![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
Tenderat me kompanitë pro-qeveritare, punonjësin e Kryeministrisë dhe miqtë e saj që e bënë drejtoreshën e AKT-së, “Superdrejtoreshë”
Është e vështirë, që në dy vitet e saj të para si drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, të gjesh ndonjë pagesë apo tender të rëndësishëm të kryer nga Znj. Julinda Dhame, që të mos ketë shkuar në favor të kompanive private, të krijuara rishtazi pas “Rilindjes”, apo që të kenë ndonjëfarë lidhjeje apo simpatie të shprehur karshi qeverisë.
Falë të dhënave të marra në platformën dixhitale Spending Data Albania dhe në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit online, dëshmohen mjaft transaksione të diskutueshme dhe që lënë vend për dyshime të tilla.
Në mënyrë të veçantë, pagesat e realizuara nga institucioni i Znj. Dhame (AKT) në favor të një kompanie private të caktuar, mund t’i ketë vlejtur drejtoreshës një “promovim” ose “ngritje në detyrë”, sikurse do përpiqemi të dëshmojmë në vijim.
Dypunësim shtetëror
Në fakt, Znj. Dhame po ushtron prej disa muajsh edhe funksionin e Drejtoreshës së Përgjithshme të një sektori të rëndësishëm në bashkinë e Tiranës, edhe pse vazhdon të jetë Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Një konflikt i tillë interesi bëhet edhe më brutal, pasi drejtoresha shfaqet rregullisht publikisht si drejtoreshë bashkiake, ndërkohë që për muaj me radhë ka vazhduar të marrë pagën edhe si drejtoreshë e AKT-së në bordero.
Ky konflikt interesi i një personi që ushtron një detyrë kyçe në një institucion qendror, ndërkohë që mban një detyrë po aq të rëndësishme edhe në një inststucion lokal, është i paligjshëm dhe qesharak dhe do të ishte njësoj sikur kryetari i bashkisë së Tiranës, të punonte njëkohësisht edhe si ministër i çështjeve sociale.
Tenderat me mediat pro-qeveritare dhe miket e Drejtoreshës
Por le të marrim në shqyrtim transaksionet ekonomike të drejtoreshës me disa subjekte private, që mund ta kënë shtyrë politikën që t’i jetë asaj aq mirënjohëse sa ta gradojë si një drejtoreshë “multitask”.
Më 11 dhjetor 2014 AKT lëvron plot 16 mln lekë (flasim me të vjetra) për një konferencë, në favor të subjektit SPAZIO EVENTI ALBANIA, që ka si përfaqësues ligjor Francesco Milella-n, një italian nga Puglia, mik i njohur i qarqeve mediatike italiane pro-qeveritare në Shqipëri.
Për disa botime promocionale në mediat e shkruara, AKT ka paguar për gazetën PANORAMA GROUP 4,4 mln lekë më 06.10.2014.
Të njëjtën shumë AKT e ka paguar për të njëjtin qëllim edhe për gazetën Tema.
Pra vihet re se drejtoresha ka trajtuar “mirë” kryesisht gazeta apo kompani pranë mediash të njohura për qëndrimet e tyre pro-qeverisë, apo një pjese te saj.
Dhe për më tepër, në rastin e pagesave për shtypin e shiruar, nuk është zbatuar gjithnjë kriteri i gazetave me tirazhin më të lartë në treg, siç e do ligji. Në fakt, ndërkohë që për Panoramën, ky kriter mund të jetë respektuar, mbi superdretoreshën bie barra e provës, që të dëshmojë se si ka arritur në konkluzionin se gazeta Tema është me tirazhin ndër më të lartët në treg. Një gjë të tillë nuk ia kërkojmë ne, por ligji. Moszbatimi i kësaj norme, përbën shpërdorim të detyrës.
Por, nuk mbaron me kaq, sepse “dashuria” e drejtoreshës për mediat vijon, kur lëvron edhe plot 13.4 mln lekë për një emision të drejtuar nga mikja e saj Ilva Tare në Ora News. Transaksioni kryhet më 23.07.2014. Edhe për këtë rast vlen logjika dhe kriteri i mësipërm ligjor. A është Ora News një televizion kombëtar dhe me shikueshmëri të lartë? Vështirë se mund të thuhet një gjë e tillë. Këtë e ka pohuar edhe KLSH në auditin që i ka bërë “Superdrejtoreshës”. Atëherë mbi cilën bazë ligjore e ka transferuar drejtoresha këtë shumë të majme për një televizion lokal, impakti i promovimit turistik të së cilit është i pakrahasueshëm me atë të një televizioni kombëtar?
Duke mos u mjaftuar me një shumë të tillë, AKT, shkon edhe më tej, kur paguan për “ORA” SH.P.K, në favor të emisionit të Ilva Tares edhe 20 mln lekë të tjera më 21.08.2014….
Tenderat përcaktues për fatin e “Superdrejtoreshës”
Por janë transaksionet me një tjetër kompani ato që duket se i vlejtën më shumë drejtoreshës duke i dhënë de facto gradën “Superdrejtoreshë”.
Bëhet fjalë për veprimet ekonomike me kompaninë EAG Communication, e cila pak kohë më parë e ka ndryshuar emrin në Eggra Albania, kushedi për cilën arsye.
Kompania në fjalë është përfolur në media edhe nga opozita si një kompani që qëndron pranë kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. De jure, ajo drejtohet nga Gentian Skënderaj, por fakti që është themeluar vetëm në vitin 2014 dhe që ka hyrë kaq shpejt në transaksione shumash të konsiderueshme me institucionet shtetërore hedh mjaft hije dyshimi se përse ajo ka qenë e përzgjedhura e AKT-së në mjaft raste.
Më më 23.07.2014 AKT i transferon këtij sujekti pagesën prej 3.6 mln lekësh për krijiimin e një faqeje uebi. Por më 06.08.2014, AKT bën një tjetër transferim shume për AEG, kësaj here për shifrën gjigande prej 26 mln lekësh.
Kësaj here bëhet fjalë për prodhim spoti.
EAG ka përfituar nga AKT edhe 4 milionë e 690 mijë lekë të tjera për aktivitetin e ditës së verës më 2014.
Pagesat e AKT-së për punonjësin e Kryeministrisë
Një tjetër subjekt që ka lidhje të sigurta me qeverinë është Ilir Caslli, i kompanisë Babylon Multimedia, i cili de facto është personi i zyrës së montazhit (propagandës) të klipeve të Edi Ramës, aq sa ka një zyrë të posaçme për këtë brenda mjediseve të Partisë Socialiste dhe ka përfituar në dy raste dy pagesa nga AKT për prodhime videosh. Më 11.06.2014 në vleren 2.1 mln lekë dhe më 19.06.2014, po në vlerën 2.1 mln lekë. Caslli sot punon në Kryeminisyri.
AKT shpërdoron 35 mln lekë nga pagesa për aleatin e qeverisë
Ndërkohë, po paraqesim transaksionet rekord të AKT-së në favor të kompanisë Univers Reklama, e cila zotërohej nga aleati i qeverisë (PDIU), sot kryrtar i bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini (pasi u bë kryetar bashkie kompania rezulton të ketë një tjetër administrator). 3.6 mln lekë më 27.05.2014 për kënde promocionale. 1.3 mln më 31.03.2014 për arredim stende panairi. 1.1 mln lekë më 03.03.2014. 900 mijë lekë më 29.05.2014 për shpërndarje materialesh. 1 mln lekë më 30.06.2014 për printime.
Ka edhe pagesa të tjera të shumta në favor të kompanisë në fjalë, por janë veçanërisht dy që spikasin, për shkak të vlerës së madhe ekonomike.
Më 28.08.2014 AKT i paguan kompanisë në fjalë 17 mln lekë për krijimin e disa info pointeve (do të ishim kuriozë të dinim se ku janë sot).
Por shuma më e madhe është padyshim ajo prej 35 mln lekësh, e lëvruar po më 28.08.2014 për prodhimin e “promo gadges”.
Megjithë problemi nuk është kompania në fjalë, padyshim, por vetë “Superdrejtoresha”. Taksapaguesit duhet të dinë se “Superdrejtoresha”, për një tekë të saj iu shpenzoi 35 mln lekë për stilolapsë, kanotiere, kapele kashte verore, topa plastikë plazhi, etj, në formatin promocional. Megjithatë, po ia “falim” edhe këtë naze. Por absolutisht e pafalshme është injoranca me të cilën i ka shpenzuar paratë e shqiptarëve. Në fakt, ndryshe nga ajo që i kërkon ligji, pra që të promovojë turizmin shqiptar, ajo i shpenzoi të gjitha këto para për të promovuar institucionin e saj (!?), a thua se AKT është ndonjë destinacion turistik. Mund të duket e pabesuehsme por është e vërtetë. Në fakt, nëpër të gjitha gadgets-at e prodhuar, nuk qëndrojnë logo si Visit Albania, apo ndonjë emër tjetër destinacioni turistik shqiptar, por vetëm logo e “AKT”-së.
Këtu jemi përballë kushteve flagrante të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkaktimit të dëmit ekonomik buxhetit të shtetit, ndaj do të ishte e udhës, që Prokuroria, që ndërkohë e ka lënë të pluhuroset dosjen e “Superdrejtoreshës” mbi bazë të denoncimeve të KLSH-së, të ketë parasysh edhe këtë rast.
Referime
Bashkia e Tiranës, Drejtorët e Përgjithshëm: http://www.tirana.gov.al/sq/Drejtoret–e-pergjithshem-1
Agjencia Kombëtare e Turizmit, stafi: http://www.akt.gov.al/al/akt/stafi/
Qendra Kombëtare e Regjistrimit: http://www.qkr.gov.al/nrc/Default.aspx
Artikull, Portali Opininon për kompaninë AEG; http://opinion.al/mori-miliona-nga-tenderat-ndryshon-emrin-kompania-aeg/
http://spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/3/year/2014/inst_code/1094018
Babylon Multimedia, prodhime për kryeministrinë edhe Edi Ramën: https://www.youtube.com/ëatch?v=JsADpDm-gQE, https://www.youtube.com/ëatch?v=izSEY9a7PRY