![Sokol Kondi](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2015/03/sokol-kondi-300x300.jpg)
Sokol Kondi
1- Hiqen vizat për diplomatët, por jo ato për qytetarët
Në fund të nëntorit Ministria e Punëve të Jashtme bënte të ditur se arriti nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit, midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Indisë.
Ky do të ishte një lajm edhe më i gëzueshëm, në rast se do të kishte një shtrirje më të gjerë, edhe për shtetasit shqiptarë apo indianë që duan të vizitojnë apo të bëjnë biznes në vendet përkatëse. Fatkeqësisht, në bilancin e dy viteve të fundit të punës së saj, MPJ nuk është në gjendje të paraqesë ndonjë arritje të madhe për sa i takon shtimit të vendeve që kanë hequr regjimin e vizave për qytetarët shqiptarë, gjë të cilën me siguri do ta kishte trumbetuar me të madhe në rast se do të ishte realizuar, sikurse bën me disa arritje të supozuara të saj.
2- Një arritje e paarrirë për qëndrimin e politikës së jashtme
I quajmë disa arritje të supozuara, sepse në daljet e tij publike, ministri i Jashtëm Z. Ditmir Bushati vë shpesh në dukje me vetëbesim faktin se sipas tij Shqipëria ka treguar një maturi në politikën e jashtme duke i atashuar të gjitha (100% thotë ministri) qëndrimet e saj me ato të Bashkimit Europian.
Së pari kjo nuk është e vërtetë dhe për ta dëshmuar këtë mjafton të përmendim verën e vitit 2014, kur gjatë konfliktit të rëndë në Gaza ndërmjet Palestinës dhe Izraelit, OKB-ja dhe BE-ja dënuan njëzëri një masakër civilësh të Izraelit në një treg, gjë për të cilën Shqipëria heshti. Dhe së dyti, nëse ajo që thotë ministri është e vërtetë, atëherë mospatja e një politike të jashtme deri diku të pavarur për çështje të caktuara, do të bënte që zëri i një vendi të vogël si Shqipëria të ishte edhe më i padëgjueshëm.
Pa zgjidhur problemin e tyre Konsullatat s’mund të zgjidhin ato të qytetarëve Sakaq, më 11 dhjetor, gjatë fjalës së tij me rastin e lancimit të projektligjit “Për regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë”, fokusi i ministrit ishte te ato që synon apo që pret të bëjë MPJ në sektorin ambasadave dhe të konsullatave, kur tashmë qeveria e ka kaluar mesin e mandatit të saj. Ministri vuri në dukje uljen e disa tarifave konsullore, por nuk tha asnjë fjalë për radhët e gjata me të cilat përballen qytetarët për të marrë një dokument nëpër konsullata dhe as nëse do të merret ndonjë masë për përmirësimin cilësor dhe sasior të personelit të këtyre konsullatave, kur dihet se një pjesë e konsullatave përbëhen vetëm nga dy persona, shpesh militantë partiakë dhe pa kualifikimet e nevojshme, apo edhe pjestarë të së njëjtës familje, gjë të cilën e denoncojnë vazhdimisht nëpër media vetë qytetarët që i vuajnë mbi shpinë këto pasoja.
3- Edhe ambasador edhe drejtor? Nga bunkeri i MPJ asnjë info
Së fundi, më 24 dhjetor, ambasada shqiptare në Slloveni, publikonte në faqen e saj në Facebook (uesbajtet e ambasadave sikurse kemi raportuar një vit resht janë plotësisht apatike), një lajm lidhur me konsultimet diplomatike që ishin mbajtur një ditë më parë në Lubjanë mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Në këtë lajm, theksohet se për palën shqiptare bisedimet “u kryesuan nga z. Ferit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Politike dhe Strategjike në Ministrinë e Punëve të Jashtme”.! Zoti Ferit Hoxha, në faqen zyrtare të ambasadës tonë pranë OKB-së, vazhdon të rezultojë zyrtarisht si ambasador, por papritmas, ai në dhjetor u shfaq edhe në detyrën e re të mësipërme, që është e papajtueshme me rolin e ambasadorit. Duke i kontaktuar përmes e-maileve të tyre zyrtare, si ambasadën e Shqipërisë pranë OKB-së, ashtu edhe MPJ-në, përgjigja e tyre vazhdon të jetë inekzistente, duke konfirmuar prirjen e MPJ për të qenë një bunker betoni për llogaridhënie dhe transparencë ndaj qytetarëve.
4- Ministri në aktivitet partiak gjatë orarit të punës
Ministri Bushati nuk e ka për herë të parë që lë xhaketën e kryediplomatit për të veshur atë të funskionarit partiak. Në qershor raportonim për aktivitetin e tij politik në favor të kandidatit bashkiak socialist të Tiranës, gjatë orarit të punës. Gjatë dhjetorit Bushati ka qenë sërish aktiv në terrenin e militantëve, duke lënë godinën e ministrisë gjatë orarit të punës për të shkuar në Shkodër, në takime me bazën, si dhe duke u përkujdesur për të moshuarit në Tiranë, aq sa në një pikë të caktuar funksioni i tij i vërtetë publik mund të ishte fare i paqartë për dikë që nuk e njeh mirë.
Referenca
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/lajme/nenshkruhet-ne-mpj-marreveshja-per-heqjen-e-vizave-per-pasaportat-diplomatike-dhe-te-sherbimit-midis-keshillit-te-ministrave-te-republikes-se-shqiperise-dhe-qeverise-se-republikes-se-indise&page=1
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/fjalime/fjala-e-ministrit-bushati-me-rastin-e-lancimit-te-projektligjit-per-regjistrimin-e-adreses-se-shtetasve-shqiptare&page=1
http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/deklarata-per-shtyp/ministri-bushati-pershendet-konkluzionet-e-keshillit-te-ministrave-te-be-se-per-shqiperine
http://www.mapo.al/2015/12/gjendje-e-rende-ne-konsullaten-ne-milano-ndocaj-i-terheq-vemendjen-ministrit-bushati
https://www.facebook.com/notes/ditmir-bushati/2015-nj%C3%AB-vit-diplomatik/858882650892185
http://www.mapo.al/2015/12/socialistet-kryqezojne-bushatin-ne-shkoder
https://www.facebook.com/media/set/?set=a.861165357330581.1073742148.523765691070551&type=3