Nga Megi Llubani
I kapur nga ethet e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, kryetari i bashkisë së Tiranës kërkoi me ngulm votën e shqiptarëve “për të bërë akoma më shumë në vazhdim”…për qytetin.
Për ta përkeqësuar këtë veprim ai shkoi një hap më tutje duke shkruar një letër të hapur për banorët e kryeqytetit për t’i rikujtuar ata se në fakt punët e mira të Tiranës do të kishin qenë të pamundura pa mbështetjen e Edi Ramës. Të ngjan me një kërcënim të llojit, nëse nuk voton për ne, harroje se do të bëhet punë në Tiranë, një lojë me shumatore zero.
Jo më tej se paraardhësi i tij ankohej se qeveria qeindrore ish fajtore për mos realizimin e qindra projekteve në shërbim të qytetarëve të Tiranës për shkak të Edi Ramës, kryeministrit të “verbuar nga xhelozia e një dështaku serial”.
Menaxhimi i qyteteve shqiptare është rezultat dhe peng i interesave partiake. Dhe kjo nuk kufizohet vetëm te Tirana.
Gjatë zgjedhjeve vendore të 2015, një pjesë e mirë e kandidatëve të PS-së dilnin përkrah kryeministrit në takimet e tyre elektorale dhe e kërkonin votën e shqiptarëve, jo sepse vizioni i tyre ishte më i mirë, por sepse do të kishin mbështetjen e pakushtëzuar të kryeministrit të vendit për të sjellë më tepër investime.
Një vit më parë, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, haptas kritikoi qasjen e qeverisë qendrore ndaj pushtetit vendor dhe kërkoi ndryshim të mënyrës si sigurohet mjaftueshmëria financiare e bashkive, duke iu larguar formës së Fondit të Rajoneve ku bashkitë duhet të konkurojnë për fonde.
Nëse suksesi i një kryetari bashkie qendron në përkatsinë e tij me partinë që mbart pushtetin qendror, përse duhen organizuar zgjedhje vendore? Përse të mos zgjidhen kryetarët e bashkive në varësi të partisë që ka shumicën në parlament? Përse të mos i zëvendësojmë kryetarët e bashkive të zgjedhur nga populli me ministra vendorë të caktuar nga lart? Në një vend ku diskutohen ende individë dhe jo ide, parti dhe jo ideologji është e vështirë të mendohet nëse ekziston një rrafsh përtej atij partiak e klientelist.
Është po ashtu e paimagjinueshme që politikat publike, në nivel vendor e qendror ndërmerren në bazë të bindjeve ideologjike, edhe më keq bazuar në statistika, studime serioze e të dhëna të besueshme. E megjithatë drejtimi i një qyteti është kryesisht punë administrative e menaxheriale që kërkon njohuri teknike, jo oratori e spektakël. Perse të mos zgjedhim në krye të qyteteve tona individ që nuk kanë ambicie të bëhen kryetar partie e kryeministra e që e përdorin postin e kryebashkiakut si trampolinë?
Administratorët e qyteteve, (lexo kryetarët e bashkive), duhet të jenë figura jo politike që qendrojnë mbi zënkat e mosmarrëveshjet partiake. Në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht përkatësisë politike të kandidatëve ose mungesës së saj, kryetarët e bashkive shfaqin një stil jo-politik udhëheqjeje, tregohen pragmatikë dhe strategjikë. Në fjalët e ish kryetarit të bashkisë së New York “Nuk ka një mënyrë republikane apo demokrate për të rregulluar kanalizimet”. Në librin e tij “Nëse bota do të udhëhiqej nga kryetarët e bashkive” Benjamin Barber (teoricien politik dhe themelues i parlamentit global të bashkive) argumenton se nëpërmjet paanshmërisë kryebashkiakët në përgjithësi kanë arritur të ruajnë besimin e banorëve në pozicionin e tyre, kanë ndihmuar qytetet të kthehen në promovues të qeverisjes së mirë dhe kanë nxitur bashkëpunimet me qytete të tjera për të adresuar më mirë probleme të përbashkëta.
Propozimi i tij është sa i thjeshtë aq edhe i vështirë për t’u kapërdirë në kontekstin e një vendi si Shqipëria ku politika partiake shtrihet në çdo qelizë të shoqërisë. Megjithatë, axhendat politike shpesh errësojnë kryerjen e detyrave administrative në menaxhimin e një qyteti.
Kontrastet ndërmjet një kryebashkiaku politik dhe atij teknik janë të pamohueshme. Në vitin 1999 Washington DC zgjodhi një figurë jo tradicionale në botën politike amerikane si kryetar bashkie. Anthony Williams kishte shërbyer për dekada më radhë si nëpunës i qeverisë lokale dhe shtetërore dhe para zgjedhjes së tij si kryebashkiak mbante positin e shefit të financave të qytetit, duke arritur për herë të parë pas shumë kohësh një buxhet të balancuar për dy vite me radhë. Williams pasonte në këtë rol një nga politikanët më të vjetër e të njohur që në dy mandatet e fundit e kishte lënë në gjendje të mjeruar qytetin. Stili i tij i drejtimit ishte thelbësisht teknik dhe administrativ.
Në mandatin e tij të parë ai arriti të ndryshonte thelbësisht funksionimin e zyrave dhe shërbimeve vendore duke u bazuar tek menaxhimi dhe matja e performancës për të sjellë shërbime efikase, efiçente dhe në kohë rekord.
Modele të tjera, si organizimi i qeverisjes vendore në qytetin e Pragës, ku kryebashkiaku ka pushtet të kufizuar prej mekanizmave të brendshme kontrolluese dhe barazisë në pushtet me drejtues të tjerë, vënë në dukje rëndësinë e menaxhimit horizontal të një bashkie në vend të një qasjeje vertikale ku kryetari i bashkisë ka gjithë pushtetin.
Modeli i qeverisjes vendore në Shqipëri, megjithë reformën territoriale dhe administrative që supozohej të rriste efikasitetin e ofrimit të shërbimeve dhe autonominë financiare të pushtetit vendor reflekton filozofinë e qeverisjes në Shqipëri: Partia mbi të gjitha, kyetari i partisë mbi gjithçka.
Banorët e Tiranës dhe të 60 bashkive të tjera të vendit e meritojnë të përfaqësohen nga një kryetar jo politik dhe jo partiak; përtej të majtës e të djathtës, në drejtim të përmbushjes së kontratës sociale që kanë nënshkruar me ne.