1- Privatizimet e një qeverie socialiste
”Në këtë koncesion është paraqitur vetëm një kompani, e cila ka dalë dhe fituesja…” – kështu është shprehur këshilltarja për mediat e ministrit Nasip Naço, znj. Alisa Demollari. Ka ndodhur e gjithë procedura gjatë një muaj të vetëm, gjatë së cilit, mesa duket, nuk ka pasur garë. Në fund të muajit korrik u finalizua kontrata koncesionare 20-vjeçare, që i beson kompanisë private “Shërbimi Përmbarimor ZIG” shërbimin përmbarimor, ku përfshihen ekzekutimet penale me gjobë dhe shpenzimet gjyqësore. Ajo që është edhe më e pazakontë, është se nismëtari për këtë ka qenë vetë “Shërbimi Përmbarimor ZIG”. Pak muaj më parë, kjo studio përmbarimore paraqet tek ministri i Drejtësisë Nasip Naço një raport, në të cilin shfaqej “paaftësia” e rreth 60 përmbaruesve shtetërorë, të cilët arrinin të mblidhnin gjobat financiare, që rridhnin nga vendimet penale të Gjykatave në shkallë Republike vetëm në masën 2 për qind. Kjo situatë, pas-solli lindjen e procesit koncesionar në muajin Qershor 2015, me qëllim “krijimin e infrastrukturës teknologjike dhe ndërmarrjen e aktivitetit nga ana e subjekteve të Përmbarimit Gjyqësor Privat që synojnë rritjen e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me gjobë, duke sjellë ndikim pozitiv në Buxhetin e Shtetit dhe zbatueshmërinë e vendimeve gjyqësore penale”. E vetmja pjesë e çuditshme mbetet bojkoti që kompani të tjera prestigjioze të përmbarimit në vend i bënë këtij procesi, si dhe pikëpyetja se si do të vijojë përmbarimi shtetëror, nëse do të vijojë. Media Shqiptarja.com shprehet se përfaqësues të këtyre institucioneve u shprehën se “ dihej që do të fitonte ZIG”. Urojmë që e gjithë procedura të ketë qenë meritokratike dhe që “Shërbimi Përmbarimor ZIG” të realizojë të gjithë investimin në teknologji prej 250 milionë lekësh të vjetra dhe të arkëtohen miliona lekë në arkën e Buxhetit të Shtetit.
2- Reforma në drejtësi – ndryshimet kushtetuese
Vjeshta e këtij viti pritet të jetë intensive në lidhje me reformën në drejtësi dhe ndryshimet e rëndësishme kushtetuese dhe ligjore që do të miratohen. Të parashikuara sipas Planit të Veprimit të komisionit të reformës, janë për t’u miratuar brenda këtij viti ndërhyrjet në Kushtetutë për kompetencat e Presidentit në sistemin e drejtësisë, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurorinë, Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ligji për Referendumet, ai për organizimin e pushtetit gjyqësor, si dhe ligji organik për Institucionin e Presidentit. Këtij të fundit si institucion pritet t’i hiqen disa kompetenca, përfshirë ato që lidhen veçanërisht me dekretimin e anëtarëve të Gjykatave, që shpesh herë është kthyer në objekt debatesh mes Presidentit dhe përfaqësuesve të mazhorancës.
Megjithatë, komisioni i posaçëm parlamentar do të vazhdojë punën edhe gjatë vitit të ardhshëm me (duke marrë më parë) një afat shtesë nga Kuvendi. Ndër ligjet e rëndësishme që do t’i takojnë vitit të ardhshëm kalendarik, për të kompletuar kështu reformën në sistemin e drejtësisë, është ligji “Për organizimin e pushtetit të Gjyqësorit”, më konkretisht miratimi i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe atë Civile.
Nisma të tjera të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi janë: Ligji për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ligji për Shkollën e Magjistraturës, Ligji për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor shtetëror dhe privat (megjithëse ky mbetet lajm evaziv po të lexosh tematikën paraardhëse të raportit)
Gjithashtu, një nga risitë e reformës në sistemin e drejtësisë do të jetë edhe ajo sa i takon edukimit ligjor dhe arsimit juridik. Draft-Strategjia për reformën në drejtësi propozon ndryshime në ligjin për arsimin, duke përfshirë edukimin ligjor në lëndët bazë të arsimit parauniversitar.
Spartak Braho, anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, është shprehur se të gjithë ligjet e sipërpërmendura kërkojnë me çdo çmim konsensusin e opozitës. Ndërkohë, kryetari i këtij komisioni parlamentar, Fatmir Xhafaj, u shpreh se kjo do të arrijë të jetë një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente, e cila, ndërkohë që aplikon standardet ndërkombëtare, duhet të vazhdojë të mbetet një reformë shqiptare. “Problemi është i yni, i krijuar prej nesh dhe duhet të parashikojë zgjidhje për problem konkrete shqiptare” – u shpreh z. Xhafaj, duke na lënë të urojmë së do të jetë një ogur i mirë, aq me tepër në një kohë që përbën element kyç për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Referenca:
Gazeta Tema. Gusht 2015. Çfarë do opozita nga reforma ne drejtësi?
http://www.gazetatema.net/web/2015/08/17/cfare-do-vertet-opozita-nga-reforma-ne-drejtesi/
Gazeta Tema. Gusht 2015. Reforma ne drejtësi – operacion kirurgjikal i sistemit http://www.gazetatema.net/web/2015/08/06/xhafaj-reforma-ne-drejtesi-operacion-kirurgjikal-gjithe-sistemit/
Mapo.al. Gusht 2015. Koncesion për gjobat përmbarimore
Panoramal.al. Gusht 2015. Reforma ne drejtësi me konsensus
http://www.panorama.com.al/reforma-ne-drejtesi-braho-konsensus-me-cdo-cmim-me-opoziten/
ResPublika.al. Gusht 2015. Koncesion i shërbimit përmbarimor
Shqiptarja.com. Gusht 2015. Ndryshimet ne Kushtetute