1- Më në fund statistika për emigracionin
Në dhjetor 2015 në Fletoren zyrtare publikohet një material i detajuar mbi emigracionin në Shqipëri, statistikat, efektet, shkaqet dhe një sërë rekomandimesh për trajtimin e problemeve që lindin prej fenomenit.
Një nga aspektet më të rëndësishme të profilit të emigrimit në Shqipëri është rritja alarmante e numrit të azilkërkuesve, që ka shkaktuar shqetësim edhe në vendet pritëse të BE-së. Sipas statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Kufirit dhe Migracionit nga viti 2012 deri në vitin 2014 numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me të paktën 5000 (nga 7336 në 12222). Megjithë deklaratën se Shqipëria i ka menaxhuar me efikasitet emigrantët e kthyer nga vende si Italia dhe Greqia përmes Sporteleve të Emigracionit, duket se jo vetëm nuk kanë qenë të mjaftueshme por as nuk e kanë përmbajtur fenomenin e emigrimit, azilkërkuesve dhe emigrimit të paligjshëm.
Faktet e këtij viti treguan edhe njëherë dëshpërimin e shqiptarëve për alternativa më të mira jashtë Shqipërisë. Me hapjen e procedurave të Lotarisë Amerikane këtë vit u konstatua se numri i aplikantëve ka shënuar një rekord të ri (Shifrat zyrtare dalin më vonë në kohë). Kujtojmë se në vitin 2012 numri i aplikantëve për Lotarinë Amerikane ishte rreth 122 000 ndërkohë që në vitin 2014 kjo shifër arriti në 198 000. Ndoshta këtë vit e ka tejkaluar shifrën 200 000? 200 000 shqiptarë që duan të largohen nga Shqipëria, ose më saktë mbi 7% e gjithë popullsisë së regjistruar (kjo përqindje mund të edhe më e lartë nëse kemi parasysh që popullsia është më e vogël në numër krahasuar me vlerësimet e INSTAT).
Ndërkohë që shumica e qytetarëve të këtij vendi dëshirojnë të largohen politikat e qeverisë aktuale nuk i kanë adresuar shkaqet themelore të këtij fenomeni dhe vijojnë të përmendin përmirësimet në llojin e emigrimit nga ana e shqiptarëve dhe se sa të suksesshëm kanë qenë në përmbajtjen e largimit të popullsisë.
Ky lloj arsyetimi vihet re në analizimin e faktorëve shtytës dhe tërheqës për largimin e shqiptarëve nga vendi i tyre. Pak ose aspak analizohen arsyet e vërteta duke u fokusuar vetëm tek papunësia (që gjithsesi justifikohet me mungesën e matjeve të mëparshme nga ana e INSTAT).
Në përfundim të raportit jepen 14 rekomandime që do të ndikonin në përmirësimin e situatës së emigrimit. Ndërkohë që të gjitha këto rekomandime janë të qenësishme (rritja e mirëqenies ekonomike dhe sociale, rritja e meritokracise dhe arsimimit cilësor, lufta kundër informalitetit në ekonomi, ri-integrim më i mirë i shtetasve shqiptarë që kthehen etj.) lind pyetja se përse këto masa nuk janë marrë më herët, pavarësisht se kanë qenë pjesë e vazhdueshme e diskutimit mbi politikat publike në Shqipëri? Nuk nevojitet thjesht një analizë e problematikës dhe dhënie e rekomandimeve për sa kohë që këto të fundit nuk përkthehen në iniciativa me impakt real, jo thjesht vendosje qoskash për emigrantët e kthyer. Strategjia që propozohet në rekomandime e që duhet finalizuar brenda këtij viti duhet të reflektojë domosdoshmërinë e trajtimit të këtij fenomeni dhe të bazohet në masa konkrete e të realizueshme.
2- Shpenzime për konferenca dhe qera sallash
Në muajin dhjetor shpenzimet e Ministrisë së Brendshme kategorizohen në: a) Paga dhe shpërblime; b) Pajisje kompiuterike dhe mirembajtja dhe c) Qera sallash per konferenca dhe takime. Në një ndarje të tre kategorive kryesore përmes faqes online Open Data Albania shohim se rreth 760 000 leke (të reja) janë shpenzuar brenda 1 muaji për pjesëmarrje në konferenca dhe qera salle. Për shembull, në datë 17 dhjetor vihet re një pagesë prej 109 000 lekësh të reja për qera salle. Megjithëse nuk kemi informacion sa ditore ka qenë prenotimi i sallës, nëse hamendësojmë se aktiviteti ka qenë 1-ditor kjo shumë duket e fryrë dhe me siguri ka oferta të tjera shumë herë më të ulëta.
Një tjetër pagesë prej 400 000 lekësh të reja janë shpenzuar sërish për pjesëmarrje në konferenca dhe pagesa i drejtohet subjektit tregtar GECI. Nga një kërkim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit mund të shohim se të tre subjektet tregtare të regjistruara me këtë emër janë ç’regjistruar ose likuiduar që prej vitit 2013. Nëse pagesa i është bërë Hotelit Tirana International (me administrator dhe aksioner Z. Ram Geci) ajo është e regjistruar në QKR nën emrin tregtar Albanian Consortium Sh.a. Duket pra se një faturë i është shlyer një subjekti tregtar që nuk ekziston më, të paktën ligjërisht. Në rast se informacionet e marra nga faqet zyrtare të institucioneve të lartpërmendura nuk janë të sakta, ftojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme të japë sqarimin e duhur për këtë pagesë, ndonëse jo të konsiderueshme për një institucion qeveritar, por të konsiderueshme në terma të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë, e veçanërisht ata që këtë pagesë nuk e marrin si pagë në një vit të tërë pune.
Një pagesë tjetër që bie në sy është ajo ndaj CEC Group për ndërtesa administrative me një pagesë mbi 900 000 lekë të reja. Sipas të dhënave të përftuara nga QKR, ky subjekt ka për administrator dhe aksioner Vangjush Mbriçe i vendosur në këtë pozicion vetëm në shkurt të vitit 2015 pas blerjes së aksioneve. Artikuj të ndryshëm mediatik i referohen lidhjeve ndërmjet administratorit të CEC Group dhe deputetit Koco Kokëdhima. Jo rastësisht i njëjti subjekt tregtar u shpall fitues për hartimin e planit urbanistik të bregdetit jugor megjithëse konkurronte me kompani të tjera jo vetëm më të vjetra dhe më me eksperiencë në treg por që paraqiteshin edhe me partnerë të huaj në propozimin e tyre.
Referenca:
Faqja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Internet. Online:
Fletorja Zyrtare. Nentor 2015. Online:
http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/PDF-2015/203-2015.pdf
Open Data Albania. Spending Data. Online:
http://spending.data.al/sq/treasuryservice/list/faqe/2/year/2015/inst_code/1016001
Gazeta Tema. Nëntor 2015. Online: http://www.gazetatema.net/ëeb/2015/11/17/kokdhima-merr-kontrollin-mbi-urbanistiken-e-bregdetit-jugor/
Gazeta Tema. Nëntor 2015. Online: http://www.gazetatema.net/ëeb/2015/11/11/aplikimet-per-lotari-amerikane-shqiptaret-lider-ne-bote/
Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Online: http://www.qkr.gov.al/nrc/Default.aspx
INSTAT. Janar 2015. Online: http://www.instat.gov.al/al/publications/njoftim-p%C3%ABr-media/njoftim-p%C3%ABr-media-popullsia-e-shqip%C3%ABris%C3%AB-1-janar-2015.aspx