1- OSHEE si një polici e dytë
Javën e dytë të këtij muaji OSHEE ka nisur një seri aksionesh në terren në zonat bregdetare përkundrejt konsumatorëve familjarë, si dhe atyre biznese. Mes rilidhjeve të paligjshme dhe linjave të dyfishta, vetëm në Rajonin e Shkodrës janë kryer 2.600 kontrolle, duke konstatuar abuzime të shumta dhe masa ndëshkuese deri me arrestime, ndërsa, nga ana tjetër, janë arkëtuar rreth 60 mijë dollarë dhe janë nënshkruar rreth 100 akt-marrëveshje të pagesës me këste të detyrimit, e gjitha kjo vetëm në 6 ditë.
Ky profil i ri i “tagrambledhësit” duket se e ka lëvizur OSHEE-në drejt vjeljes vetë të të ardhurave të prapambetura me ose pa hir, përkundrejt çfarëdo lloj kostoje për familjet ose biznesin. Ky pushtet i vetëmarrë nga ky institucion shkon në një skaj të frikshëm, duke përcaktuar kështu në mënyrë të tërthortë, por edhe të drejtpërdrejtë, nivelin e depresionit dhe të frikës në popullsi dhe biznese. Megjithatë, me sa duket, kjo mënyrë po funksionon në shifra, por askush nuk merr përsipër të japë një vlerësim të eksternalitetit që kjo metodë prodhon. Pavarësisht shifrave të larta të arkëtuara, herë në përputhje me planet e qeverisë, e herë jo, OSHEE-së duket se i pëlqen ky rol i ri, kombinuar me justifikimin se për çdo përgjegjësi me gjërat që nuk shkojnë sot, faji vjen nga gropa e krijuar në kohë nga vitet e mëparshme. Le të mos harrojmë që në dy muajt e fundit (gusht dhe shtator) janë shpenzuar 14.3 milionë Euro (pa TVSH) për blerje energjie.
2- OSHEE di t’u përgjigjet edhe partive, kur do!
Një debat i ndezur mbi një tender për trajnimin e punonjësve të OSHEE ka nisur mes Partisë Demokratike dhe OSHEE. Pasi ka shprehur dyshimet e saj mbi nevojën, mënyrën e organizimit si dhe mungesën e transparencës, Partia Demokratike ka arritur deri aty sa të parashikojë edhe fituesin e tenderit. Pa humbur shumë kohë, OSHEE, një shoqëri tregtarë, por me aksionar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes dhe Turizmit, është ndjerë e fyer nga kjo akuzë e dyfishtë, mbi OSHEE-në, por edhe mbi Qeverinë. Një historik i shkurtër i shpenzimeve për konsultime të trajnimit të stafit, si dhe shërbimeve të tjera të ndërmarra gjatë viteve kur Partia Demokratike ishte në pushtet, shërben si një bazë e fortë krahasimtare për të treguar se shifra e vënë në dispozicion për këtë tender është shumë më ë vogël së sa shpenzimet e kryera nga Partia Demokratike.
Ajo çka bën përshtypje në këtë rast është siguria në argumentim, si dhe krahasimi i nevojshëm, gjithnjë i errët, i së kaluarës me të tashmen dhe të ardhmen e ndritur të OSHEE nën udhëheqjen e kësaj Qeverie. Duke hedhur poshtë akuzat e qëllimshme e të pabaza, OSHEE garanton opinionin publik se ka ndjekur dhe do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të patur një garë transparente, ndryshe nga sa ndodhte në kohën kur kompaninë e drejtonte forca politike, e cila sot akuzon. Me po të njëjtën mënyrë krahasimtare, OSHEE i “shpëton lakut”, duke nxirë të kaluarën josistematike dhe të rrëmujshme financiare, edhe kur kompanitë e auditimit, të kontraktuara nga ajo vetë, raportojnë se mes shpenzimeve dhe të ardhurave të OSHEE ka mospërputhje dhe rakordime, të cilat vështirësojnë procesin e auditimit, si dhe certifikimit të të dhënave të pasqyrave financiare.
Gjithmonë e përgatitur, deri në pikën për t’u marrë shembull nga kompanitë e tjera shqiptare, OSHEE shprehet e sigurtë se brenda vitit 2015 të jenë zgjidhur të gjitha diferencat e akumuluara nga vitet e mëparshme, e ndihmuar kjo dhe nga një Grup Ndërinstitucional, i cili është duke e përshpejtuar procesin, duke koordinuar me gjithë strukturat përkatëse. Performanca e dyshimtë e shifrave dhe krahasimeve të OSHEE mbetet gjithnjë në fokusin e analistëve dhe të APPA-s, duke synuar gjithnjë transparencën dhe informimin e saktë të publikut taksapagues shqiptar.
Referenca:
http://oshee.al/treguesit-per-korrik-2015-oshee-40-me-shume-arketime-6-me-pak-humbje/
http://oshee.al/sqarim-per-projektin-trajnim-i-punonjesve-te-oshee/
http://www.reporter.al/bilanci-i-oshee-ngel-ne-klase-te-auditimi/
http://oshee.al/oshee-forcon-kontrollet-ne-bregdet-ne-3-dite-mblidhen-60-mije-dollare-detyrime/