
Blerina Llalla
1- Shërbime Publike
Muaji dhjetor vjen disi më i qetë, pa zhurmë lajmesh nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike. Përgjatë këtij muaji aktiviteti më kryesor ishtë ai i prezantimit të projektligjit të ri për Shërbimet Publike, i cili synon rregullimin e mënyrës së funksionimit të sporteleve të institucioneve shtetërore shqiptare i hartuar në sajë të reformës që është ndërmarë nga qeveria në sektorin e shërbimeve publike. Prezantimi u krye nga Ministrja Harito përgjatë një konsultimi publik me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe shoqërisë civile. Në fjalën e saj Ministrja Harito është shprehur se ligji në fjalë:
“Është një ligj krejtësisht inovator, sepse trajton një problem që nuk është trajtuar asnjëherë në legjislacionin shqiptar: Problemin se si shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve”.
Më tej, Ministrja ka vijuar me dhënien e një panorame të gjendjes të sportelevë të shtetit tonë ku ka theksuar përballjen me radhët e gjata të qytetarëve shqiptarë apo mungesën e procedurave standarte, mungesën e afateve kohore dhe shumë shpesh mungesën e përgjigjeve nga institucionet duke vënë theksin mbi riskun e krijimit të mundësisë për korrupsion si pasojë e vonesave apo mospërgjigjes institucionale. Një konstatim real ky për të cilin ngrejnë zërin shumë qytetarë çdo ditë përballë burokracive institucionale në të gjithë vendin.
Gjatë këtij takimi u tha se projektligji i ri përcakton: Parimet e ofrimit të shërbimeve publike, institucionet kompetente për hartimin e politikave shtetërore në fushën e shërbimeve publike si dhe strukturat që do të hartojnë këto standarte. Autoriteti përgjegjës që do të meret hartimin e standarteve mbi të cilat do të ofrohet shërbimi do të jetë ADISA, ndërsa institucionet shtetërore do të duhet të zbatojnë përmbushjen e këtyrë standardeve.
Kjo mbetet një nismë positive në sinkron me zhvillimet e reja të reformës mbi sherbimet publike dhe përshtatjet bashkëkohore teknologjike që lidhen drejtpërsëdrejti me dixhitalizimin e tyre. Dhe do të ishte një indikator rregullator i nevojshëm në kushtet e zhvillimit të këtyre planeve po aq sa vlen dhe monitorimi i çdo faze dhe përbushjes së detyrimeve nga ana e çdo institucioni sot e në të ardhmen. Aktiviteti tjetër i bërë publik në faqen zyrtare te MIAP është ai i “Orës së Kodimit”, që është zhvilluar në shkollën e mesme të përgjithshme “Halim Xhelo”, në qytetin e Vlorës, e cila është edhe shkolla që ministrja ka në patronazh në kuadër të projektit “Shkolla qendër komunitare”. “Ora e Kodimit” është lëvizje globale që përfshin dhjetëra miliona pjesëmarrës nga më shumë se 180 shtete. Ajo organizohet në kuadër të Javës së Edukimit në Shkencat Kompjuterike.
Ky event është zhvilluar për vitin e dytë radhazi, dhe paralelisht në 27 shkolla në të gjithë vendin. Qëllimi i aktivitetit është inkurajimi i nxënësve që të vazhdojnë të programojnë dhe të përqëndrohen në arsimin për shkenca kompjuterike, si një fushë me shumë perspektivë për punësim. Minstrja Harito thekson se është e fokusuar me të gjitha mënyrat në promovimin, dhënien e mjeteve të nevojshme për këtë botë dixhitale, Sipas saj, në Evropë, në 5 vitet që vijnë, parashikohet të hapen 900 mijë vende pune në këtë fushë, për njerëz që kanë aftësi në këtë fushë.
Nuk gjejmë të publikuar si në shumë ministri një raport përmbledhës vjetor për publikun por optimist dhe largpamës, mbetemi në pritje të punimeve të një viti të ri intensiv pune për MIAP, dhe jo vetëm, sidomos në fushën e reformave të vazhdueshme dhe risive në shërbime, këto dhe sfida të tjera.
Referenca: