Sokol KONDI, MSc
Arbëreshët dhe nacional-politika e jashtme
Një ndeshje futbolli muajin e kaluar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë në Palermo, nxori në pah një realitet, që për shumëkënd as mund të ishte imagjinuar. Janë të shumtë ata që kanë dëgjuar për arbëreshët e Sicilisë, që kanë ruajtur edhe sot pas shumë shekujsh, doket e zakonet e të parëve të tyre, por pritja që iu bë Shqipërisë me rastin e ndeshjes së futbollit ishte e paimagjinueshme. Komuniteti arbëresh në Piano degli Albanesi, pushtoi rrugët me flamuj kuqezi[1]. Të moshuarit shpreheshin në televizione për origjinën e tyre shqiptare, të rinj vendas, shtetas italianë, të lindur në këtë shtet, dhe ku jetojnë prej shumë brezash, ishin të veshur me ngjyrat e flamurit tonë kombëtar dhe uronin fitoren e Shqipërisë. Kronikat televizive treguan shkolla, ku që nga mësuesit e deri te fëmijët, këndohet dhe mësohet në shqip.
Nuk mbaroi me kaq, por pak kohë më pas, arbëreshët e Sicilisë shkuan edhe më tej, duke bërë dy kërkesa të rëndësishme. Njëra, drejtuar shtetit shqiptar, në mënyrë që të mbrojë identitetin kulturor të këtij komuniteti, duke lobuar në UNESCO, që gjuha e tyre të njihet si pasuri kulturore botërore. Dhe kërkesa e dytë, që ka lidhje me mbrojtjen dhe përhapjen e kësaj gjuhe, duke e transmetuar edhe në valët e televizionit kombëtar italian Rai. [2] Vitet e fundit, jemi mësuar që klasa politike shqiptare, kur vjen puna për të fituar zemrat e nxehta që gëlojnë nga çështjet akute nacionaliste ose patriotike, i drejtohet shqiptarëve përtej kufirit të Shqipërisë apo Kosovës në treva si Ulqini, Shkupi, Presheva e kështu me radhë.
Ndryshe është çështja për Çamërinë, “lufta” për të cilën bëhet brenda, në pamundësi për ta trajtuar në shtrirjen e saj gjeografike, atje ku ajo ndodhet, pasi një gjë të tillë nuk do ta lejonte shteti grek, qëndrimi zyrtar i të cilit është se çështja çame nuk ekziston dhe se krahina Çamëri nuk ekziston, pasi në fakt në toponimet e shtetit dhe të historiografisë greke, ajo njihet vetëm me emrin Thesprotia.
Por nuk paraqitet kaq e vështirë dhe e ndërlikuar situata me arbëreshët e Italisë, të cilët, përveçse po dëshmojnë një atdhe-dashuri dhe një lidhje të fortë shpirtërore me vendin e të parëve të tyre, po kërkojnë me ngulm edhe lidhjen e urave të bashkëpunimit, dhe për më tepër një shtet mik dhe partner strategjik si Italia, nuk do të krijonte asnjë pengesë, përkundrazi, i promovon fort komunitetet që kanë tradita apo përkatësi etno-kulturore të caktuara, si në rajonet e Trentino Alto Adiges, Valle D’Aosta, etj.
Pra, çfarë e pengon MPJ, që të ndërmarrë të njëjtat hapa që ka ndërmarrë edhe karshi Kosovës, apo trevave shqiptare në Maqedoni, për të pasur tekste të unifikuara mësimore, në disa sfera të dijes, duke nisur që nga abetarja për fëmijët, e kështu me radhë. Promovimi dhe bashkëpunimi kulturor në këtë rast vetëm sa do t’i pasuronte të dyja palët dhe do të rriste më tej edhe miqësinë Shqipëri-Itali. Por fatkeqësisht, përveç një vizite të Presidentit të Republikës disa vite më parë, i cili gjithsesi ishte i ftuar nga arbëreshët, dhe ku u konfirmua edhe një herë respekti dhe dashuria e madhe për Shqipërinë, nuk është parë ndonjë nismë vetë nga përfaqësuesit e lartë të politikë së jashtme shqiptare që të ndërmarrin hapa në këtë drejtim.
Populizmi i kryeministrit Rama kufizohet në sferën e Ballkanit, ku ai herë pas here përpiqet të riafirmojë një rizgjim të Shqipërisë në rajon, duke e përdorur këtë edhe si kartë patriotike apo nacionaliste, për të tërhequr votuesit e këtillë në Shqipëri. Por nuk kuptohet përse mos t’i kushtohej e njëjta vëmendje edhe “Arbërisë” së dikurshme të shpërngulur në Itali, qoftë për të njëjtat kalkulime politike, të cilat gjithsesi do t’i hapnin rrugë një bashkëpunimi pa kthim prapa.
Kjo logjikë mund të përdorej edhe për mikro-komunitete të tjera arbërore, si në Zara të Kroacisë apo edhe më gjerë, që janë sidoqoftë pjesë në shtete me të cilat Shqipëria nuk ka marrëdhënie të këqija. Nuk ka përse Shqipëria të mos jetë Atdhe faktik dhe jo imagjinar për të gjithë ata që e ndiejnë dhe e perceptojnë si të tillë.
Edhe më interesant është një komunitet edhe më i vonshëm shqiptarësh, të cilët janë shpërngulur në Ukraninë, kryesisht me origjinë nga zonat e Korçës, shekuj më parë dhe që gjithsesi kanë ruajtur ende shumë doke e zakone, të cilët gjithashtu duket se lëshojnë një klithmë të dëshpëruar për përkrahje dhe ndihmë kulturore nga Shqipëria, që të mos i humbasin tërësisht rrënjët, sa nuk është vonë.
Në një kronikë tepër interesante të Valerie Hopkins përshkruhet me detaj historia dhe jeta e këtij komuniteti interesant arbëror, që e përdor dhe e do ende shqipen[3]. Ka ardhur koha që komunitete të tilla shqip-folëse nëpër botë, jehona e të cilëve mbërrin deri në Tiranë, të mos bjerë në vesh të shurdhër. Nisma institucionale dhe jo urdhra me telefon që pasqyrohen nëpër media për show [4] janë ajo që do të duheshin në raste të tilla.
[1] Arbëreshët presin Shqipërinë http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=351196
[2] Rai duhet të flasë shqip http://antenne.blogautore.repubblica.it/2017/04/13/la-rai-deve-parlare-albanese/
[3] Arbëreshë edhe në Ukrainë https://vrhopk.wordpress.com/2014/04/11/ukraines-albanians-struggle-to-keep-identity-alive/
[4] Rama i jep “urdhër” ministrit të Jashtëm http://www.gazetatema.net/2017/03/24/video-rama-i-merr-celularin-vangjush-dakos-dhe-i-telefonon-bushatit-o-ditmir-te-lutem-fol-pak-ketu/