![Flutura Gjana](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/01/1fgh-e1433254384195.jpg)
Flutura Gjana
Kanë qenë dy prioritetet dhe objektivat kryesorë që Ministri Haxhinasto ka pasur për vitin 2015, sektori i ujësjellës-kanalizimeve dhe në ai i mirëmbajtjes së rrjetit rrugor. Kjo e përforëcuar edhe nga buxheti që u caktua për këto dy sektorë. Çfarë ka bërë Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës lidhur me këto dy prioritete përgjatë vitit 2015?
1- Ujësjellës Kanalizime
Ky sektor ka qenë një tjetër prioritet për ministrin Haxhinasto për vitin 2015. Por realisht çfarë është arritur?
Në shtator filloi reforma e shumëpritur në ujësjellës dhe kanalizime. Fokusi i saj ishte lidhja e kontratës së performancës mes bashkisë dhe qeverisë, ku kryetari i bashkisë do të ishte drejtuesi i Asamblesë së Administrimit të Ndërmarrjes, i cili do të përzgjedhë 3 drejtuesit kryesorë të ndërmarrjes. Pra me fjalë të thjeshta, ndërmarrjet e ujësjellësit do të bënin para për bashkitë. Kjo ishte një reformë e cila në pamje të parë rriste përgjegjësitë e të zgjedhurve vendorë. Por anomalia qëndronte në ’’pushtetin’’ që do t’i jepej kryetarit të bashkisë për të zgjedhur tre drejtuesit (drejtorin e përgjithshëm, drejtorin financiar dhe drejtorin teknik) e ndërmarrjes së ujësjellësit.
Kjo reformë u përqendrua vetëm në problemet që lidhen me menaxhimin dhe lidhjet e paligjshme, kur realisht problematikat e këtij sektori nuk janë vetëm këto. Rrjeti i amortizuar dhe mungesa e vendosjes së matësave vazhdojnë të jenë dy problematikat kryesore ndaj të cilave në reformën që ndërmori ministri për këtë sektor duhet të ishte ndërtuar një plan strategjik për t’i ’’zbutur’’ sadopak.
Edhe pse kjo reformë ka filluar që në muajin shtator, duket që vendimi më i rëndësishëm që është marrë, është ai i trajnimit të punonjësve të ujësjellës kanalizimeve. Gjithashtu nuk duhen harruar pa përmendur që përgjatë këtij viti nuk kanë munguar skandalet që lidhen me mungesën e ujit për ditë me radhë, në qendrat kryesore të banimit në Shqipëri apo përmbytjet që kanë ndodhur për shkak të amortizimit apo kapacitetit të rrjetit të kanalizimeve.
2- Investimet për sigurinë rrugore rriten, siguria ulet
Siguria rrugore ka qenë një nga prioritetet e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për vitin 2015 për shkak të rritjes së fenomenit ’’vdekja mbi rrota”. Fenomen që u shfaq si kombinim i disa faktorëve si degradimi i akseve rrugore, mjetet e pasigurta e rritja e numrit të tyre, kapaciteti menaxhues i sigurisë në rrugë në nivelet nga më të ultat, sjellja e drejtuesve të mjeteve, dhe baza ligjore që lidhet me sigurinë rrugore, të cilët kontribuan në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore.
Për vitin 2015 janë investuar plot 986.8 milion lekë për sigurinë rrugore. Por megjithatë gjendja mbetet akoma kaotike, akset rrugore në vend vazhdojnë të kenë mungesë të theksuar të sinjalistikës dhe nuk plotësojnë standardet bazike të sigurisë. Logjikisht lind pyetja, ku shkuan këto para(?). Ka qenë Autoriteti i Konkurencës ai që ka hedhur dyshime mbi dy tendera për sinjalistikën rrugore. Dy tendera të kryer nga Tatimet dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, përkatësisht në datat 7 dhe 9 shtator, me objekt “përmirësimin dhe rifreskimin e sinjalistikës vertikale në akset kombëtare”, janë vënë nën lupën e Autoritetit të Konkurrencës pas dyshimeve për marrëveshje mes firmave pjesëmarrëse dhe për praktika të ndaluara nga ligji. Tenderi , i ndarë në dy projekte Vorë-Han i Hotit dhe Rrogozhinë-Kapshticë, përkatësisht me fonde limite 8 dhe 5 milionë dollarë.Vlera totale e tyre shkon në 1.3 miliardë lekë. Dyshimi kryesor që ka hedhur Autoriteti i Konkurencës lidhet me faktin se, ofertat fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit në të dy tenderat, pra dy kompanitë fituese mund të kenë përdorur skemën e rotacionit në oferta duke ndarë tregun. Janë tre kompani: “R.S & M”, “Jubica” dhe “IDK Construction”, që zotërojnë këtë sektor dhe rezultojnë fituese për pjesën dërrmuese të tenderave, që janë hapur për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore. Është ARSH instiucioni në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës që dyshohet të ketë bashkëpunuar me këto firma.
Referenca
-Artikull: Hetime për tenderat e sinjalistikës rrugore
(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315447 )
-Artikull: Buxheti 2015, rritja e cilësisë së investimeve në transport dhe infrastrukturë, për të sjellë kthesë dhe konsolidim të rritjes ekonomike në vend”
(http://ëëë.transporti.gov.al/al/neësroom/fjalime/ministri-haxhinasto-buxheti-2015-rritja-e-cilesise-se-investimeve-ne-transport-dhe-infrastrukture-per-te-sjelle-kthese-dhe-konsolidim-te-rritjes-ekonomike-ne-vend&page=1)
-Artikull: Ministri Haxhinasto, prezanton reformën në Ujësjellës Kanalizime
(http://ëëë.transporti.gov.al/files/userfiles/LISTA/Fjalimi_i_ministrit_te_Transporteve_Edmond_Haxhinasto.pdf)
-Artikull: Haxhinasto trajnimi i punonjësve të U.K i rëndësishëm
(http://ëëë.transporti.gov.al/al/neësroom/njoftime/ministri-haxhinasto-mbledh-donatoret-per-reformen-e-ujit-haxhinasto-trajnimi-i-punonjesve-te-u-k-i-rendesishem&page=1 )
-Artikull: Reforma e ujit, Kryetari i bashkisë përgjegjës për performancën e Ujësjellësit, nëse dështon i kalon qeverisë
(http://ëëë.oraneës.tv/vendi/kryetari-i-bashkise-pergjegjes-per-performancen-e-ujesjellesit-nese-deshton-i-kalon-qeverise/