
Megi Llubani
1- Direktiva 2016 – Arritje dhe përmbushje
Sikundër pritej, këtë muaj Ministria e Mborjtjes përgatiti dhe publikoi Direktivën e Mbrojtjes për vitin 2016. Sikurse dokumentet e viteve të kaluara edhe këtë herë parashtrohen prioritetet dhe objektivat kryesore që duhet të përmbushen brenda vitit 2016. 4 janë prioritetet e identifikuara nga direktiva e mbrojtjes 2016: Rritja e ndërveprueshmërisë dhe operacionalitetit; Përmbushja e angazhimeve në kuadër të Aleancës; Modernizimi i kapaciteteve dhe vijimi i përmirësimit të infrastrukturës së FA dhe Mirëmenaxhimi i burimeve të mbrojtjes dhe i mbështetjes për ushtarakët. Ajo që bën më tepër përshtypje nga prioritetet e identifikuara është mbështetja për ushtarakët. Nuk bëhet e qartë çfarë lloj mbështetjeje nënkuptohet: është fjala për rritje pagash, kapacitetesh, shpërblimesh? Kujtojmë se me ardhjen e fundvitit asnjë anëtar i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk mori shpërblim si shtesë ndaj pagës mujore. Për më tepër, bën gjithashtu përshtypje se disa nga drejtimet kryesore të identifikuara mbeten tërësisht të pashtjelluara, thjesht aksioma për të mbushur faqet e direktivës, pa patur një vizion të qartë se çfarë nënkuptohet.
Një nga drejtimet kryesore të vitit 2016 duket se është përmirësimi i legjislacionit. Më poshtë një fjali e shkëputur nga direktiva përkatëse:
‘’Të vijojë hartimi, nxjerrja dhe rishikimi i të gjitha akteve të nevojshëm nënligjore në zbatim të akteve ligjore të miratuara, duke garantuar zbatimin e plotë të tyre. Të ndiqen detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.’’
Ndërkohë që përmirësimi i kuadrit ligjor dhe nxjerrja e akteve nënligjore është baza për zbatimin dhe implementimin e tij, as në këtë direktivë as në pjesë të tjera të informacioneve publikuar nga Ministria nuk shtjellohen specifikisht cilat janë ligjet që duhen pajisur me akte nënligjore dhe deri ku ka mbërritur përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së në fushën e mbrojtjes.
Në seksionin mbi burimet e mbrojtjes, prioriteti i parë është personeli, e më konkretisht rritja e motivimit nëpërmjet pagesës, përkujdesjes, arsimit, kushteve të punës etj. Kjo temë ka qenë një prej premtimeve të përsëritura më shpesh nga Ministrja e Mbrojtjes përgjatë ushtrimit të detyrës së saj në krye të ministrisë. Rivendosja e dinjitetit të forcave të armatosura ka qenë një nga premtimet e fushatës elektorale në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ka shërbyer si një justifikim dhe histori suksesi përkundër qeverisjes së mëparshme. Në vitin e dytë të qeverisjes së Partisë Socialiste, pra ndërkohë që është përshkuar më tepër se gjysma e mandatit qeverisës, duket se ky premtim nuk ka arritur të prodhojë rezultate konkrete. Përgjatë vitit 2013 u vu re se nga rritja e pagave dhe trajtimi më i mirë përfituan vetëm një kategori e forcave të armatosura, ato ajrore. Gjithashtu, rikthimi i dietave ushqimore u trumbetua si një arritje në rikthimin e dinjitetit të ushtarakëve, ndërkohë që në terma realë kjo u përkthye në një shtesë mujore prej 2 000 lekësh, një shumë në kufijtë e qesharakes.
Sa i përket menaxhimit financiar, Direktiva e Mbrojtjes 2016 synon të ‘’sigurojë mbështetjen e balancuar midis artikujve buxhetorë, me synim rritjen e nivelit të shpenzimeve kapitale për modernizimin e infrastrukturës, duke mbështetur njëkohësisht prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Ushtarake.’’ Vijohet më tej me rritjen e efektivitetit dhe efiçiencës së përdorimit të burimeve të mbrojtjes. Kujtojmë që jo më vonë se në muajin nëntor Këshilli i Lartë i Shtetit paditi 12 punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes për korrupsion dhe abuzim me detyrën duke i shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm buxhetit të shtetit. Është pak të thuhet se menaxhimi dhe kontrolli financiar duhet të përmirësohen në këtë Ministri, por është gjithashtu e domosdoshme të mos mbetet në nivelin e fjalëve dhe planeve të shkruara që në fund të ditës mbeten vetëm fjalë dhe pandëshkueshmëria vijon të mbizotërojë.
Së fundi, duke qenë se direktiva sapo është miratuar mbetet të monitorohet më tej puna e organeve përkatëse brenda Ministrisë dhe forcave të armatosura përgjegjëse për hartimin e planeve për zbatimin e direktivës së mbrojtjes.
Referenca:
Ministria e Mbrojtjes. Dhjetor 2015. Direktiva e Mbrojtjes 2016. Online: http://www.mod.gov.al/images/PDF/Direktiva_Mbrojtjes_2016.pdf