![Adela Danaj](http://appa.brentonkotorri.com/wp-content/uploads/2016/01/Adela_Danaj-207x300.jpg)
Adela Danaj
1- Pas përmbushjes së “standardeve”, është koha e shpërblimeve!
Ministria e Bujqësisë ka patur një axhendë të ngjeshur gjatë muajit Dhjetor dhe një ndër aktivitet e saj më të rëndësishme ka qënë dhe ndarja e çmimit për verën më të mirë Shqiptare. Ky event ka marrë një vëmendje aq të madhe dhe të vetë ministrit sa stafi drejtues i faqes zyrtare të ministrisë, nuk kanë hezituar ta vendosin dhe në rubrikën e lajmeve mbi aktivitetet më të rëndësishme të kësaj ministrie. Pas një viti të mbushur plot konkurse mbi projektet bujqësore që duhet të dorëzonin fermerët shqiptar për të qenë përfitues të skemave të planifikuara nga ministria e bujqësisë, më në fund ministri vendosi ta mbyllë vitin duke dhënë çmimin e verës më të mirë. Përballë një situate të tillë, është e vështirë të ruash qëndrim racional, të përpiqesh të bësh analiza apo për më tepër të kërkosh transparencë dhe llogaridhënie.
Nëse do t’i rikthehemi dhe një herë të gjitha aktiviteteve kryesore të kësaj ministrie për vitin 2015, do të shohim numrin e madh të njoftimeve që lidhen me përfitime kontratash nga bashkëpunime me partnerë të huaj, për skema bashkëpunimi me qeverinë për t’i ardhur në ndihmë fermerëve, për kujdesin që do t’i jepej peshkatarëve të qytetit të Durrësit si një potencial i mundshëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, dhënie kredish me interes thuaje zero si një formë për të rritur investimet në bujqësi, kontroll i lartë dhe i rreptë për produktet shqiptare në mënyrë që të konkurrojnë lehtësisht në tregje të huaja, etj, etj.
Por, në fundvit, në faqen e kësaj ministrie nuk ka asnjë hije nga lajmet e kobshme me përfitime revolucionare për ekonominë tonë, por dhënia e disa çmimeve për të cilat nuk e kuptuam përse u dhanë e kujt ju dhanë. Dhe meqë u dhanë, mbi ç ’kritere u dhanë dhe kush i vlerësoi? Si përfundim, fituesit me çfarë u shpërbylen për produktin e mirë shqiptar që kanë prodhuar, vetëm me mbështetjen morale të ministrit? Ndoshta, kjo ministri do të bënte mirë t’i japë një dorë, për të shtyrë më tej zhvillimin e aktivitetit të këtyre prodhuesëve të cilët për hir të së vërtetës, deri tani, kanë ofruar cilësi dhe përgjegjshmëri.
2- Shqipëria në një “rekord historik”
Gjatë përpjekjes për të investiguar, analizuar dhe më pas raportuar, të asaj që qeveria shqiptare bën, një ndër titujt që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai i Ministrisë së Bujqësisë gjatë muajit dhjetor. Me shkronja të mëdha shkruhej “Rekord historik”, por entuziazmi bie menjëherë sapo lexon vazhdimin e lajmit. Për të parën herë, vendi ynë ka thyer rekordin qëkish vendosur po vetë, në prodhimin e mandarinës. Po, duhet pranuar. Pasi përfundon leximin e fjalisë një buzëqeshje mund të të ngjizet lehtësisht në fytyrë. Në këto kushte, nuk di më as çfarë të mendosh e as çfarë të shkruash!!!
Sipas të dhënave që raporton Ministria e Bujqësisë, gjatë vitit 2015, janë prodhuar rreth 17 mijë ton mandarina në Xarrë të Sarandës dhe ky moment duhet shënuar dhe kujtuar si historik. Në fakt, bujqësia është një tjetër sektor me probleme serioze në vendin tonë dhe minimumi që secili nga ne pret, është të paktën ndonjë zgjidhje sado e vogël për çështje emergjente të mbetura pezull, si për shembull, të gjendet sa më shpejt ndonjë zgjidhje për fermerët, të mbjellat e të cilëve janë gjithmonë në rrezik sa herë që bie shi.
Në një kohë që ministria krenohet me rekordet historike, fermerët vazhdojnë të qëndrojnë me sytë nga qielli, duke shpresuar për diell e “mëshirë” atmosferike, në mënyrë që të shpëtojnë prodhimin e tyre. Prodhim i cili nuk dëmshpërblehet në rast nevoje, por me të cilin ministria krenohet në raste suksesi edhe atëherë kur nuk ka asnjë kontribut për arritjen e këtij sukses.
Referenca:
Ministria e Bujqësisë. “Prezantimi i produkteve shqiptare në hollin e Ministrisë së Bujqësisë dhe ndarja e çmimeve për verërat më të mira shqiptare për vitin 2015”. Dhjetor, 2015:
Ministria e Bujqësisë. “Rekord historik i prodhimit të mandarinës në Xarrë këtë vit. Plot 17000 ton prodhim. Synojmë të fusim në prodhim dhe 1000 ha të tjerë për tĕ shkuar në 40000 ton”, pohon Ministri Panariti i pranishëm në Festën e mandarinës në Xarrë, Sarande”. Dhjetor 2015: