1- Funksioni primar i Ministrisë së Shëndetësisë : Prokurime apo Shërbime?
Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë nën “vëzhgimin” e vazhdueshëm të opozitës. Për të disatën herë radhazi, ministri Beqaj, bëhet pjesë e lajmeve dhe akuzave të tyre. Deri në këtë pikë, gjithçka duket normale, pasi opozita duket se nuk po bën asgjë më shumë nga ajo që ne jemi mësuar të shohim prej saj, të kundërshtojë dhe akuzojë pozitën. Por, ajo që tërheq vëmendje dhe duket se ka vend për diskutim e dyshim, lidhet me faktin se këto akuza nuk vijnë në kuadër të shërbimeve shëndetësore, por në lidhje me afera, të cilat kapin shifra të mëdha parash. Këtë radhë bëhet fjalë për një tender, që kap vlerën e 640 milion dollarëve, të cilat shkojnë në favor të firmës “Intech Plus”, nën pronësinë e Z.Ilir Beqaj.
Kjo nuk është hera e parë që kjo ministri përfshihet në diskutime të tilla, duke humbur gjithmonë e më shumë vëmendjen nga qëllimi i saj. Kujtojmë se më datë 14 Dhjetor një tjetër lajm qarkulloi për Z. Beqaj, i cili është nën hetimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në lidhje me katër koncesione të Ministrisë së Shëndetësisë, ku sërish fliet për shifra që kapin vlerën e miliona eurove. Ndërkohë, në muajin tetor një tjetër skandal u regjistrua në radhët e kësaj ministrie, ku BIRN investigoi procesin e dhënies së dializës me koncesion, një prej kompanive aspak të njohura deri në ato momente. Pas kompanisë në fjalë, fshihej sërish emri i ministrit.
Pavarësisht lajmeve të vetme që qarkullojnë në media në lidhje me këtë ministri, në faqen zyrtare të saj, gjithmonë e më shumë shfletohen lajme mbi investime miliona dollarëshe. Së fundmi, nga kjo ministri raportohet se në spitalin rajonal të Shkodrës është bërë një investim prej 5 milionë dollarësh. APPA nuk ka shkuar pranë këtij spitali për të parë nga afër investimin e realizuar, por edhe nëse do ta bënte nuk do të ishte në gjendje të hartonte një raport vlerësues mbi këto investime. Ajo që ne presim është një raportim konkret i asaj që supozohet se është bërë, pasi këto para, ashtu sikurse pohon dhe vetë ministria, janë marrë nga buxheti i shtetit, pra nga buxheti që ngrihet mbi taksat tona.
Ajo që ministria raporton dhe përpiqet të justifikojë këtë shumë parash, duket gati paradoksale. Sipas saj, miliona dollarët e investuar e kanë shndërruar këtë spital “në një model të ri të shërbimit mjekësor, modern e bashkëkohor, tërësisht i shndërruar, falë investimeve të shumta të bëra në dy vitet e fundit” (MSH, Dhjetor, 2015). Në faqen zyrtare të ministrisë, vijon më tej lajmi se ky spital ofron së fundi, një gamë më të gjerë shërbimesh ndaj pacientëve, cilësi të lartë, si dhe pajisje mjekësore diagnostikuese dhe kuruese të teknologjisë më të avancuar.
Ajo që duam të dimë është: Specifikisht, (i) Çfarë shërbimesh ofron tani, që nuk ishin më parë? (ii) Mbi cilat pajisje mjekësore u investua? (iii) Cilat janë pajisjet e reja që u blenë me këtë shumë parash? (iv) Kur thuhet cilësi e lartë shërbimi, do të thotë hyrje të reja në staf dhe mjek të specializuar të cilët më parë nuk ishin pjesë e këtij stafi? Pra, ashtu sikurse qartësisht mund të kuptohet, ministria nuk kursehet të deklarojë shifra me shumë zero në shpenzimet që bën, por heziton të listojë se për çfarë u përdorën konkretisht këto para. APPA, ashtu sikurse çdo qytetar shqiptar, vazhdon të ngre shqetësime serioze në lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura pranë ministrisë së shëndetësisë, e cila duket sikur çdo ditë e më shumë po e humbet funksionin e saj primar. Ndoshta, ministri duhet ta konsiderojë idenë e dhënies me koncesion të vetë ministrisë që drejton, pasi ndoshta ndonjë sipërmarrës privat do të mund të kujdeset më mirë për mirëqënien shëndetësore të shqiptarëve.
Referenca:
Top Channel. “Denoncimi i radhës, PD: Rama, tendera me shumicë Beqajt dhe Abazit”. Dhjetor, 2015: http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=315823
Gazeta Panorama. “Tenderat e fundvitit/Ditmir Bushati i jep 320 milion lekë Ilir Beqajt”. Dhjetor, 2015:
http://www .panorama.com.al/tenderat-e-fundvitit-ditmir-bushati-i-jep-320-milion-leke-ilir-beqajt
Gazeta Panorama. “Prokuroria nis hetimet pë r katë r koncesionet e dyshimta të Ilir Beqajt”. Dhjetor, 2015: http://www.panorama.com.al/prokuroria-nis-hetimet-per-kater-koncesionet-e-dyshimta-te-ilir-beqajt/
Ministria e Shëndetsië . “Spitali i Shkodrë s, 5 milion dollar investime”. Dhjetor, 2015: