Kur në janar të vitit 2016 u lajmërua ndërprerja e aktivitetit për 6 muajt në vijim nga Bankers Petroleum dhe Transatlantic Petroleum, APPA ngriti alarmin:”Duhet të mendohet një strategji për mbrojtjen e më shumë se 4000 njerëzve të punësuar në këtë sektor, kryesisht në zonën e Ballshit dhe Patos Marinzës!” Por, kur në Mars ARMO shpalli falimentin, lufta që bëhej në gjykatë nuk ishte asgjë para luftës që do bëhej për mbijetesë nga punëtorët, të cilët tani kishin mbetur “në mes të katër rrugëve”.
Për ta nisur historinë nga fillimi, kjo situatë ishte e tillë që parashikohej. Rritja e nivelit të borxheve që ARMO kishte marrë në bankat e nivelit të dytë dihej. Po ashtu dihej dhe rënia e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Po ashtu dihej, e thënë nga vetë ministri Gjiknuri, që ARMO po keqmenaxhohej! Dhe duke qenë se dihet dhe tendenca e kompanive shqiptare, të cilat kur e gjejnë veten në gjendje të vështirë strategjia e parë që ndjekin është: Shkurtim masiv vendesh pune për me qëllim uljen e shpenzimeve, situata mund të parashikohej dhe të parandalohej! Por ja ku jemi sot më 20 maj, kur qindra punëtorë protestuan para Kryeministrisë. 1200 naftëtarë nuk paguhen prej 10 muajsh.
“Sfida jonë është të gjejmë një operator privat që do menaxhojë në mënyrë eficiente kompaninë” tha z. Gjiknuri para se të ARMO të ishte pranë falimentimit. Protesta e sotme tregoi qartë që operatori s’u gjet. E megjithatë në pamundësi për të realizuar premtimin e parë, i thamë ministrit se nëse do kishte dëshirën e madhe për t’i mbajtur në punë këta 1200 naftëtarë, kishte një opsion tjetër. Me pak fjalë, bazuar në nenin nr.15 të Kushtetutës, shteti mund të ndihmojë ndërmarrjet në vështirësi duke u falur detyrimet, duke i përjashtuar nga tatimet apo e fundit: Duke injektuar kapital “të freskët”. Sërish, protesta e punëtorëve tregoi që edhe ky opsion “u dogj”.
Ajo që na frikëson më shumë është përkeqësimi i situatës, duke qenë se sipas raportit të APPA për muajin mars, afër falimentimit ishte dhe Kurum. Ndonëse arriti t’i shpëtonte, vetë z.Adrian Civici tha: “Rreziqet për ekonominë shqiptare do t’i shikoja nga pikëpamja sociale, sepse këto periudhë falimenti, ristrukturimi kërkojnë një kohë ë gjatë dhe zakonisht shoqërohen edhe me humbjen masive të vendeve të punës.”
Një qytezë e tërë (Ballshi), që mbahet e gjitha me naftë, ka mbetur e paralizuar, dhe ndërkohë një tjetër qytet (Elbasani) rrezikon të preket nga fjala kyç e këtyre ditëve: Humbja masive e vendeve të punës! Ministria nuk arriti as të parashikonte skenarin më të keq, as të parandalonte shkurtimin nga puna dhe as të mbronte qytetarët e saj.
Nga Ergisa BEJKOLLARI