1- Ministria e Bujqësisë vs. Ministria e Financave: Kush vendos për çfarë ?
Çështja e rimbursimit të TVSH-së në sektorin bujqësor është rikthyer edhe një herë në diskutimet mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave. Kujtojmë që qeveria aktuale, në fund të vitit të kaluar, miratoi paketën nxitëse, e cila solli disa ndryshime në mënyrën e taksimit për produktet bujqësore. Në sajë të këtij ndryshimi, tani produktet bujqësore do të duhet të taksohen me 20 % dhe jo me 6% si më parë, që do të thotë se tregtarët do të tatohen me 20%, si kur blejnë, ashtu dhe kur shesin. Por, paketa nxitëse dhe ky njehsim, në dukje i duhuri, duket se ka krijuar një tjetër problematikë. Do të njihet apo jo rimbursimi prej 20 % i TVSH-së në eksport? Kjo çështje është shndërruar në thelbin e përplasjes mes Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave.
Ministria e Bujqësisë i është drejtuar ministrisë së Financave, duke i bërë të qartë se në paketë nuk është parashikuar rimbursimi i TVSH-së për eksportet bujqësore, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje.
Sipas dikasterit të Bujqësisë, nëse Tatimet do të rimbursojnë 20% të vlerës së eksporteve bujqësore, ky do të ishte efektivisht subvencionim i pastër, jashtë frymës së paketës së bujqësisë dhe jo në konformitet me ligjin. Paralelisht, vëren Ministria e Bujqësisë, fatura për buxhetin do të ishte shumë e lartë, dhjetëra milionë euro. Por, pas këtij interpretimi, Ministria e Financave përgjigjet se “e drejta e rimbursimit të TVSH-së në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakord me propozimin”.
Në pamje të parë, ky konflikt duket gati paradoksal, ku Ministria e Financave, e cila mbron interesat e buxhetit, kërkon të rimbursojë eksportuesit, ndërsa ajo e Bujqësisë, që përfaqëson fermerët, në këtë rast mbron buxhetin.
Megjithatë, përtej këtij fakti, duket se në sipërfaqe dalin ato që njihen si probleme të hershme në bujqësi: kaosi i skemave nxitëse, që qeveritë kanë përdorur mbi këtë sektor, shpesh të paqarta edhe për vetë ato, veçanërisht në rrafshin fiskal. Paqartësia e tyre lidhet drejtpërdrejtë me mungesën e transparencës, mungesën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Akoma më shqetësues duket fakti se edhe ky ngërç i krijuar duket se do të zgjidhet aty për aty, duke krijuar boshllëqe të reja për politikat e mëvonshme.
2- BERZH ka “frikë ” të investojë para në Shqipëri
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, jo më larg se muaji korrik i këtij viti, deklaroi se do të ofrojë mbështetje për financimet afatmesme dhe afatgjata për kompanitë shqiptare me ritme të shpejta rritjeje, duke nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e riskut për vlera deri në 6 milionë euro.
Ka kaluar pothuajse një muaj që nga kjo deklaratë dhe ja ku vjen lajmi për një bashkëpunim midis BERZH dhe Qeverisë Shqiptare. Ky bashkëpunim do të ofrojë bashkëpunim me qëllim përmirësimin e ndërmjetësimit financiar për agrobizneset. Nga Ministria e Bujqësisë vjen njoftimi se është nënshkruar një letër interesi nga Drejtori i Zyrës së BERZH në Tiranë, Christoph Denk dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti.
Sipas ministrisë, nënshkrimi përbën një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të një Faciliteti Financimi për Mbështetjen e Agrobiznesit. Por, BERZH nuk mund të investojë aq sa do të dëshironte, duke qenë se në prill të këtij viti ka deklaruar hapur se informaliteti dhe korrupsioni, që vazhdojnë të dominojnë në Shqipëri, do të jenë pengesa kryesore, duke ofruar vetëm akses të limituar financimi. Kjo do të thotë: kam para për të të dhënë, por nuk t’i jap dot se kam frikë se bëhen “rrush e kumbulla”.
Megjithatë, ministria pohon se, sëbashku me autoritetet shqiptare, BERZH po zhvillon një Facilitet të ri për Mbështetjen e Agrobiznesit Shqiptar, me qëllim lehtësimin e financimit në formën e kredidhënies, ose duke ndarë riskun me bankat në nivel portofoli kredish në sektorin e agrobiznesit. Ky Facilitet do të mbështetet nga fonde të lëvruara nga Qeveria shqiptare për të mbuluar humbjet e para. Nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm të shpresojmë që kjo skemë e re të funksionojë, megjithëse kemi thuajse një vit që shkruajmë vetëm për skema të kësaj natyre dhe nuk kemi parë e dëgjuar ende asgjë mbi funksionimin e tyre.
Referenca:
Gazeta MAPO.Gusht 2015. Rimbursimi i TVSH-së në bujqësi, ministritë përplasen për paketën nxitëse: http://www.mapo.al/2015/08/rimbursimi-i-tvsh-se-ne-bujqesi-ministrite-perplasen-per-paketen-nxitese
Gazeta MAPO. Korrik 2015. BERZH, mbështetje për financimet afatgjata në Shqipëri: http://www.mapo.al/2015/07/berzh-mbeshtetje-per-financimet-afatgjata-ne-shqiperi
Ministria e Bujqësisë , Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujë rave. Gusht 2015. BERZH dhe Qeveria Shqiptare bëjnë publik planin për më shumë mbështetje ndaj sektorit të agrobiznesit:
Gazeta Tema. Prill 2015. BERZH: Ekonomia Informale në Shqipëri 36%: http://www.gazetatema.net/web/2015/04/13/berzh-ekonomia-informale-ne-shqiperi-36/