëjtës periudhë. Ata kanë vërtetuar se kjo zonë ka potencial të madh arkeologjik dhe ky studim shumë shpejt do të paraqitet në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë.
Në të njëjtën kohë, thuhet se sektori i Kulturës Kombëtare Dibër, me ndihmën e DRKK- Shkodër, është duke ndjekur me kujdes çdo gërmim të ri në zonën e Dibrës, për evidentimin e zbulimeve arkeologjike, të cilat janë asete me vlera për qarkun Dibër.
Por, nga informacione dhe raportime më të hershme, kujtojmë që krahina e Matit është konsideruar një muze arkeologjik dhe djep i lashtë i kulturës Ilire, pasi, nga kërkime të ndryshme, janë zbuluar shumë objekte të tjera me vlerë.
Prandaj, i vetmi shqetësim mbetet vëmendja e Ministrisë së Kulturës dhe mosreagimi dhe mosndërhyrja e saj në momente të vendimmarrjes nga ana institucionale apo, në raste të tjera, në bashkëpunim me subjektet private, të cilat duan të kryejnë investime në çdo vend që mund ta shohin të arsyeshëm apo të mundur, duke sjellë kështu investime të pamenduara mirë dhe, ndoshta në një moment të caktuar, duke gjeneruar konflikte të vazhdueshme të panevojshme shtet-investitor. Një raport mjaft delikat dhe që duhet respektuar.
Të tjera lajme dhe njoftime për evente artistike apo kompeticione të ndryshme mund të gjenden në ueb sajtin e Ministrisë së Kulturës, por më kryesori mbetet ai i thirrjes për aplikim në programin “Creative Europe” (Europa Krijuese). Nga sa dimë nga lajme të muajve paraardhës, janë kryer një sërë takimesh për të orientuar subjektet, organizmat e shoqërisë civile, individë apo të tjerë të interesuar në këtë fushë, rreth mënyrave të aplikimit, funksionimit dhe afateve të caktuara nga specialistë të fushës për programe të këtij zhanri. Por, ndoshta do të duhej pak më tepër nxitje dhe promovim nga ana e Ministrisë së Kulturës për aplikim në këto thirrje për projekte artistike ndërkombëtare, si një mundësi shumë e mirë për të përthithur sa më shumë fonde dhe, më kryesorja, për të përfituar një eksperiencë, praktikë dhe për të shkëmbyer eksperiencat artistike e kulturore ndërmjet shteteve të ndryshme e kryesisht të vlefshme për një promovim më të gjerë. Ndaj një thirrje shkon dhe për të gjithë organizmat në fushën e artit, për shumë individë e subjekte të tjera, të cilët kanë mundësinë të insistojnë dhe të përfitojnë nga këto mundësi, për të cilat, në një farë mënyre, paguajmë për t’i pasur (nga buxheti i vendit tonë).
Referenca:
http://www.kultura.gov.al/al/neësroom/lajme/monumentet-e-trashegimise-kulturore-ne-restaurim&page=1